(Përsiatje)
Ardian-Christian Kyçyku (2009, Publikuar në “Haemus”)
Çështja e tolerancës në kulturë është bërë thelbësore gjatë epokës së quajtur pasmoderne, kur kultura duhet të “durojë” pothuajse përditë jokulturën, për të mos thënë shkulturën (të ketë, vallë, lidhje kjo me shkul-trurin?). Asnjëherë beteja mes tyre nuk ka qënë kaq e egër, e sunduar nga e paparashikueshmja dhe trishtimi. Mbase ngaqë akti kulturor nënkupton identitet, të papërsëritshmen, të pangatërrueshmen, synim të epërm (çka e dëmton njëfarësoj solidaritetin shoqëror), ndërkohë që akti i jokulturës parakupton kënaqësi të vockël, kryesisht lëndore, synime mediokre, bujë pa bukë (çka ndihmon, në mënyrë aspak paradoksale, në ngjizjen e ca bashkësive të mëdha e të fuqishme).
Toleranca nuk është një fenomen i freskët në historinë e njerëzimit, mirpo vetëm në ditët tona rreket të përvehtësojë strukturën e një feje të re. Në thelb, toleranca përfaqëson një lëvizje ateiste, të mbështetur nga disa parime tërësisht morale, dhe e ngritur mbi ujdira. “Perëndia” e saj themelore është pranimi i dikujt ashtu siç është, e kjo mund të shqipërohet me: pamundësi për ta ndryshuar dikë e për të mos e pranuar. Kundërshtari i perëndisë së tolerancës, të paktën në ligjërimin mediatik, është fanatizmi ose orvatja shpesh e vetvetishme për ta ndrequr e përkryer tjetrin me, ose sidomos pa dëshirën (vullnetin) e tij. Në emër të lirisë që cilësohet e lindur, fryma (edhe bryma) e tolerancës sajon cënime të panumurta të lirisë, sepse njeriu është po aq i përgjegjshëm për çdo prishje të baraspeshës së kësaj bote sa ç’merr përsipër ruajtjen e së njëjtës baraspeshe.
*
Duke e vëzhguar me hamendjen që përdor poezia, toleranca duket të jetë shfaqur njëheresh me derën. Në krijimtarinë popullore ballkanase mund të gjenden pamje vegimtare të një bote ku shtëpitë nuk kishin as porta, as dyer.
Ndoshta nuk kishin pse. Qëndra e bashkësisë dhe e jetës ishte ashti i fshatit, agora e pleqve. Sundonin mirëkuptimi dhe mirësjellja, ngaqë vijonte një ndarje e pranueshme e të mirave materiale. Qysh nga çasti kur disa prej antarëve të bashkësisë ndjenë se duhej të fshihnin diçka nga sytë e të tjerëve, u fanit dera. Është e qartë që dera nuk u dynd për të fshehur ndjenja apo imtësi vetjake, të cilat, përndryshe, nuk ngutej t’i përdhoste kush. Le të këqyren me këtë rast, si dëshmi, dritaret e shtëpive në disa zona ballkanike: ato janë të ulëta, dy pëllëmbë mbi themele, sepse askush nuk hidhte vështrime brenda.
Ndarja e njerëzve në klasa u krye, në radhë të parë, sipas përmasave të kamjes që u ngatërrua me pushtetin. Ky e rindau hapësirën në të lirë dhe në të pakapërcyeshëm. Tash e mbrapa jo gjithkush mund të hynte diku, jo gjithkush mund të dilte nga diku, jo gjithkush mund të qe zot i një hapësire të caktuar. Me kalimin e kohës, hapësira mori trajtën dhe strukturën e atyre që e sundonin, njëlloj si një burg, të themi, që sendërton përfytyrimin ndëshkimtar të atij që mbyll e jo të atij që mbyllet. Po a e njohim ne, vallë, të fshehtën e hapësirës, të pronësisë mbi të, të lëvizjes së njeriut nga një hapësirë në tjetrën? Sa mund të qëndrojë dikush në një hapësirë dhe pse? Kur mund të hyjë dikush diku dhe pse?
