Ankthi makbethian i 21 Janarit

0
65

Nga Mero Baze, 27 Gusht 2013

Gjithëkush e mban mend Arben Imamin më 21 janar. Në mbrëmje, paksa i dehur, aq sa të dukej jashtë kontrollit dhe i frikësuar aq sa tentonte të dukej trim, ai u shfaq në ekranet e televizioneve, duke akuzuar opozitën për grusht shteti. Në historinë e tij të komplikuar me Partinë Demokratike, ai kishte një kompleks të fortë inferioriteti nga ideja se militantët e asaj partie, nuk e donin, ngaqë e lidhnin me trazirat e vitit 1997 dhe kundërshtimin e tij me armë të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Bashkim Finos. Pasi kishte qenë dy herë ministër i socialistëve dhe kishte mundur të rikthehej në Partinë Demokratike, ai ishte në ditën e duhur për t’u dhënë zemër demokratëve. Kur në bulevard ende nuk ishte fshirë gjaku i katër të vrave, Arben Imami u shfaq në ekrane për të mbrojtur gjakun e derdhur në emër të pushtetit të tij.

Disa ditë më vonë u morën vesh dhe disa punë më të pista të tij. Kishte përdorur Shërbimin Informativ të Ushtrisë për interceptime të paligjshme diplomatësh, gazetarësh dhe opozitarësh. Kishte blerë me urgjencë pajisje të tjera interceptuese jashtë linjës së bashkëpunimit me NATO, ndërkohë që kishte kthyer Shërbimin Informativ te Ushtrisë në një shërbim privat të Sali Berishës kundër opozitës.

Tashmë në refleksionet e tij mbi humbjen historike të 23 qershorit, shikoj që Arben Imami e lidh 21 janarin me LSI dhe e quan sakrificën e PD-së për të vrarë, si një sakrificë për të mbrojtur LSI.

Në gjithë këtë reflektim të tij ka një të vërtetë të dhimbshme që Imami e nxjerr padashje. Një nga arsyet përse shqiptarët votuan pasivisht kundër Sali Berishës është 21 janari dhe vrasjet e tij politike. Arben Imami e pranon këtë dhe përpiqet ta justifikojë se Partia Demokratike ka vrarë për të mbrojtur LSI.

Pranimi nga një nivel i lartë i zyrtarëve të Partisë Demokratike të këtij fakti, është në të vërtetë fillimi i një procesi reflektimi mbi vrasjet politike të Sali Berishës, të cilat nuk kanë për t’iu ndarë sa të jetë gjallë. Dy personazhe që më 21 janar kanë mbrojtur publikisht vrasjet, Sokol Oldashi dhe Arben Imami, të dy kanë reflektuar më pas dhe përpiqen të modifikojnë qëndrimin e tyre pro vrasjeve që kanë demonstruar atë natë. Arben Imami duket se është dhe më i avancuar në këtë pikë.

E vërteta e vrasjeve të 21 janarit, në fakt nuk ka asnjë lidhje me LSi. Demonstrata e 21 janarit ishte një revoltë paqësore e shqiptarëve, edhe për shkak të LSI, por vrasjet e 21 janarit janë vepër e drejtëpërdrejtë e Sali Berishës. Ai vrau me qetësi, kur demonstrata po mbaronte, kur njerëzit po shpërndaheshin me duar në xhepa, dhe kur bulevardi ishte thuajse bosh. Ai vrau me ligësi për të trembur opozitën, për ta përgjakur atë dhe në fund për ta akuzuar. Ai vrau me skenarë të gatshëm akuza, për thika me helm dhe çadra pistoletë. Ai inkriminoi Ministrinë e Brendshme të gjente prova për puçin, inkriminoi Presidentin e Republikës si puçist, akuzoi prokurorinë dhe SHISH, akuzoi gazetarët kritikë dhe liderë opozite, vetëm që ta mposhte opozitën. Mbi të gjitha Sali Berisha vrau jo vetëm për të vrarë katër qytetarë, por për të vrarë shpirtin e protestës në Shqipëri. Dhe në një farë mënyre ja arriti. Pas 21 janarit shqiptarët nuk dolën më në rrugë.

