Më në fund, në ujërat e drejtësisë

0
53

Preç Zogaj

Pas endjes njëvjeçare në detin e hapur të debateve politike, ngjarjet dhe vrasjet e 21 janarit kanë hyrë më në fund dje në kursin e ujrave të drejtësisë. Ashtu siç kanë kërkuar parreshtur familiarët e protestuesve të vrarë – të Hekuranit, Aleksit, Faikut dhe Ziverit. Ashtu siç ka ngulmuar përgjatë gjithë vitit, qysh prej orës 19.00 të datës 21 janar 2011 e këndej, opozita shqiptare. Ashtu siç ka dashur shumica dermuese e opinionit publik. Ashtu siç kanë dashur edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, në radhë të parë miqtë e mëdhenj amerikanë.

Meritë për këtë hop shumë të rëndësishëm të hetimeve kanë Prokuroria Shqiptare, Ambasada e SHBA-së në Tiranë, Departamenti i Shtetit, FBI-ja amerikane, gjithë ata ekspertë të panjohur prej nesh, që zbardhen me përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre të padiskutueshëm enigmat e vrasjeve të 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në Tiranë.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama pati idenë e drejtë t’u drejtohej qysh në fillim për ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë akt ajo siguroi ekspertizën më të lartë të mundshme për çeshtjet në hetim.

Njëkohësisht – dhe kjo është po aq e rëndësishme- ajo e çliroi hetimin nga politizimi, paragjykimet dhe akuzat politike të Berishës apo kujtdo tjetër. Sot askush që ka mizën nën kësulë nuk mund ta akuzojë sërish Prokururinë për njëanshmëri apo tendenciozitet. Ekpertiza e armëve , plumbave, vrasjeve dhe dhe serverit të kryeministrisë ka ardhur nga agjencia më e famshme investigative e botës. Baronëve politikë të Tiranës, të vegjël për botën por të rrezikshëm për popullin e tyre, nuk udelhesapi t’i shpallin luftë FBI-së pasi prapa saj janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vetë nocioni i panegociushëm i demokracisë dhe shtetit ligjor.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, shkëlqësia e tij Aleksandër Arvizu dhe zyrtarët e lartë amerikanë që merren me Shqipërinë kanë mbajtur fjalën e dhënë se SHBA do të mbështesnin Prokurorinë Shqiptare për një hetim të drejtë, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të 21 janarit. Kjo i është dashur dhe i duhet vendit. Të mos merakoset njeri se po vihen në një plan gjëra që ndryshojnë si nata me ditën. Le të kalojë gjithçka në sitën e hetimit më të imët të mundshëm.

E drejta vetëm zbardhet nga hetimi. Episodet e ndryshme, që dikush ka dëshirë t’i fusë në një thes, vetëm diferencohen nga hetimi. Në të gjithë e kemi ditur dhe e dimë se demostrata e 21 janarit 2011 do të ishte hedhur prapa krahëve, si shumë protesta të ngjashme në Europën Demokratike, nëse forcat e armatosura brënda rrethimit të kryeministrisë nuk do të kishin hapur zjarr e nuk do të kishin vrarë protestues të pafajshëm. Vrasja e njerëzve ka qenë dhe është ngjarja, tragjedia, krimi. Të tjerat janë gjëra të harrueshme, gjëra që ndodhin në demokraci, edhe pse të padëshërueshme. Për rrjedhim, zbardhja e 21 janarit është zbardhja e vrasjeve. Drejtësia për 21 janarin është ndëshkimi ligjor i vrasësve.

Hyrja dje e hetimeve në ujërat e drejtësisë e ka shveshur përfundimisht 21 janarin nga debatet shterpë dhe fantazmagoritë e kërkuara që është munduar t’i diktojë që prej një viti kryeministri Berisha. Mbërritja e ekpertizës së FBI-së dhe komunikimet e djeshme të kryeprokurores Ina Rama në prani të ambasadorit Arvizu kanë sqaruar dy gjëra të rënda:

E para, se është qëlluar me armë zjarri nga oficerë të Gardës në lartësinë e trupit të njeriut, pra drejt në mish, gjë që ka qenë kundërshtuar me forcë deri dje nga zyrtarët e lartë të qeverisë dhe zëdhësit e tyre, edhe pse një kundërshtim i tillë i dekonsipronte sikur e dinin se si duhej të qëllonin e ku duhej të qëllonin gardistët.

E dyta, gjatë natës dhe të nesermen e 21 janarit, ndoshta edhe të pasnesermen, në Gardë dhe në Kryeministri është punuar për asgjësimin dhe prishjen e provave. Nga serveri i kryeministrisë janë fshirë pamjet filmike të demostratës dhe lëvizjeve në mjediset e saj të brëndshme, kurse në “kovaçhanen” e Gardës paska patur ndryshime te tytave të armëve për të mos u zbuluar se cila ka qëlluar mbi qytetarët.

Janë veprime që njollosin thellë Kryeministrinë dhe Gardën e Republikës, dy institucione që mendohet se janë simbole të ligjmërisë. E gjithë kjo është thjesht e tmerrshme. Mund të ndodhë në xhungël, në stanet e mafias, por kurrën e kurrës në një shtet europian. Ata që kanë guzuar pa ua bërë tërr syri të venë një krim mbi tjetrin, pra të vrasin dhe pastaj të fshijnë provat e vrasjes , me siguri i kanë bërë llogaritë me “ekpertët e fushave të druve” që caktojnë gjykatat shqiptare, pa u kujtuar se FBI-ja me aparaturat e saj të teknologjisë së lartë do t’ua nxirrte në shesh të palarat.

Kryeministri Berisha e ka premtuar kërcënueshëm serverin e kryeministrisë para një viti. Nëse kontrollojmë datat e deklaratave të tij dhe i krahasojmë me datën e fshirjes së pamjeve filimike sipas FBI-së,delse ai e ka premtuar kasetën pasi e kishte fshirë. Përgjatë një viti ai nuk ka folur më asnjë fjalë për ketë ngjarje kriminale po aq të shëmtuar sa vrasja e njerëzve. Tani që foli FBI-ja hesht sikur i ka rënë si bombë ky lajm.

Duke e lenë hetimin të ndjekë rrjedhën e vet dhe duke e lënë drejtësinë të thotë fjalën e vet, Berisha, për shkak të postit që mban dhe aktivitetit që ka kryer në kryeministri si zyrtari numër një i qeverisë gjatë dhe pas demostratës së 21 janarit, ka detyrimin të shprehet para publikut për dy gjëra themelore.

E para, kush ka dhënë urdhër të hapet zjarr mbi demostruesit në një kohë kur sipas të gjitha filmimeve sekond për sekond të televizioneve shqiptare demostrata po shkrehej?

E dyta, kush ka dhenë urdhër për fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i selisë, ku ai është mbret e shkuar mbretit?

Këto dy pyetje janë sot themeli i raportit të këtij kryeministri me popullin e tij. Ato e thërrasin orë e çast në foltore. Ato nuk shmangen as duke i injoruar, as duke fantazuar skena të reja. Ligji dhe ekspertiza njohin vetëm faktet. E vërteta e 21 janarit tani kërkon vetëm drejtësinë. Rruga nga akuza te vendimi i formës së prerë është akoma e gjatë, plot vështirësi dhe të papritura. Por më në fund, pas kaq muajsh, 21 janari ka marrë një nisje të mbarë.