Pyetjet bëhen gjembaçe kur vjen fjala për hapësirat që na ndalohen – disa nuk na lejohen prej njerëzve, disa prej Yjorit. Për të lehtësuar kalimin, je i detyruar të paguash. Me çfarë? Një traditë tejet e pasur shpirtërore na i përcjell (aq sa mundet / sa duhet) – se jo gjithkush mund të tretë kumtin e saj – edhe të kodifikuara mënyrat me të cilat fitojmë aftësi për të hyrë në hapësira të epërme. Por sa më shumë përparojmë shpirtërisht, aq më pak të drejta kemi në këtë botë. Të drejtat janë të ndryshme. Kurse kjo botë, në gjendjen e tanishme, nuk tolerohet nga Zoti, por mëshirohet prej Tij.
*
Një shprehje e njohur thekson se pushteti duket vetëm kur përdoret keq.
Prandaj shumë njerëz nuk e shohin Pushtetin e Perëndishëm. Mërgimi i pushtetit që bartin njerëzit fillon kur pushteti bëhet tepër i dukshëm, mendjemadh, kryeneç, dhe thyen çdo kufi të moralit e madje edhe të qesharakes. Atëbotë pushteti kalon nga ata që e bartnin, deri në përdorim të keq tek të tjerët, të nënshtruarit, gjallimi i të cilëve ishte vetëm i toleruar, jo edhe i respektuar, se për dashje të të afërmit si vetveten as që mund të bëhet fjalë. Rënia e pushtetit, kalimi nga njëra njësi tek tjetra shihet pikërisht në rritjen e tolerancës mes palëve. Sepse dikush toleron vetëm kur kupton se nuk mund të sundojë si më parë. Ngjallen asisoj bisedimet, ujditë e tipit: unë të toleroj, o filan person, moj bashkësi, lëvizje, mendësi etj, por kërkoj në këmbim të tolerancës sime (…)
Rrjedha e ngjarjes duket tejet e natyrës politike, por gjendet e plotë edhe në jetën kulturore. Mbarëvajtja e kësaj të fundit nënkupton mjaft mungesa, durim e flijime, teksa në kohën tonë parakupton fuqinë për të mposhtur një kalvar të vërtetë. Në të kundërt kumti kulturor shpërbëhet, shartohet, përthith copëza vlerash të rreme, të sajuara, të bymyera, duke i shërbyer nënkulturës dhe jokulturës. Një parabolë e hershme orientale e ilustron më së miri këtë. Pas rropatjesh të gjata për të pushtuar një kështjellë, krerët e ushtrisë nisin një dërgatë të përbërë tërësisht nga intelektualë.
Në vetëm dy javë pas hyrjes së dërgatës në kështjellën e pamposhtur, portat e saj hapen kanat më kanat, banorët-luftëtarë dalin në pritje të rrethuesve, i ftojnë brenda, i lusin, le të marrin ç’u do e bardha e zemrës, të marrin madje frerët e drejtimit të kështjellës! Shkultura shkreton hapësirën publike jo mes përfaqësuesve të vet kryesorë, por mes përfaqësuesve tanë të dobët, të atyre që humbin durimin dhe qëndresën dhe që nguten të marrin shpërblim „në natyrë” për misionin e kryer më fort në virtual(itet) dhe në të përjetshme, sesa në të tashme. Të tillët tolerohen mesveti, tolerojnë vetveten e shformuar, ngaqë nuk i janë përkushtuar kumtit të mirëfilltë kulturor, por ia shesin për dy aspra atë kumt të ardhmes së afërt (lexo: dritëshkurtër).
