Djathtizmi “i munguar” i Berishës

0
26

Nga Arlind Qori, 19 gusht 2013

Nuk ndodh rrallë që berishizmin ta kritikojnë për mungesë djathtizmi duke synuar derdhjen e ujit të pisët për të ruajtur të paprekur foshnjën. Mirëpo siç na mëson plaku Hegel, forma dhe përmbajtja nuk janë të pavarura nga njëra-tjetra. Berishizmi dhe djathtizmi bashkëpërcaktohen aq fort saqë s’mund të flakësh njërin duke ruajtur tjetrin.

Sigurisht që arsyeja e shëndoshë kërkon të mos lodhesh me akuzat e kahershme ndaj Berishës si kriptokomunist që ende lëngëzohet për t’u rikthyer në kohën e lavdishme të sekretarit të partisë. Edhe atyre, që e shpjegojnë autoritarizmin e tij me reminishencat e komunizmit, duket se u ka mbetur ora te doracakët propagandistikë të Luftës së Ftohtë ku diktatorët gjakatarë ngjyheshin vetëm me të kuq.

Prandaj ia nisim më mirë nga politikat kryesore ekonomike. Neoliberalizmi si forma më radikale e djathtizmit ekonomik daton kur Berisha ishte ende në partinë e vjetër, por në zbatimin e tij të revanshëm berishizmi ka qenë në pararojë (nëse për arsye dinjiteti njerëzor heqim nga lista xha Auguston e Kilit që me një të dredhur të mustaqeve i derdhte trutë çdo kundërshtie ndaj neoliberalizmit të çakërdisur të Çunave të Çikagos).

Si rrallëkund, Shqipëria berishiste e intensifikoi procesin e shndërrimit të çdo pasurie dhe hapësire publike në mall përmes privatizimeve masive e koncesioneve, eliminimit të çdo lëvizjeje rezistence punëtore (kujto Bulqizën!), vendosjes së taksës së sheshtë, futjes së logjikës së tregut edhe te sferat e fundit të shërbimit publik si shëndetësia dhe arsimi, ngritjes së kultit të biznesmenit dhe zhdukjes së emrit të punëtorit nga ligjërimi politik zyrtar. Për të gjitha këto një bashkëdjathtist i paepur si Forbes-i e mori berishizmin aq seriozisht sa ta këshillonte si formulë magjike të zgjidhjes së krizës ekonomike greke. Skeptikët mund t’ia behin se me lobizëm ç’nuk blihet, por kjo zor se mund të prekë një zengjin amerikan, botues të një reviste që e shpall veten botërisht si Vegla e kapitalizmit.

Neoliberalizmi nuk e ka për gjë ta rehatojë individualizmin ekonomik me tradicionalizmin vleror, duke e përdorur këtë të fundit si kompensim ideologjik për garën e pafre ekonomike. Kësisoj Berisha vendoste në qendër të ligjërimit të tij politiko-kulturor familjen, traditën etj. Vërejtjes se ai ka folur edhe për lejimin e martesave gay mund t’i përgjigjemi se diçka e tillë ka shërbyer për diversion në vëmendjen publike pasi askush nuk e ka vënë në dyshim puritanizmin e tij tradicionalist, çka shprehej deri në romuze mbi zhburrërinë e kundërshtarëve politikë.

Si çdo djathtist tradicional, Berisha e kishte të lehtë ta ndërthurte familjarizmin me etnonacionalizmin. Lidhja për kërthize e etnonacionalizmit me raportet e fuqisë dhe glorifikimi i amerikanizmit e sionizmit deri në nivele që do të vinin në siklet edhe mbrojtësit më të flaktë të të mësipërmeve e shtyn berishizmin në skajet e djathtizmit. Sigurisht që jo çdo nacionalizëm është djathtizëm, por çdo djathtizëm, të paktën nga ata me një farë peshe politike, është nacionalist. Dhe kur nacionalizmi nuk lidhet me qasje antikolonialiste, atëherë mbetet vetëm nacionalizëm kombesh “zotërinj”, ose majmunizëm sejmenësh të të parëve.

Nga ana tjetër, antikomunizmi e ka shtyrë berishizmin në prag të rehabilitimit të gjithkujt që ka shkrehur ndonjë pushkë apo shkruar ndonjë rresht kundër komunistëve, pavarësisht ideve dhe veprave të tyre. Heroizimi i monarkizmit dhe rikonceptimi i historisë, ku e keqja që në fillim të Luftës së Dytë Botërore ngërthehej tek të kuqtë, i ka bërë fjalimet e Berishës të padallueshme nga ato të fajkonjve të antikomunizmit. Sigurisht që ato justifikoheshin rëndom në emër të Perëndimit, Evropës etj, por edhe Gëbelsi nuk fliste në emër të furrave, por si mbrojtës i qytetërimit perëndimor nga hordhitë e kuqe aziatike.

Mirëpo ndokush mund të përmendë antagonizmin e tij me një pjesë të ish-të persekutuarve. Detyrimi moral për t’i dëmshpërblyer ata zor se mund të vihet në dyshim, qoftë edhe për të paguar punën skllavëruese të dikurshme traseve e minierave. Veçse antagonizmi berishist me ta nuk ka pasur arsye ideologjike, por thjesht ngushtimesh financiare. Në një vend të papunësh, ku oligarkët taksohen pak, punëtorët janë të pasiguruar, spitalet dhe shkollat janë rrugës së humnerës, është e vështirë të përllogarisësh ndonjë politikë sociale përtej dhënies së pensioneve të radhës.

Kësisoj, problemi i djathtizmit nuk ka qenë tepria e Berishës. Problemi i Berishës ka qenë djathtizmi i tepruar. Sigurisht që mund të kishte edhe më. Fundja ai nuk foli kurrë në tironsen e fillimviteve 40’, nuk e shpjegoi të djathtën me sheqerosjen e hallvës dhe as nuk i uli dy gishtat e fitores mbi fashizmin për të ngritur dorën alla-romakshe. Ama djathtizmi ekstrem mund të mbijetojë edhe pa to.

revista KLAN