Nga Mero Baze, 7 Shtator 2013
Ka disa gjeste instiktive në jetën e një njeriu që e tradhtojnë atë sa herë i shfaqet para dikush që e ka urryer. Ilustrimi tipik i këtyre instiktive është mënyra se si Sali Berisha rikujtohet të poshtërojë Azem Hajdarin sa herë i jepet rasti në jetë.
E poshtëroi fillimisht kur e shkarkoi nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike, në vitin 1991, dhe kur më pas e ka zëvendësuar dhe në biografinë e kësaj partie, ku thuhet se kryetar i parë i saj ka qenë Sali Berisha.
E poshtëroi në vitin 1992 kur i hoqi imunitetin dhe e çoi para gjyqit me shpresë se do ta fuste në burg, pas një incidenti të sajuar në selinë e PD-së.
E poshtëroi në vitin 1993, kur e shpalli bashkëpunëtor Sigurimi në gazetën RD.
E poshtëroi në vitin 1994, kur e shpalli agjent të fqinjëve veriorë po në gazetën RD.
E poshtëroi në vitin 1995, kur injoroi përpjekjet e tij për të ndaluar përjashtimin e Eduard Selamit.
E poshtëroi në vitin 1996, duke e ripërjashtuar fare nga Partia Demokratike dhe Këshilli i saj Kombëtar, parti të cilën e kishte themeluar vetë.
E poshtëroi në vitin 1997, ku më shumë policë dhe SHIK-sa ndiqnin Azemin, se sa protestat antiqeveritare që e rrëzuan nga pushteti.
E poshtëroi në vitin 1998, ku nga gjithë vdekja e tij ai përdori vetëm arkivolin për të sulmuar kryeministrinë dhe për të prodhuar trazira, duke harruar dhe ta varrosë.
Jeta politike e Azem Hajdarit është një histori lufte me Sali Berishën, e cila në shumicën e rasteve ishte një përpjekje për të vetëmbrojtur dinjitetin e tij të nëpërkëmbur. Azem Hajdari e mundi për katër ditë kundërshtarin e parë politik, regjimin komunist, dhe për tetë vite nuk ia doli dot të mundte kundërshtarin e tij real politik, Sali Berishën, një komunist të mbijetuar nga lidhjet me regjimin.
Por përtej kësaj historie tragjike, Azem Hajdari nuk ishte një shenjt dhe as një figurë që kishte mbështetje mbarëpopullore. Ai ishte një populist i shkathët, një njeri me instinkte të forta politike, por dhe një njeri problematik në lidhjet e tij të sforcuara me botën ordinere dhe nëntokën e politikës shqiptare. Kishte plot njerëz që e urrenin, sidomos nostalgjikë të diktaturës për atë që bëri kundër saj, por dhe plot të tjerë që e shikonin si një përfaqësues banal të asaj historie.
Ishte pikërisht populizmi i tij ai që trembte Sali Berishën dhe ishin pikërisht këto ishuj urrejtje ndaj tij që lehtësuan poshtërimin konstant të Sali Berishës ndaj tij. Sali Berisha nuk reshti së përdoruri ato jo vetëm sa Azemi ishte gjallë, por edhe pasi vdiq.
Për të fundit herë po i përdor më 12 shtator të këtij viti. Njeriu që nuk ka pranuar të dëshmojë për vrasjen e Azem Hajdarit dhe që ende nuk shpjegon momentin kyç të vrasjes së tij, atë të nxjerrjes në rrugë nga njeriu i afërt i gruas së tij, nuk bëri asgjë për t’u rihapur çështja gjatë tetë viteve në pushtet, dhe asgjë për rehabilitimin e tij moral. Ai e përdorte Azemin gjithmonë për të provokuar kundërshtarët e vet, mes të cilëve natyrisht ka mijëra që nuk duan t’ia dëgjojnë emrin Azemit. Kështu veproi më 2006 kur donte t’i ngrinte një përmendore në parkun Rinia, pa asnjë lidhje, vetëm të provokonte Bashkinë e Tiranës. Kështu po bën dhe tani kur ka ikur nga pushteti.
Të gjitha dekoratat që ka marrë Azemi janë përpjekje të familjes së tij, që vrapon pas çdo presidenti të marrë nga një dekoratë, dhe jo ndonjë iniciativë e Sali Berishës. Berisha kishte gjithë kohën e duhur ta çonte Azemin në kë varrezë të donte këto vite, por urrejtja për të nuk i është shuar dhe nuk do që ai njeri të prehet një herë me dinjitet diku. E do vetëm për luftë dhe konflikte. E do vetëm ta përdorë si mish për top edhe të vdekur, siç ka tentuar ta përdorë të gjallë. E do që njerëzit ta fyejnë Azemin, ta shajnë, të nxjerrin dufin e Berishës ndaj tij. E do si një kosh plehrash ku të zbrazet zemërimi i kundërshtarëve politikë dhe ai të bëjë sehir dhe të duket si njeriu që po rehabiliton Azemin.
Pa Sali Berishën kundërshtar, biografia e Azemit do të ishte shumë e pastër. Kundërshtarët e tij politikë, socialistët, nuk i kanë bërë asnjë akuzë Azemit nga ato që i ka bërë Berisha. Ata nuk i kanë thënë spiun, agjent i UDB, trafikant, vrasës dhe i papërgjegjshëm siç i ka thënë Sali Berisha. Gjithë çfarë është thënë kundër Azemit dhe gjithë balta që është hedhur mbi të, ka të bëjë vetëm me Sali Berishën. E ka thënë me zë, me figurë në publik, dhe me shkrim në gazetën zyrtare të PD-së.
Tani kur iku për herë të dytë dhe të fundit nga pushteti, dhe kur nuk duron dot ditën që do të mblidhet qeveria e re, do të ringrejë nga varri Azemin jo për ta nderuar, por për ta poshtëruar, për ta ripërdorur, për ta ripërdhosur, për ta rifyer. Siç ka bërë sa ishte gjallë. Dhe është e ndyrë pasi e bën këtë riposhtërim në sytë e të gjallëve që Azemi ka lënë pas. Në dorë të tij!