Nga Koloreto Cukali, 13 gusht 2013
Vrasja në Vlorë. Me këtë ritëm vrasjesh që ndodhin, nuk do habitesha që t’ju duhen pak sekonda për të kujtuar cila vrasje në Vlorë… A, po, ai që vrau me kallash 3 të pafajshëm se shkoi të zihej për të motrën të cilës ca fierakë i kishin kërkuar adresën e Facebook-ut. E mirë, e çë pastaj? Kurioziteti ka rënë, aq më tepër kur mediat në përgjithësi u mjaftuan me një deklaratë prindi dhe me transkriptimin e deklaratave në polici të aktorëve. Në një vend tjetër ngjarja do ishte shkriftuar për javë të tëra, çdo pjesëmarrësi në ngjarje do t’i ishte bërë një autopsi e fortë morale dhe shoqërore, derisa të mund të kuptonim “pse”.
Kurse media i ra shkurt, “u vranë për Facebook”. Publiku – kjo pasqyrë e medias që e informon – i ra shkurt dhe thjesht: “Ajo biba që u ankua te i vëllai se i kërkuan adresën e Facebook-ut”.
Mua nuk më duket edhe aq e thjeshtë. Në historinë me ca fierakë, disa vajza adoleshente dhe një vëlla psikopat, unë do doja të hiqja jashtë ekuacionit vajzat, dhe ta trajtoj këtë si një problem të gjinisë mashkullore. Ai krim është prej meshkujsh e me meshkuj. I pari është psikopati me kallash.
Djali me kallash
Njeriu mbetet pa fjalë kur lexon që një djalë fare i ri dhe shoku i tij, (nuk e kapa në media nëse dikush u mor me profilin shkollor të vrasësit – kam frikë se jo), të dy me një shkollim, pra, e punësim të dyshimtë, futen në një plazh dhe për çështje sedre (thonë pati grushte) nxjerrin kallashin nga bagazhi dhe grijnë me plumba gjithë plazhin, mes të cilëve 3 viktima të pafajshme.
Ky djalë, është produkt i drejtpërdrejtë i sistemit arsimor, i degradimit familjar dhe mbi të gjitha i mikrobotës së tij shoqërore. Djemtë si ky rriten duke dëgjuar tërë ditën biseda vrasjesh, sesi filani vrau atë e këtë, sesi filani 3 ditë në birucë nuk tregoi shokët, dhe duke adhuruar lloj-lloj mafiozësh që kanë bërë pará e sukses (Sukses? Po ja pra, pará…). Ai jeton në një botë ku sedra ngatërrohet me krenarinë, ku një fjalë goje shpërblehet me thika, dhenjë grusht me breshëri kallashnikovi. Mungesa e të ardhmes, bën që ai të mos ketë asgjë për të humbur, veç sedrës së lënduar. Dhe fap, ja ku del kallashi.
Nga ana tjetër, ai jeton në një shtet ku e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e të afërmin është vetëgjyqësia. Në momentin që po shkruaj, në lajme thonë se një mashkull kish marrë peng 2 të tjerë se i përdhunuan motrën e mitur. Jetojmë në një shoqëri ku femrat e pambrojtura janë detyrimisht të abuzueshme. Psikologjia “Berat ’97” vazhdon akoma. Ky djalë (pak rëndësi ka tashmë, shoku që shtiu apo vëllai i prekur në sedër që e urdhëroi të shtijë) është një vrasës, madje më keq, një vrasës i lig. Por, në fajin e tij nuk është vetëm.
Vajza mendjelehtë
Titujt e mediave, dukej sikur ta sugjeronin shkaktarin: Motra budallaçkë që fut në sherr meshkujt pse i kërkuan adresën e Facebookut. Për fat të keq, informacioni nga mediat na vjen kryesisht falë deponimeve të palëve në polici, ku secila palë – fierakët dhe vajzat – shtiret si një ëngjëll. Vetë media me ato tituj tenton t’i mëshojë banalitetit të ngjarjes, krijuar nga vajza. Por ashtu dhe publiku, ndjeva se e transferon “fajin” te vajza që u ankuaka te vëllai për dava Facebook-u. “Sa idiote”, “ja, ç’të bën femra”, “këto …llonjat”, “bibë”, etj., ishin përcaktime që qarkulluan në biseda e në blogje.
Finalja tragjike nuk na le hapësirë për t’u marrë me një fenomen social jo të vogël, që është pamundësia e një vajze të re apo një grupi vajzash të bëjnë të qeta jetën e tyre pa qenë nën shenjestrën verbale të “fierakëve”. I futa në thonjëza, sepse në këtë rast qëlluan fierakë, por shumë mirë mund të ishin dhe laçjanë, vlonjatë, tropojanë. Po vazhdoj t’u referohem si “fierakë” por pa thonjëza, pa dashur ta lokalizoj fenomenin. Para se të vij te vajzat e mbara e të mbrapshta, duhet të merremi pak me fierakët.
