Gjon Neçaj, 03.09.2013
Një ditëlindje që nuk u përkutua dhe korespondenca me studentin e Martin Camajt
Më 2 prill 2013 përkthyesi i njohur, studenti i Martin Camajt, Hans – Joachim Lanksch mbushte 70 vjet. Para disa ditësh, duke qenë se kudo kishte shënuar vetëm vitin e lindjes dhe jo datën e muajin, e pyeta Hansin me qëllim për të shkruar diçka në këtë përvjetor. E ai, pa një pa dy, me një here këmbadoras u përgjigj, me humor bile, duke shtuar se “memzi i shpëtova fatit me kënë“ shaka e 1 prillit, dmth, jam lindun me 2 prill 1943.”
Me këtë personalitet të shquar, i cili nuk pranon të quhet albanolog, prej vitesh kemi një korrespondencë dobiprurëse, duke mësuar çdo ditë e më tepër për kulturën shqiptare në Gjermani e jo vetëm dhe për personalitetin e shquar të letrave shqipe, poetin Martin Camaj.
Me këtë rast, diçka për të justifikuar 2 prillin, në vëmendje të lexuesve po sjell dy korrespondenca të Hans-Joachim Lanksch, ku dalin në pah anë të panjohura të përkthyesit të madh të shqipes.
“U gëzova fort për dërgesën tuaj dhe për kontaktin me ju. Gëzohem çdo here që më vjen ndonji lajm prej viseve veriore të Shqipnisë që janë për mue tepër “ekzotike”, mbasi për to mundesh me ndie a lexue vetëm kur ka një lajm të keq-shinat e mëdhenj, bora e thellë, mungesa e dritës, familje të mgujueme etj. Tue ndjekë shtypin shqiptar (gja që baj përditë në internet), të krijohet përshtypja që Veriu përveç katastrofave të ndryshme, s’ekzistueka fare, sidomos për arsye që kulturë gjoja ka vetëm në Tiranë, Durrës, Elbasan…
Qytetin Bajram Curri e kam pa vetëm për disa pak momente, në një dokumentar për virgjinat shqiptare. Pamjet prej qendrës së qytetit ma sugjerojnë përshtypjen që Bajram Curri, që shumë dhjetëvjetëshe, asht lanun mbas dore ma së tepërmi (ashtu si dhe gjithë Veriun)…
Duke me përcaktue nji gja: nuk jam albanolog. E vërteta asht që kam studiue për albanologji me Martin Camajn, ama nuk punoj albanolog. Jam nji përkthyes i thjeshtë për gjuhët sllovene dhe shqipe, ku përkthej edhe poezi.
Gjininë haiku e pëlqej shumë. Bile kam përkthyer haiku gjermane në sllovenisht (tue ruejt trajtën origjinale 5+7+5). Kjo më kujtohet si punë mjaft e vështirë dhe, njekohësisht, fort e kandshme dhe e bukur.
E çmoj shumë konsideratën tuej për poetin Martin Camaj. Më gëzon fort fakti që në Shqipni ka njerëz që e çmojnë veprën e tij dhe pse ajo “zyrtarisht” nuk ekzistueka fare. Para do kohe, te gazeta “Albania” debatohej për një shkrim të Moikon Zeqos, i cili kish thane që shkrimtaria dhe kritika në Shqipni janë provinciale. Interesant për mua ka kënë reagimi i Jorgo Bulos, drejtor i IGJL, i cili tha: “Por ne kemi Kadarenë dhe Agollin”. Përveç kësaj që jam alergjik ndaj emnave fosilesh në letërsinë socreale, mendoj që asht mjaft provincial ama mospërmendja e artit Camajian. Përndryshe, jam i mendimit që letrat shqipe s’janë aspak provinciale. Provinciale, simbas meje, asht klima, atmosfera “zyrtare” kulturore e Shqipnisë së sotme, ndërsa kritikë letrare thjesht nuk ka.