*
Një tjetër përmasë e asaj që mund të ndodhë nga e ashtuquajtura tolerancë në kulturë duket në ligjin e pashkruar, sipas të cilit kush nuk jep të drejta kulturore, do të detyrohet të japë territore. Lidhja e të drejtave kulturore me territoret është njëlloj si lidhja mes tekstit dhe realitetit që shkoklohet nga teksti. Deri në fillimet e Luftës së Ftohtë, hapësirat e Evropës, pavarësisht nga zhvillimi i tyre ekonomik, ndiqnin një rrjedhë të natyrshme nga pikëpamja kulturore. Njerëz të shquar, të lindur e të formuar në Ballkan, përmbushnin misione kulturore të rëndësishme në Perëndim, disa syresh duke „bijësuar” gjuhë të qarkullimit të gjerë, e askush nuk shihte në këtë ecuri gjërash një thithje të rafinuar vitaliteti, por vetëm këmbim përvojash, vllazërim, rigjetje të rrënjëve të përbashkëta, ose bashkim në kulturë, çka do të kish lehtësuar bashkimin politik.
Lufta e Ftohtë rrënjosi me forcë një ngricë të paparë, dhe hapësirat më të pasura të Kontinentit Plak sajuan ca ishuj kulture të vënë mirë nën kontroll (në fakt: ishuj të lënë në mëshirë të politikës), tkurrën hapësirën e qarkullimit të kumtit kulturor, dhe kjo çoi në shfytyrimin e së Vërtetës. Duke ngatërruar traditën kulturore me jetën e kulturës, – e cila çdo ditë ka për detyrë të mos japë shpirt, – Perëndimi nuk bëri pothuajse asgjë për ta ndryshuar gjendjen, i bindur se fryma e internacionalizmit proletar do ta mortnojë krejt kulturën ballkanike, pa e prekur fare atë perëndimore. Prandaj vjen çasti kur Perëndimi e kap veten të pushtuar nga një dobësim e ligavitje ende vezulluese, por dëshpërimtare dhe pa shpresë, që as edhe burokracia dhe zbrazëtia e një tjetër gjuhe të drunjtë nuk i paraqitin dot si të paqëna. Për pasojë, detyrohet, aty nga fundi i viteve ’80, të shembë kufijtë gjeopolitikë.
*
Jetojmë me bindjen e gabuar se sivëllezërit tanë më të kamur në parime e realitete demokratike na tolerojnë të paktën çdo muaj. Nga ana tjetër, na duhet të tolerojmë gjëra që tërmetojnë gjer edhe parimet morale që ata vetë i japin për firmosje. Lexojmë e ngremë në qiell autorë të rëndomtë, por tashmë të famshëm, dhe mbajmë ngujuar me shpërfilljen tonë gjeninj që s’kanë as me se të paguajnë qiranë dhe të cilët, rrethuar nga vipa, yllka me një gisht brekë e një thua tru, nga reklama, politofilë, grafomanë, turistë të të menduarit etj, duket sikur janë lindur më kot. Në fakt, gjuhët e qarkullimit të gjerë dhe shumica dërrmuese e autorëve që i përfaqësojnë, nuk bartin kaherë ndonjë kumt të denjë për vëmendjen tonë, ndonëse mbështeten prej një mekanizmi të fuqishëm buje. Mirpo është një dallim vigan mes qarkullimit të një kumti kulturor dhe shitjes së një kumti kulture e qytetërimi. Ka libra që qarkullojnë dhe libra që shiten. Libra që shpëlajnë tru dhe libra që lajnë mëkate. Ata që mbijetojnë përmes kulturës emërtohen konsumatorë kulture.
Shumica e tyre i janë nënshtruar pa kushte materializmit dhe besojnë se nuk ka rëndësi kumti dhe thelbi i tij, por numuri i atyre që e marrin, e pranojnë, e tretin në qënie, e përcjellin më tej drejt binjakëve të vet shpirtërorë e mishtorë, duke e shndërruar luftën kulturore në një modë. Kjo shumicë, në të vërtetë nuk jeton, por gjallon e mbijeton (më saktë do të ishte: nënjeton), gjithnjë e më e njëtrajtësuar, duke pandehur se po toleron ca si shumë një pakicë poetësh të përmallur, të pafuqishëm, të pazot të përshtaten, viktima të një konservatorizmi të skajshëm, kur në realitet ndodh krejt e kundërta.
Mbase tingëllon si teprim, por saherë nënkultura a shkultura kanë kaptuar një prag të caktuar, kanë sjellë luftra të përbindshme, ose nuk kanë lejuar ndërprerjen e tyre.