I mbyturi po na mbyt

0
47

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 19.01.2010

Është një fjalë e urtë e popullit, se i mbyturi të mbyt. Duhet ta ketë dëgjuar edhe “rekordmeni” i notit, Sali Berisha që verën e shkuar imitonte Maon e madh në Jance, duke i rënë medemek me not pash ujërave të Jonit.

Duhet një kurajë e madhe, shkathtësi, forcë fizike, por edhe kokëkrisje të marrësh përsipër të shpëtosh nga mbytja të mbyturin dhe pakkush ia arrin. Sepse i mbyturi të merr me vete, në përpëlitjet e fundit për t’i shpëtuar rrugës pa kthim drejt thellësisë.

Por “rekordmeni” i ujit ka shumë arsye të krenohet edhe për rekordet në stere. Disa herë është mbytur politikisht dhe moralisht në tokë dhe gjithnjë i është gjendur një dorë e shtrirë që e ka nxjerrë.

Shumë duar shqiptarësh janë shtrirë për t’i dhënë një ndihmë dhe ai sërish ka tentuar t’i mbysë, sepse ai di vetëm të mbytet në batakun e marrëzisë ku zhytet dhe të marrë me vete edhe ata që përpiqen ta shpëtojnë.

Viti 2010 nuk do të kishte nisur kaq i mbrapshtë për shqiptarët, sikur në krye të mos kishim të mbyturin kryeministër.

Një kryeqeveritar që ka shpartalluar tashmë buxhetin e shtetit, fondin rezervë, ndihmat e huaja, kreditë dhe grantet e dhëna nga donatorët. Gjithçka në funksion të futjes së pushtetit nën sqetull.

Një buxhet që nuk ka me çfarë mbushet, pse doganat janë disa dhjetëra miliardë lekë më pak, nga mungesa e importeve dhe rënia pikiatë e shkëmbimeve ekonomike, tregues të qartë të krizës ekonomike ku jemi zhytur.

Një buxhet që nuk mbushet as me policinë tatimore të një ish-gjenerali që masakronte opozitën 14 vite më parë, sepse mijëra biznese kanë falimentuar, të reja nuk po hapen dhe ato që kanë lulëzuar janë bizneset informale të qeverisë që nuk paguajnë në arkën e shtetit por të partisë.

Një buxhet që duhet të paguajë disa qindra milionë euro të marra borxh për të financuar korrupsionin qeveritar, duke rritur frikshëm borxhin e çdo shqiptari sot e në të ardhmen.

Shqiptarët e provuan që në fillim të vitit se çfarë bën një kryeministër i mbytur në borxhe në krye të qeverisë me ministra të babëzitur që janë bërë bashkë prej shtatorit 2009 për të rrëmbyer sa më shumë dhe sa më shpejt, se larg qoftë ndodh ndonjë krizë politike, dhe nuk arrijnë të bëjnë paratë që u duhen për të mbajtur në këmbë ndërmarrjet e tyre ekonomike dhe politike.

Edhe duke vënë në rrezik ekzistencën dhe sigurinë e vendit, për të mbushur sadopak buxhetin piramidal dhe xhepat e korrupsionit, duke falimentuar 10 për qind të ultësirës me pjellore të vendit, mijëra familje që kishin investuar jetën e tyre aty.

Dhe ashtu si në mbytjet e tjera, thotë se ka dalë më ngadhënjimtar se kurrë. Edhe mbrëmë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare për Shkodrën, e njëjta histori. Një tallje e madhe me shkodranët e vërtetë që përgjigjen e kanë të thjeshtë me mallkimin popullor: “Të marrtë Buna!”.

Një tallje që do të vijojë edhe pas largimit të ujërave të derdhura nga kaskadat e Drinit, me zhdëmtimin dhe mijëra familjeve të zhytura në mjerim, fekale dhe braktisje sociale. Sepse nuk do të ketë dëmshpërblim për ta, ose do të ketë sa për sy e faqe prej qeverisë që i përmbyti.

Fjalë kryeministri të mbytur në borxhe, kur deklaronte mbrëmë nga foltorja e kuvendit se “dëmet ishin minimale”!!!. Fjalë të denja për një të mbytur, të cilit disa herë i është dhënë dora e ndihmës.

Në 2005 kur merrte sërish pushtetin, vetëm 8 vite pasi kishte qenë drejtuesi dhe frymëzuesi i shkatërrimit tragjik të ekonomisë kombëtare dhe atyre familjare me shtetin piramidal që instaloi në 1992-1997.

Në 2008, kur për të mbledhur miliardat e fëlliqura me trafikun e municioneve, masakronte popullatën e pafajshme. Atëherë opozita e majtë i dha një dorë të mbyturit kryeministër në pellgun e gjakut që hapi në Gërdec. Dhe ai na e shpërbleu me Gërdecët e tjerë në Rrëshen-Kalimash dhe sot në Ultësirën e nën Shkodrës.

Me një leksion të madh, që duhet varur si vëth në vesh: është trimëri dhe gjest human të shpëtosh të mbyturin, por jo të vetëmbyturin që disa herë na ka marrë me vete dhe ne i kemi dhënë dorën.