Nga Ermelinda Meksi, 22 Gusht 2013
Ndërsa gjendja financiare është një nga shqetësimet më të mëdha për qëndrueshmërine e ekonomisë shqiptare, Ministria e Financave nuk ka botuar sipas detyrimit, të dhënat fiskale të 7- mujorit me pretendimin e probleme në sistemin elektronik të Thesarit. Akoma nuk ka asnjë afat zyrtar se kur ato do të jenë të disponueshme.
Megjithatë, në këtë situatë kryeministri në detyrë në mbledhjen e qeverisë deklaroi se: “Financat shqiptare janë transparente dhe gjendja ekonomike është solide”!!!!!
Ai gjeti rastin të përgëzoj administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në tatime të mbledhë 7 për qind më shumë, kurse doganat sipas tij mblodhen 16 për qind më shumë sesa në korrikun e vitit të shkuar…”
Por si qëndron e vërteta e të dhënave fiskale?
Nga të dhënat mbi të ardhurat sipas disa burimeve operative nga tatimet dhe doganat, vërehet se nuk ka vend për përgëzime, pasi të ardhurat në dogana dhe tatime nuk janë realizuar as në nivelin që punonjësit e këtij sistemi kishin programuar, duke krijuar një mosrealizim ndaj planit për korrikun me -2,3% ose rreth 6 milionë dollarë.
Ndërsa për periudhën janar- korrik 2013, mosrealizimet e të ardhurat në tatime dhe dogana tregojnë se mosrealizimet janë të larta jo vetëm ndaj planit, por edhe ndaj faktit të 2012-ës.
Përkatësisht ato rezultonë -7,6% dhe -2,2% ose në madhësi absolute mosrealizimi është 132 milionë$ ndaj planit dhe 36 milionë$ ndaj faktit të 2012-ës.
Realiteti ynë përgenjeshtron atë që thotë kryeministri mbi transparencën, por edhe përsa ai flet për gjendjen solide të ekonomisë.
Më poshtë po rendis disa tregues të botuar nga vetë Ministria e Financave për të dhënat fiskale të 6 mujorit:
1.Të ardhurat buxhetore janë 6-7 miliardë lekë me pak se një vit më parë.
2.Borxhi ka arritur sipas Ministrisë së Financave 871,8 miliardë lekë nga 828.2 miliardë leke në fund të vitit 2012.
3.Deficiti buxhetor ka arritur 48.2 miliardë lekë kur parashikimi vjetor është 48.9 miliardë lekë.
4.Me të ardhurat nuk mbulohen shpenzimet korrente duke u shfaqur deficiti primar.
5.Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është vlerësuar në 63.3% duke tejkaluar kufirin e vendosur në ligjin buxhetor 62,6%.
6.Ka rënie në tepricën e kredisë në 553 miliardë lekë nga 554 miliardë lekë që ishte në Maj të vitit të kaluar.
Në këtë situate si mund të flasim për gjendje ekonomike solide? Çfare duhet të ndodhë akoma që të tronditet stabiliteti ekonomik financiar i vendit?
Ky qenka stabiliteti? A duhet pritur të flasë FMN-ja? FMN-ja do e zgjidhë problemin tone? FMN-ja do rekomandojë shkurtim shpenzimesh, rritje taksash, deficit i ulët buxhetor për vitin 2014.
Prandaj është koha të flitet qartë mbi ekonominë, duke inkurajuar mendimin e lirë dhe profesional ekonomik me synim për gjetjen e zgjidhjeve më opimale larg eklektizmit.
Për këtë situatë ekonomike tonën, ku sa më shume flitet për trasparencë, shifrat mungojnë apo dalin shumë vonë, përgjigjen si përherë e gjej te i madhi Xhorxh Orwell, romani i të cilit, “1984”, në majin e këtij viti në USA qe më i shituri, jo rastësisht sikurse edhe simbolika e personazhit që ai krijoi në këtë roman bigbrother, dhe për të cilin flasin të gjithë duke arritur përmasa globale.
“Statistikat qenë marrëzi si në versionin origjinal dhe në atë të korrigjuarin. Punonjësit qenë të detyruar në shumicën e kohës t’i sajonin ato nga mendja. Për shëmbull, Ministria e Bollëkut e kishte parashikuar numrin e çizmeve për tremujorin 145 milionë palë. Shifra reale e prodhuar u dha 62 milionë. Megjithatë kur e rishikoi parashikimin Uinstoni e zbriti shifrën në 57 milionë, me qëllim që, si zakonisht, të synohej në tejkalim. Sidoqoftë, edhe shifra 62 dhe ajo 57 milionë ishin shumë larg së vërtetës.
Mundësia më e madhe ishte të mos ishte prodhuar asnjë palë çizme. Dhe po kaq e mundshëm, jo vetëm që nuk dinte kush sa palë qenë prodhuar, por as që çante kokën ta dinte. Ajo çfarë dihej me siguri ishte fakti që çdo tremujor, në letër, çizmet prodhoheshin në shifra astronomike, ndërkohë që gjysma e popullsisë së Oqeanisë ecte këmbëzbathur. Dhe kështu ndodhte me çdo statistikë sado e madhe apo e vogël qe. Githçka zhdukej dhe në fund fare as data nuk qe e sigurt.”
“Puna e Uinstonit ishte të korrigjonte shifrat e kohëve të fundit dhe t’i barazonte me ato të parashikuarat. E shkuara rifreskohej ditë për ditë, madje minutë për minutë… Në këtë mënyrë, çdo parashikim i bërë nga Partia mund të vërtetohej me dokumenta që kishte qënë i saktë; … Nuk lejohej të ekzistonte asnjë paragraf gazete apo kurrfarë opininioni që binte në kundërshtim me nevojat e çastit… Në fakt, mendoj Uinstoni ndërsa korrigjonte shifrat e Ministrisë së Bollëkut, as falsifikim nuk mund të quhej. Ishte thjesht zëvendësim i një marrëzie me një marrëzi tjetër.” Xhorxh Orwell “1984” faqe 63.







