Fate Velaj: Berisha mund të ketë lexuar shumë, por s’ka lidhje me kulturën. Drejtohet nga instiktet

0
68

TemA Online, 19 Gusht 2013

Piktori, fotografi dhe eseisti Fate Velaj, njëkohësisht mik i ngushtë i kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, ka analizuar akuzat e Berishës ndaj Ramës, sidomos faktin që ai e cilëson atë si “Piktori”.

“Berisha ka kohë që përdor emërtimin “piktor” duke menduar se në këtë mënyrë e bën Edi Ramën me aftësi intelektuale të cunguara, jo të mjaftueshme e jo të aftë për drejtimin e shtetit, një strategji kjo, që ai e ka përdorur gjatë gjithë kohës që kur Edi Rama hyri në politikën aktive të vendit. Për mendimin tim, kjo strategji e tij nuk funksionoi vetëm e vetëm nga fakti që ai vetë, Berisha, në sjelljen e tij nuk rrezatonte kulturë e jo më të kishte idenë se nga i binte rruga për te piktura dhe arti. Çdo të thoshte Berisha nëse do ishte në Austri ku kryeministri është me shkollë të mesme? Çfarë do të thoshte Berisha për presidentin e parlamentit europian, Martin Schulz që është me të mesme? Po për Joschka Fischer-in, të famshmin ministër të Jashtëm të Gjermanisë që as të mesmen nuk e ka?”, shprehet Velaj.

Sipas tij, Berisha mund të jetë një njeri që ka lexuar shumë në jetë, por nuk ka lidhje me artin dhe kulturën. Velaj thotë se Berisha drejtohet nga instiktet e tij.

“Ajo që dihet e që ka qenë evidente në këto 22 vjet të tranzicionit shqiptar është fakti që Berisha nuk ka pasur kurrë lidhje me artin e kulturën. Berisha mund të dalë nesër dhe të thotë që në femijërinë e tij mbasi dëgjonte Edith Piaf, hidhej andej nga Muzeu i Louvrit mbasi kulla e tyre ishte përballë muzeut, gati gati as 10 m larg. Mund të dalë pasnesër dhe të thotë se Jackson Pollock linte kokën për të dhe kur Berisha vetë ishte i vogël, Pollock se lëshonte nga krahu, ja hopa e mbante… e mbas një jave të dalë e të thotë se më ka thënë gjyshi se Gustav Klimt i të famshmes pikturë “Puthja” te kulla e tij e kalonte 15 ditëshin e lejës së zakonshme… e të tjera si këto. Berisha nuk e pranoi kurrë atë, gjë për të cilën ai për vetveten nuk është fajtor, faktin që politikanët europianë vijnë nga hapësira kulturore e që, rrjedhimisht bën atë që dhe sjelljet, gjestet apo dhe drejtimi i politikës së tyre është kulturë dhe në këtë mënyrë transmeton kulturë. Berisha mund të ketë lexuar shumë në jetën e tij, shumë fare dhe ka një inteligjencë të madhe natyrore e njohuri të mëdha, por shpeshherë atë vete, në sjelljet e tij nuk e drejtonte kjo inteligjencë dhe arsye, por instinkti”, thotë artisti i njohur.

Në fund, ai bën edhe një krahësim mes Ramës si “piktor” dhe Berishës si “doktor”.

“Si një artist në mendje dhe në shpirt, Edi Rama arriti që gjatë kohës që drejtonte Tiranën ta sillte atë neë standartet e një metropoli me trajta, forma e perspektivë europiane. Në shumë intervista që kam dhënë nëpër Europë të vetmen gjë për të cilën unë e vlerësoja Ramën në vitet e drejtimit të Tiranës nuk ka qenë fakti se ai prishi ndërtimet pa leje në Bregun e Lanës. Jo. As lyerja e pallateve artistikisht. Unë çmoja vetëm faktin që Edi Rama i kthehu shpirtin Tiranës, rinisë së saj që deri në atë kohë ishte si buste allçie të depozituara diku në Galerinë Kombëtare. Ishin ata djem e vajza, burra e gra, pleq e plaka që deri në atë kohë jetonin në Tiranë fizikisht e me mendje ishin diku nëpër Europë. Ishin ata që deri në atë kohë të vetmen shprehje që kishin në mendje e gojë ishte “nuk bëhet ky vend…” dhe që Edi Rama ju tha “…unë jam nisur drejt Europës! Ejani ta bëni një pjesë të rrugës bashkë me mua …”.

“Ndërsa, doktori që iku nuk e shëroi dot “the albanian patient” duke i vdekur pacienti nëpër duar, sado që atij iu dha dy herë mundësia për ta kuruar atë, e ku ai akoma vazhdon të thotë se pacienti i tij është si kokrra e mollës. Në këtë rast më duhet të citoj atë shprehjen që kur e pyetën një doktor se si doli operacioni, ai u pergjigj “Operacioni doli me sukses. I sëmuri vdiq”. Kjo ishte dhe rezymeja e fjalimit të tij ditën që dha “dorëheqjen”. Foli e foli për sukseset e operacionit që kishte kryer te pacienti i tij, në një kohë që ai kishte kohë që ishte varrosur. Berisha nuk arriti dot ta shërojë pacientin e tij mbasi ai, jo vetëm i jepte receta të gabuara, por jam i bindur se i jepte edhe doza medikamentesh të skaduara”./b.l