TemA, 31 Gusht 2013
Sabit Brokaj beson se mazhoranca e re ka dëshirën për të ndryshuar rrënjësisht vendin. Por dëshira nuk mjafton. Duhet edhe forca, vendosmëria.
“Nëse populli të jep 80 e ca mandate, atëherë domosdo kërkohet qeverisje radikale dhe e rreptë. Nuk është votuar për një qeveri me poza tolerance sepse socialistët dallohen për këtë. Socialistët e kanë si burbonët që kur luftojnë rrinë me thikë ndër dhëmbë dhe çuditërisht sa mbaron lufta i buzëqeshin kundërshtarit” – citon Brokaj, Stefan Cvajgun
Brokaj i bashkohet hapur sensibilitetit të lartë qytetar të këtyre ditëve mbi vendimet e fundit të qeverisë Berisha që po tjetërsojnë prova dhe pasuri natyrore: “Duhet të kthehen në nul, pra të shfuqizohen pa asnjë hezitim që në mbledhjen e parë të qeverisë. Është një masakër e vërtetë mbi vendin – thotë ai.
“Do ketë mandat të shkurtër nëse nuk dërgon para drejtësisë Berishën dhe të tjerët” – mendon profesor Brokaj për qeverinë e re dhe shton për PD-në e Berishës: “I është sulur Shqipërisë si një ushtri që erdhi si pushtuese dhe pasi humbi, po ikën si plaçkitëse”.
Dr.Brokaj mendon gjithashtu që Kushtetuta duhet të ndryshojë. Jo vetëm për të hequr këtë periudhë tranzitore “që është një çudi që e lë vendin pa qeveri, ku fituesi nuk merr dot detyrën dhe humbësi të vazhdojë të qeverisë” – por edhe për gabimet e vitit 2008, si dhe për mjaft zhvillime që ka pasur Shqipëria që nga viti 1998.
Lidhur me opozitën e re Brokaj mendon se PD nuk mund të bëjë opozitë me këtë drejtim dhe në këtë mënyrë. “Ajo do jetë në Kuvend dhe do e shajë Ramën por s’ka moral për këtë, sepse ka në krye një person që ka katër penalitete të rënda “– thotë ai për Bashën.
Brokaj flet edhe për rastin e shumë-debatuar të SHQUP-it dhe thotë se “Mbrojtja ka një ministër që është fatkeqësia e ushtrisë”.
“Është një radhë e gjatë zyrtarësh dhe funksionarësh që e kanë shkelur ligjin me prapanicë. Duhet të shkojnë para ligjit të kuptojnë se çfarë është shteti i së drejtës – thotë ai për gazetën “Dita”.