Dy “Kushtetutat” e Nishanit

0
39

Nga Mero Baze, 6 Shtator 2013

Bujar Nishani nuk kishte asnjë argument kushtetues një vit më parë, në mes të verës, ende pa hyrë në zyrën e tij, të pranonte kërkesën e Sali Berishës për shkarkimin e ish- kryetarit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të emëronte aty Visho Ajazin, një këshilltar të Sali Berishës dhe drejtuesin më të rëndësishëm të ish- SHIK, gjallë. Pati kundër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët nuk e përmbajtën shqetësimin, por e bënë publik. Bujar Nishani firmosi me qetësi letrën që i vuri para Sali Berisha. Injoroi SHBA dhe detyrimin ligjor që ka për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese.

Por gjeti një arsyetim një muaj më vonë. Më 20 shtator, në një intervistë të tij në “Opinion”, ai shpjegoi pse kishte firmosur: “Shërbimi Informativ, si një agjenci që merret tërësisht me çështjet e sigurisë kombëtare, të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë së një vendi, dhe e Kryeministrit si kreu i ekzekutivit, është pjesë e vlerësimit edhe në ligj të Kryeministrit të vendit, dhe Kryeministri i vendit i kërkoi Presidentit të Republikës të lironte nga detyra ish- drejtorin dhe të emëronte një drejtor të ri” (Bujar Nishani, “Opinion”, 20 shtator 2012).

E vetmja gjë e qartë nga teksti i varfër i Presidentit, është se ai ka shkarkuar kreun e SHISH se ia ka kërkuar Kryeministri dhe se ai nuk mund të pengojë vullnetin e kryeministrit për një institucion që ka punë me kryeministrin. Të gjithë e dinim që gënjente, por e gjeti një arsye jashtë ligjit, por brenda logjikës politike të shtetit.

Një vit më pas, po në “Opinion”, Bujar Nishani, i pyetur për mundësinë e emërimit të një kryetari të ri të SHISH nga shumica e re, u shpreh se “asnjë presion nuk do të gjejë ambient bashkëpunues tek Presidenti i Republikës” (Bujar Nishani, “Opinion”, 5 shtator 2013).

Pra, nëse një vit më parë Presidenti i Republikës kur firmoste kishte parasysh të mos bllokonte dhe pengonte vullnetin e kryeministrit, një vit më vonë paska parasysh të rezistojë ndaj çdo vullneti të kryeministrit të ri, të cilin e paragjykon duke e quajtur dhe presion.

Nga i gjithë ky qëndrim katërçipërisht i kundërt dhe joparimor i tij, ka vetëm një linjë besnikërie, atë të besnikërisë politike ndaj Sali Berishës, i cili është ndëshkuar me 1 milion vota nga shqiptarët. Duket qartë se Presidenti nuk respekton as Kushtetutën dhe as parimet që vetë shpall për t’u mbrojtur nga mungesa e parimeve kushtetuese. Ai thjesht është një kapter në shërbim të një regjimi që u zbua me vota.

Për fatin e keq të tij, nuk është problem zëvendësimi i kryetarit të SHISH, pasi shumica e re ka vota për një ristrukturim real të SHISH me ligj dhe për një kryetar të ri pas asaj. Bile shumica e re mund të krijojë një klimë dhe për një paketë të re kushtetuese në aleancë me partitë e vogla që kanë problemet e tyre me reformën kushtetuese. Pra, në këtë aspekt nuk do të mbetet të presë dorën e Nishanit për të firmosur.

Por problemi që ka Bujar Nishani, dhe gjithë ish- pushteti i vjetër, është se precedentët që kanë prodhuar për të shtypur opozitën dhe për të marrë nën kontroll çdo skutë të pushtetit, tashmë janë kundër tyre dhe provojnë dhe një herë hipokrizinë me të cilën ata qeverisën. Problemi i tyre real është se nuk iu përmbajtën kurrë ligjit për të marrë pushtetin në institucionet kushtetuese dhe në çdo hallkë të pushtetit në Shqipëri, por prodhuan precedentë antikushtetues, të cilët kanë asgjësuar në të vërtetë parimet kushtetuese.

Argumentet që vetë Bujar Nishani përdori për të zëvendësuar kryetarin e SHISH një vit më parë, me arsyetimin se respekton vullnetin e kryeministrit, e detyrojnë atë të miratojë çdo kandidat për kryetar SHISH që çon shumica e re, edhe nëse është me dy shtetësi si ky që kemi sot, jashtë çdo ligji. Argumentet që përdori Sali Berisha për të kontrolluar KQZ, duke shkarkuar Ilirian Muhon për sjellje të keqe në rini, lejojnë shumicën e sotme të shkarkojë Lefterinë për sjellje të pahijshme në të shkuarën dhe ta zëvendësojnë me një të tyren. E njëjta gjë mund të thuhet dhe me precedentët që krijoi Berisha duke dekretuar anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, disa përtej çdo afati dhe disa para afatit, me mënyrën si mori KLD, me mënyrën si kontrolloi fillimisht gjykatat me kancelarë, me qëndrimet ndaj prokurorisë, etj.

Pra, problemi që krijon sot Presidenti i Republikës me deklaratën e tij të dytë dhe të ndryshme për kryetarin e SHISH, është se ai zbulon faktin që këtu pushteti i vjetër dhe i fundmi i tyre në pushtet Bujar Nishani, nuk kanë zbatuar kurrë Kushtetutën, por nevojën për të kontrolluar çdo pushtet. Ky qëndrim tregon se kemi në Presidencë një fosil të regjimit të vjetër, i cili kur ka interes citon Berishën, dhe kur nuk ka interes, citon Kushtetutën. Ai provoi dje se për të nuk ka rëndësi as ligji, as Kushtetuta, bile as ajo çfarë ai vetë ka bërë dhe ka thënë si president, por vetëm nevoja e Sali Berishës. Ky qëndrim me standard të dyfishtë të tij, është akuza reale përse ne sot nuk kemi një president, por një figurinë qesharake, ku e vetmja gjë i shkon, është pamja e flokëve dhe mustaqeve që plotësojnë atë çfarë kemi në mendje për të.