Zgjidhja e krizës, tryezë Rama-Berisha në shkurt

0
40

Plani i ndërkombëtarëve

Një delegacion i lartë i Këshillit të Europës pritet të vizitojë Tiranën në fillim të shkurtit. Topit i kërkohet organizimi i tryezës, Berishës dhe Ramës u kërkohet pjesëmarrja

Kreshnik KUÇAJ

Kriza politike shqiptare mes shumicës qeverisëse të koalicionit PD-LSI dhe opozitës që udhëheq PS-ja e tri herë kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, duket se do të marrë një drejtim krejt tjetër në fundin e muajit janar. Burime nga diplomatë të huaj i thanë “Korrierit” se, në rast se deri në fund të këtij muaji nuk do të ketë asnjë marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, që mund të rikthejë këtë të fundit në parlament, atëherë ndërhyrja e ndërkombëtarëve do të bëhet një vendim i domosdoshëm.

Miratimi i këtij vendimi automatikisht shënon “regres” për sa u përket proceseve integruese të vendit, për vetë faktin se kapërcimi pa ndërhyrje nga jashtë i krizës politike në vend do të ishte një tregues i pjekurisë politike të vendit tonë, që tashmë është anëtar i NATO-s dhe vend aplikant për statusin “kandidat” për Bashkimin Europian. Kështu, në ditët e fundit të muajit janar pritet që Këshilli i Europës të miratojë një vendim, që i hap rrugë një skenari të ri, i cili synon të ulë në një tryezë kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, për të arritur në një marrëveshje politike mes palëve. Skenari i ndërkombëtarëve që pritet të vihet në zbatim pas dy javësh parashikon një faktorizim të presidentit Bamir Topi, që ka shprehur vullnetin për të qenë ndërmjetës në zgjidhjen e krizës, në momentin që partitë do të shprehin vullnet.

Faktorizimi i Topit nga ndërkombëtarët

Në fundin e këtij muaji ose në fillim të muajit shkurt është parashikuar një vizitë në Tiranë e një delegacioni zyrtarësh të lartë të Këshillit të Europës, i cili do të takohet me kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli, kreun e opozitës Edi Rama dhe në fund me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topin. Në takimin me presidentin Bamir Topi është parashikuar që kreut të shtetit shqiptar t’i kërkohet organizimi i një tryeze, pa pritur fillimisht sinjalet e selive politike. Takimi i zyrtarëve të Këshillit të Europës me presidentin Bamir Topi do të kulmojë me një deklaratë të përbashkët, ku kreu i delegacionit do të shprehë hapur mbështetjen që institucionet ndërkombëtare i japin presidentit Bamir Topi për organizimin e një tryeze gjithëpërfshirëse, që do të kulmojë në zgjidhjen e krizës politike dhe kthimin e opozitës në parlament. Në të njëjtën kohë, edhe në takimet me kryeministrin Berisha e kreun e opozitës, Edi Rama, delegacioni i lartë i Këshillit të Europës do të kërkojë që të dy të jenë të pranishëm në atë tryezë dhe të mos e bojkotojnë atë.

Po ashtu, në negociata Këshilli i Europës do të përfshijë edhe zyrtarët e saj në Tiranë, së bashku me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, të cilët do të riaktivizohen tashmë pas përfundimit të “afatit”, ku palëve politike shqiptare u ishte kërkuar që të zgjidhnin vetë krizën politike. Ndërkohë, në këtë pikë ndërkombëtarët nuk e përjashtojnë as mundësinë, që në rast se palët refuzojnë që të jetë ndërmjetës presidenti Bamir Topi, atëherë “forumi” apo tryeza PD-PS të mund të organizohet nga diplomatë të një niveli më të lartë, si Robert Bosh i OSBE-së apo Helmut Lohan i Komisionit Europian, në ambiente neutrale.

Ndërhyrja e “familjeve” politike

Një pjesë e rëndësishme e planit të Këshillit të Europës për zgjidhjen e krizës politike shqiptare është edhe ajo e ndikimit përmes “familjeve” politike, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Kështu, Partive Popullore Europiane dhe Internacionales Socialiste do t’i kërkohet që të ndikojnë te partitë shqiptare për t’u ulur në një tryezë dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën, që përveç politikës, ka përfshirë edhe institucionet shqiptare. Këtë ndërhyrje për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, Këshilli i Europës pritet të argumentojë si një detyrim statutor të institucionit për të ndihmuar një shtet anëtar të saj për të kapërcyer një krizë politike përmes mjeteve kushtetuese dhe demokratike.