Fierakët janë shqiptarë, edhe kur janë të këqinj
Bëhet fjalë për shqiptarë të cilët nuk njohin pengesë para libidos së tyre. Do doja shumë që dikush të më sillte një shembull kur policia ndërhyn energjikisht nëse një vajzë ngacmohet verbalisht në rrugë. Duket, sikur këto nuk janë probleme rendi. (Një herë në jetën time kam tentuar të thërras policinë në ndihmë ndaj zhurmës së papërballueshme të fonisë së një dasme pranë shtëpisë sime, dhe përgjigja e policëve ishte “ça t’i bëjmë, ne i thamë njëherë. Ai [i zoti] e ngriti prapë [zërin]. Fundja, s’ka faj, ka dasëm!”)
Duket sikur policia është aty vetëm për t’u përgjigjur në rast vrasjesh e për të të detyruar të hapësh krahun në rrugë kohë e pa kohë. Shqetësimi verbal i një femre, deri dhe në kontakt fizik, në mentalitetin e shqiptarëve nuk është as krim e as problem. Aq më tepër, kur një grup vajzash kanë ardhur në plazh. Po t’i ngacmosh në rrugë, mund të bëjnë sikur s’dëgjojnë e të ikin me hap të shpejtë. Në plazh, njeriu shkon për të ndenjur, e jo për të ndërruar shezlongje çdo gjysëm ore. Le që, ku të shkosh? Ka fierakë gjithandej.
Duket sikur meshkujt shqiptarë nuk dinë (a nuk duan) të kuptojnë që të kesh çadrat ngjitur në plazh nuk do të thotë se ke të drejtën e miqësisë, e që vajzat nuk mund të ngacmohen sa herë që i sheh vetëm në shezlong, larg syrit a pranisë të meshkujve të afërt. As policia, as gjykata e as shoqëria shqiptare nuk e ka kuptuar akoma se “jo”-ja e një femre është “JO”, dhe se çdo abuzim verbal a fizik përtej kësaj JO-je është krim. Ky standard perëndimor është një detyrim, sidomos për ne që duam të asociohemi!
Për t’u kthyer tek situata në plazh, as policia e as të “zotët” e plazhit nuk të dalin në mbrojtje, e ku një femër mbetet e vetme ndaj agresionit verbal të fierakëve të përndezur, që minimalisht mund të jetë shqetësues, por mund të kalojë edhe në nevojën e tyre për të të prekur me dorë. Ndaj, o duhet ta lesh plazhin e të ikësh që të biesh rehat, o duhet t’u qahesh meshkujve të familjes.
Në të dy rastet, ajo që u kërkojmë ne femrave është të ulin kokën, të pranojnë dhunimin e të mbyllin gojën që të mos “krijojnë” probleme. Ato? Probleme? Madje, nëse një femër nuk tregohet aq e kujdesshme, menjëherë shoqëria (plus dhe femrat e tjera) ngrenë kurthin e kategorizimit.
Vajzat e mbara e vajzat e mbrapshta
Di histori femrash që kur janë në klube nate provokojnë meshkujt që pastaj të thërrasin në ndihmë dashnorët (shpeshherë burra të martuar) ndaj provokuesve. Duket, i eksiton adrenalina e burrave që rrihen për to. Di dhe histori femrash që janë përdhunuar e dhunuar, dhe nuk kanë guxuar të flasin, sepse faji do binte gjithsesi mbi to. Shoqëria jonë akuzon: “Vetë e ke fajin se veshe minifund”.
Sigurisht, rreth nesh ka vajza të mbara e të mbrapshta, por, e drejta e tyre është një dhe e vetme: Kur thonë “jo” është “JO” dhe kushdo që e kalon këtë cak, ka bërë krimin/fajin fillestar. Me dashnorët e ndezur e luftarakë të vajzave të mbrapshta, le të merret ligji a bodigardët e lokalit, por shoqëria jonë duhet të ketë vetëm një standard për femrën – atë ku ajo, qoftë “e mbarë” apo “e mbrapshtë” ka garanci ligjore se është e mbrojtur dhe garanci shoqërore që nuk do jetë apriori e paragjykuar.
Prapë për fierakët
Jetojmë në një shoqëri ku njerëzit vriten për një gardh. Ne merremi me vrasësit, duke neglizhuar shkakun – gardhin. Pse prona është aq jashtë ligjit, sa askush nuk di ku janë gardhet? Pse jeta e dy fiseve varet vetëm nga ai gardh? Zgjidhja e këtyre dy pyetjeve, do të zgjidhë dhe krimet për një vijë uji.
Po jetojmë në kohën e një genocidi ndaj femrave. Po i vrasin përditë, në sytë tanë. Vrasin? Jo, po i therrin si dele. Ngaqë u kemi kërkuar non stop, që sa lindin, që të sillen si vajza “të mbara”. Të mbyllin gojën, të ulin kokën, e të mos i ankohen njeriu kur abuzohen.
revista KLAN