TemA, 13 Gusht 2013
Deputeti socialist, Taulant Balla, ka akuzuar krerët e Ministrisë së Mbrojtjes se kanë kryer krime dhe kanë vjedhur pasurinë e Forcave të Armatosura, me justifikimin se po shesin skrapin e armëve të papërdorura.
Anëtari i kryesisë së PS-së, deklaron se Arben Imami dhe drejtuesit e tjerë do të hetohen gjerësisht për këto abuzime. Në një shkrim të tijin, të postuar në rrjetet sociale, deputeti socialist përshkruan me detaje të gjithë këtë proces.
“Ministria e Mbrojtjes synon të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura.
Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim.
Nga konsultimi me ekspertë, vlera fillestare e shitjes është shumë herë më e ulët se sa vlera reale e tregut. Gjithashtu, dihet se fitues i këtij tenderi të radhës do të jetë e njëjta kompani, e lidhur ngushtë me Arben Imamin, tek e cila Ministria e Mbrojtjes vjel përqindjen çdo muaj.
Tenderi do të mbahet më 26 gusht, në orën 10:00, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të dorëzohen edhe ofertat. Por shitja për skrap e avionëve, helikopterëve dhe e mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë.
Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar të shesë për skrap edhe dy anije silurkapëse dhe një tjetër polumbare. Ministria e Mbrojtjes synon të shesë anije për përdorim jo ushtarak, të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura.
Një vit më parë, Ministria e Mbrojtjes nxori në shitje nëntë avionë ushtarakë të Forcave të Armatosura Shqiptare, prodhim kinez.
Në emër të skrapit, në këto 8 vjet janë kryer veprime shumë të errëta me pasuritë e Ministrisë së Mbrojtjes. Në emër të skrapit, Shkëlzen Berisha dhe Fatmir Mediu, vranë 26 njerëz në Gërdec.
Në emër të skrapit, Shqipërisë i janë vjedhur qindra milionë dollarë armatim, i raportuar skrap dhe i shitur vendeve në konflikt, duke shkelur ligjet ndërkombëtare. Shqipëria është i vetmi anëtar i NATO-s, ndaj të cilit OKB-ja ka kryer hetime për trafik ndërkombëtar armesh në Libi dhe vende të tjera në konflikt.
Arben Imami dhe drejtues të tjerë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen gjerësisht për këto abuzime shkatërruese për ushtrinë dhe ekonominë e trashëguar të Ministrisë së Mbrojtjes”, shkruan ai./A.XH