Po ashtu, Këshilli i Europës pritet të argumentojë situatën e bllokuar politike, duke vënë theksin edhe mbi mungesën e reformave për liberalizimin e vizave, për shkak të mungesës së opozitës në parlament. Ndërkohë, mazhoranca dhe opozita, pavarësisht se kanë lënë mënjanë retorikën e fortë për çështjen e transparencës zgjedhore, nuk janë lëkundur akoma për sa u përket qëndrimeve të tyre rreth çështjes së hapjes së kutive të votimit. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se pas kapërcimit të situatës emergjente të përmbytjeve në Shkodër, do të rinisë “betejën” për largimin e qeverisë, ose për hapjen e kutive të votimit. Nga ana tjetër, kryeministrit dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, ka përsëritur të njëjtën ofertë për rikthimin e opozitës në parlament: atë të hetimit të procesit zgjedhor pa hapjen e kutive të votimit.

Belgjika premton mbështetje për integrimin dhe për përmbytjet

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Patrik Deval, dhe kreun e Senatit të Mbretërisë së Belgjikës, Armand de Deker, nga të cilët mori mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave për vendin tonë. Dy përfaqësuesit e lartë të vendit që do të marrë presidencën e Bashkimit Europian në muajin korrik, kur vendi ynë pret vendimin për liberalizimin, e siguruan kryeparlamentaren shqiptare se, përveç mbështetjes për proceset integruese, vendi i tyre do të jepte kontribut edhe për kapërcimin e situatës emergjente nga përmbytjet në Shkodër.

Kryetarja e Kuvendit bisedoi fillimisht me Patrik Deval, duke u paraprirë vendimmarrjeve që kanë lidhje me liberalizimin e vizave dhe opinionin që do të japë Komisioni për kërkesën e vendit kandidat, ndërkohë që presidenca aktuale spanjolle dhe presidenca e ardhshme belge koordinojnë punën mes tyre për këto vendime. Kryetari i Parlamentit belg dhe kryetarja e Kuvendit shqiptar ranë dakord që të komunikojnë në vijimësi edhe për ecurinë e përgatitjes për statusin e vendit kandidat. Kryetarja e Kuvendit tha se është plotësuar tashmë mbi 90 për qind e përgjigjeve të pyetësorit dhe është bërë leximi i parë dhe se punohet intensivisht dhe në mënyrë profesionale për të. Ndërkohë, në takimin me kreun e Senatit së Mbretërisë së Belgjikës, Deker, bisedimet u fokusuan në procesin e liberalizimit të vizave.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se arsyeja kryesore e vizitës së saj në Bruksel ishte pikërisht procesi i liberalizimit te vizave, pasi siç u shpreh ajo, korriku i ardhshëm, kur shqiptarët shpresojnë dhe besojnë se do të hiqen vizat, koinciçidon me presidencën belge. “Unë u inkurajova nga autoritetet më të rëndësishme belge, për të bërë të mundur që gjatë kësaj presidence të arrijmë atë që është gjëja më kryesore për Shqipërinë: heqjen e vizave”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit shpjegoi se nga pala shqiptare është u duke punuar në mënyrë intensive për arritjen e liberalizimit të vizave në korrik të 2010-ës dhe paralelisht po punohet lidhur me Pyetësorin e Komisionit Europian. “Kjo është mbështetja e Belgjikës, mbështetja e Senatit të Belgjikës, për të ndihmuar Shqipërinë që të arrijë liberalizimin e vizave. Mendoj se do të ishte një shenjë e mirë dhe e rëndësishme për shqiptarët dhe për bashkimin e Europës”, tha Deker.

Fule: Liberalizimi në 2010, nëse plotësohen kushtet

Komisioneri i ri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, deklaroi gjatë seancës dëgjimore me deputetët e Bashkimit Europian, se Shqipëria mund të përfitojë liberalizimin e vizave gjatë vitit 2010. Por sipas kryekomisionerit, kjo kushtëzohet nga ecuria e reformave të Qeverisë Shqiptare. “Do të rekomandoja që gjatë vitit 2010, që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina t’i shtohen listës së vendeve, qytetarëve të të cilave nuk u kërkohet vizë për të hyrë në Bashkimin Europian”, tha Fule, duke vendosur theksin edhe te nevoja që vendet respektive të përmbushin edhe detyrimet që u janë caktuar.

Po ashtu, kryekomisioneri i ri u shpreh optimist për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Sipas tij, vendet ku bën pjesë edhe Shqipëria “nuk mund të lihen në të ftohtë”. “Besoj se ne e pranojmë të gjithë, se vendet e Ballkanit Perëndimor mbajnë mbi vete një barrë të rëndë historike dhe politike. Prandaj ne duhet t’u ndihmojmë atyre, mesa të mundemi dhe të shfrytëzojmë të gjitha mjetet, që ata të vazhdojnë reformat e domosdoshme”, tha Fule.