Tërhiqet Greqia: Nuk do ketë asnjë problem me shqiptarët

0
80

TemA Online, 21 Gusht 2013

Pas tensionimit të situatës dhe vendosjes së reciproritetit nga ana e palës shqiptare, Greqia ka vendosur që të tërhiqet, duke lejuar kalimin e qytetarëve shqiptarë për në Greqi.

Kjo është konfirmuar nga ana e konsullit grek në Gjirokastër, i cili ka thënë se tashmë nuk do të ketë më probleme për qytetarët shqiptarë.

“Nga momenti që flasim nuk do të ketë asnjë problem me shqiptarët”, ka thënë konsulli grek.

Ai ka thënë se kalimi i shqiptarëve drejt Greqisë do të bëhet thjesht me pasaporta biometrike, kundrejt asnjë kërkese tjetër shtesë, siç janë eurot etj.

Ndërkohë, ai ka kërkuar që edhe pala shqiptare të tërhiqet.

“Shpresojmë që e njëjta gjë të ndodhë dhe me grekët nga ana e palës shqiptarë”, tha ai.

Për normalizimin e situatës ka negociuar ambasada greke në Tiranë, ndërkohë që qeveria greke është distancuar nga ndalimi i qytetarëve shqiptarë në kufi, duke thënë se nuk ka dhënë asnjë urdhër për këtë gjë.

Pas vendimit të palës greke, Policia e Gjirokastrës bëri me dije se do të heqë menjëherë ndailimin e kalimit të shtetasve grekë në Shqipëri.

Ndërkohë, po negociohet për zgjidhjen e situatës në pikën kufitare të Kaptshticës, duke qenë se lëvizja e qytetarëve për momentin është normalizuar vetëm në Kakavijë./b.l