Më duket që Martin Camaj ka vetëm pak lexues a “fansa”, ku ata pak që i ka në Shqipni, janë të gjithë në Veri (me përjashtimin e disa letrarëve tiranas si Agron Tufa, Behar Gjoka). Përndryshe, as Camaj as Rreshpja duket nuk kanë depërtue deri në Tiranë, Durrës etj…
Për mua s’ka shumë për të tregue. Jam le më 1943 në veri të Gjermanisë. Në Mynih kam studiue për sllavistikë dhe ballkanologji, në Mynih edhe kam ngelë deri më tani. Siç thashë edhe më parë, punoj përkthyes. Jam i martuem, kam dy djem (13 dhe 18 vjeç – jam babe i vonë).
Hans-Joachim Lanksch
Mynih, me 4.1.2008
Letra e dytë është shkruar më vonë dhe flet për disa krijues me emër në letrat shqipe
“U gëzova mjaft që komunikimi ynë vazhdon, edhe pse – për fajin tim – me vonesë të pafalshme. U gëzova fort edhe për poezinë e Din Mehmetit që ma përcollët. Poetin Mehmeti e çmoj qyshse kam ra në kontakt me poezinë e tij. Kam përshtypjen se në Kosovë – a ma mire e ma drejt me thane – në Prishtinë dekada me radhë s’e kanë përfillë poezinë e tij, mbasi nuk ka kënë anëtar i klikave dhe klaneve të ndryshme të atjeshme. Vetëm vitet e fundit e morën parasysh ma shumë, mbasi asht ba gjithnji e ma shumë poet i momenteve kombëtaro-politike. Megjithatë, unë personalisht e çmoj poezinë e tij të viteve të 60-70-80-ta. Për poezinë e tij të dekadave para dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluem, më duket se zërat gjysmëzyrtarë të Prishtinës i kanë ba padrejtësi të madhe Din Mehmetit, tue e vlerësue këtë krijimtari si gjoja “patetike”, përderisa tash e lavdërojnë për poezinë me patetikë kombëtare. Punë mjaft absurde.
Sa i përket njohjes së Martin Camajt në Shqipni, mbetem mjaft skeptik. Me siguri, gjithnji e ma shumë e njohin në Veri të Shqipnisë, gjersa në Tiranë, Vlorë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër etj. mbetet edhe ma tej i palexuem. Atje sundon “maja e piramidës së letrave shqipe” (ashtu e lexova në shtypin shqiptar… – Kadareja plus Agolli. Kritika letrare në Shqipni nuk ekziston. Respektivisht asht kryekëput e korruptueme a e paaftë – si të duash. I ekzaltojnë vetëm krijuesit që botohen lashtë vendit. Nëse nji shkrimtar i dorës së dytë ka nji mbramje letrare në ndonji katund mbrapa shtatë maleve të Gjermanisë a Zvicrës, e lavdërojnë deri në qiejt e qiejve, kurse s’dinë me thane as edhe nji fjalë për krijuesit e mëdhenj si Martin Camaj, Prederik Rreshpja, Mihal Hanxhari, Zef Zorba etj.
Ju e cekët në librin e Primo Shllakut për Camajn. Më duket se libri i tij nuk ka me pasë shumë lexues (jashtë Veriut), mbasi autori asht tejet i panjohun në Shqipni (me fjalët e tij : më kanë bombardue në heshtje…)
Ma shumë ndikim, ndoshta ka me pasë libri i Behar Gjokajt, që asht tue e shkrue dhe ai nji libër për Martin Camajn. Gjokaj njihet deri diku, si kritik i nji alternative letrare shqiptare, që guxom bile edhe me shprehë mendime kritike ndaj “majës së piramidës së letrave shqipe”, tue u angazhue për autorë si Kasëm Trebeshina, Martin Camaj, Anton Pashku etj…
Ju përshëndes, me nderime Hans-Joachim Lanksch
Mynih, më 3.6.2008
Ndërsa duke qenë shumë i interesuar për shqiptarët, e në veçanti për kulturën dhe letërsinë shqipe, para disa ditësh, më shkruan një mesazh me këto fjalë: “Shpresoj që qeveria e re, nën udhëheqjen e nji artisti, me nji ministër kulture përkthyese dhe nji ministër arsimi gjuhëtare, do të bajë ma shumë për kulturën dhe do të merret ma seriozisht me kulturën sesa qeveritë e derimëtashme.”