Ajo që na turpëron në Evropë

0
36

Nga Mero Baze, 26 Shtator 2013

Një Komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muižnieks, ka kërkuar të dalin para drejtësisë ata që prishën provat e krimit më 21 Janar. E thënë ndryshe, kjo është kërkesa më e qartë, e cila fokuson lakun e përgjegjësisë tek Sali Berisha. Gjithçka që ndodhi më 21 Janar mund të mos klasifikohej si krim i rëndë politik, edhe pse pati të vrarë, nëse qeveria linte të lirë drejtësinë të hetonte dhe gjykonte çështjen.

Por më 21 Janar në mbrëmje, Sali Berisha, pasi shpalli se vrasjet ishin kryer nga opozita, rrethoi Kryeministrinë, fshiu andej plumbat e derdhur nga garda e tij, zhduku provat e krimit nga territori i Kryeministrisë, fshiu pamjet filmike dhe gjithë serverin e gardës dhe izoloi gardistët, të cilët ishin objekt hetimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, më 23 janar ai ka bërë një akt të rëndë antikushtetues, duke refuzuar të dorëzojë në prokurori gjashtë gardistët e akuzuar si të dyshuar për vrasjet e kryera.

Refuzimi publik dhe zyrtar i tij për të mos bashkëpunuar me prokurorinë, përbën një vepër të paamnistueshme penale, e cila në të vërtetë duhet të kishte çuar qysh atë ditë në pranga Sali Berishën. I futur fillimisht në spiralen e skenarit që vrasjet i ka bërë opozita, pas provave të qarta të medias, ai u detyrua të ndryshojë skenar dhe të kalojë tek skenari i puçit të shtetit duke futur nën akuzë kryeprokurorin, Presidentin, shefin e SHISH dhe gazetarët.

Pra, vrasjet kanë ndodhur më 21 janar, por krimi real politik ka ndodhur pas 21 janarit, kur Sali Berisha u investua personalisht dhe zyrtarisht në fshehjen e provave dhe zhdukjen e gjurmëve të krimit.

Tani Sali Berisha është një ish-Kryeministër i lirë, ende i pahetuar, i pagjykuar dhe i padënuar për 21 Janarin. Ai do të jetë pjesë e delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës, shqetësimi kryesor i të cilit është mosdënimi i atyre që prishën provat e 21 Janarit.

Përfytyroni që kjo akuzë do të përsëritet në tribunën e Këshillit të Evropës, dhe pas kësaj një plak i rrënuar, i kërrusur, agresiv, me sy të skuqur nga gjaku si një bishë e plakur, do të dalë në tribunë dhe do të fillojë të shpjegojë se katër orët e para vrasjet i kish bërë opozita, pastaj katër ditët më pas u zbulua plani B, që opozita kishte bërë grusht shteti dhe blablablaaa.

Problemi ynë si shtet dhe shoqëri, gjatë kohës që ky njeri mund të ngrihet të flasë në atë foltore, nuk është çfarë do thotë. Problemi ynë nuk është as nëse do ta dëgjojë njeri apo jo. Problemi ynë i madh është se shumë njerëz në atë sallë nuk do ta kuptojnë dot se ai plaku që flet aty në podium, është i njëjti njeri me atë kryeministrin që vrau dhe prishi provat më 21 Janar pa i hyrë gjemb në këmbë. Nëse dikush do t’ua shpjegojë me një fjali parlamentarëve të Evropës se bëhet fjalë për të njëjtin vrasës, Shqipëria do të ndjehet e turpëruar dhe e damkosur si një vend i poshtëruar nga një vrasës gjakftohtë.

E theksoj se nuk bëhet fjalë për të gjykuar si u vranë katër qytetarët, a e njihte Ndrea Prendi, Aleks Nikën a jo, a e vrau me dashje apo pa dashje, dhe kishin apo jo çadra- pistoletë qytetarët. Nuk bëhet fjalë as nëse Bamir Topi, Ina Rama, Bahri Shaqiri dhe unë me tre kolegët e tjerë ishim apo jo puçistë. Bëhet fjalë që Këshilli i Evropës do të dëgjojë alibinë për vrasjet e 21 Janarit nga vrasësi i 21 Janarit dhe prishësi i provave të krimit.

Shumë perëndimorë nuk kanë nerva të dëgjojnë dhe të mësojnë detaje se si e ka marrë zvarrë këtë vend ky njeri, por u mjafton vetëm fakti që një njeri që ka vrarë politikisht dhe ka prishur provat, është i lirë dhe përfaqëson vendin tonë në Strasburg, për të na konsideruar një shoqëri primitive që meritojmë çdo regjim. Sali Berisha po na rivret tani, duke na përfaqësuar si vrasës në një vend ku dënohen pikërisht vrasjet dhe aktet e tij. Mjafton kjo prezencë fizike, mjafton shfaqja e tij pa pranga në foltoren e Këshillit të Evropës, mjafton guximi i tij për të qene krenar që ka vrarë dhe ka mbrojtur vrasjet, për të na turpëruar si shtet, si shoqëri dhe si komb. Ndaj duhet korrigjuar pa humbur kohë ky turp.