Nuk provuan më demonstrata dhe as protesta kur u vodhën votat më 8 maj në Tiranë. Pas 21 janarit shqiptarët shtrënguan dhëmbët pasi u bindën se kishin të bënin me një vrasës dhe ja kthyen në fytyrë plumbin më 23 qershor. Tek 1 milion votat kundër Sali Berishës është shumëfishuar qindra mijëra herë vota e pahedhur e Ziver Veizit, Faik Myrtaj, Hekuran Dedaj e Aleks Nikaj. Tek 1 milion votat kundër Sali Berishës, shqiptarët kanë pasur parasysh fytyrën e dehur të Arben Imamit më 21 janar dhe kërcënimet e tyre ndaj opozitës. Tek 1 milion votat kundër, shqiptarët kanë pasur parasysh fytyrën e dhunës së Sali Berishës dhe ju kundërpërgjigjen atij me një revolucion të heshtur, duke i dhënë 1 milion vota kundër. Mes atyre qindra mijëra vota janë vota të PD-së që kanë refuzuar udhëheqësin e tyre vrasës.

Arben Imami është i pari që e pranon se 21 janari ka qenë një arsye madhore për të votuar kundër Partisë Demokratike. Nuk di pse i shkon mendja që shqiptarët kanë dashur të ndëshkojnë LSI, ndërkohë që asaj i dhanë dyfish më shumë vota, kurse PD dyfish më pak. Fakti që PD nga 68 deputet zbriti në 43, tregon se shqiptarët ishin shumë të qarte se kush vrau më 21 janar dhe pse vrau. Vrau Sali Berisha dhe vrau për të frikësuar përfundimisht shqiptarët të ngrenin kokën kundër tij. Ndaj dhe shqiptarët ju përgjigjën vrasjeve politike me pushkatimin politik të Sali Berishës. E vërteta është se Sali Berisha do të marrë pas vetes dhe ata që mbrojtën 21 janarin dhe vrasjet politike. Do ti marrë në rrugën pa kthim të humbjes së pushtetit, por dhe në kujtesën e historisë si të vetmit njerëz që pas vitit 1990 vranë për arsye politike në këtë vend.

Ankthi i tyre makbethian për 21 janarin, ka për t’i ndjekur deri në fund të jetës. Mbesave të Sali Berishës do t’u rrijnë përballë Ana e Ziverit, fëmijëve të tejngopur të Arben Imamit, fëmijët e uritur të Hekuran Dedës, vajzave të Lulit, dy vajzat e pafajshme jetime të Aleks Nikës, dhe fytyra plot brenga e gruas së Faik Myrtos që i iku dhe djali pas burrit. Shihet qartë se 21 janari ka filluar të zërë vend brenda tyre si një ditë që i ka hequr nga pushteti, por nuk pranojnë dot atë çfarë bënë më 21 janar. Ajo çafrë bëri opozita më 21 janar dhe arsyeja pse e bëri, nuk ka asnjë lidhje me atë që bëri Sali Berisha, Lulzim Basha dhe avokatët e tyre. Këta të fundit vranë dhe tani duan një arsye të lehtësojnë shpirtin pse kanë vrarë. E dimë të gjithë pse vranë. Vranë për pushtet! Dhe tani që shqiptarët i zbuan si vrasës, nuk u besojnë dot duarve të tyre të gjakosura.

Shpresoj të vij shpejt dita të dalin në bulevard në protesta. Do të jetë mirë që policia t’u japë leje të rrijnë aty ku kanë vrarë. Të rrijnë tek vendi ku u vra Ziveri, Hekurani, Faiku dhe Aleksi. Të rijnë dhe të mendojnë pse duhet vrarë njeriu kur del aty dhe proteston. Ndoshta e kanë më lehtë të kuptojnë pse i kanë zbuar shqiptarët pas kësaj!