Risitë me qeverinë e re

0
38

Arben Çokaj, Shqiperia-etnike.com, 8 gusht 2013

Pas një fushate relativisht të mirë dhe të qetë, koalicioni i majtë për Shqipërinë evropiane fitoi bindshëm. Shkodra e konsideruar si bastion i PD-së, më shumë se kishte një grup kriminal, që gjithmonë e deformonte votën në Shkodër, sesa shkodranët votonin PD-në, e përmbysi gjithashtu rezultatin. Shkodra iu bind kështu orientimit Evropian të vendit, si pjesa tjetër e Shqipërisë, ku u votua ndjeshëm koalicioni i PS-së. Shkodra pra, nuk u nda nga pjesa tjetër e Shqipërisë në trendin e votimit dhe kjo ishte një shenjë e civilizimit të elektoratit shkodran.

Edi Rama kishte mbajtur një fushatë dinjitoze me premtime të besueshme dhe shkodranët, si pjesa tjetër e elektoratit të civilizuar në Shqipëri, treguan se vota ka kuptim dhe nuk shkojnë me krye në thes si militantët, për të votuar një parti të caktuar, në të mirë e në të keq, por votojnë sipas interesit më të mirë për vendin. Shkodranët zgjodhën kësaj here alternativën e majtë, pa dashur të injorojmë me këtë rast edhe mekanizmat që përdoren gjithmonë në fushatë për mbledhjen ose blerjen e votës, mekanizma të cilat nuk ka dyshim që ushtrohen fatkeqësisht nga të dyja palët, gjë që duhet të vijnë duke u ndalur përfundimisht.

Por ashtu, siç e bëri fushatën Rama, ashtu edhe fitoi, me një fitore të thellë, që habiti edhe më optimistët dhe i kaloi në një shock emocional edhe Partinë Demokratike, e cila e parandiente një humbje të mundshme, por jo kaq të thellë. Hapja e kutive në Lezhë tregoi se kishte patur disa manipulime në procesin zgjedhor, edhe Shkodra gjithashtu. Por në Shkodër rezultati nuk u ndryshua as me hapjen e kutive, gjë që tregoi se procesi zgjedhor në Shkodër ka qenë relativish i rregullt, për kushtet e Shqipërisë.

Qeveria në ikje Berisha, mund të shënojë një rekord në këto 23 vjet, për shkallën e lartë të korrupsionit, të krimit të organizuar, të vrasjeve, të papërgjegjshmërisë së organeve shtetërore, të futjes së elementeve kriminale në struktura drejtuese të policisë dhe të shtetit, të tjetërsimit të realitetit, të gënjeshtrave dhe premtive të pambajtura, etj. Qeveria Berisha ua solli shqiptarëve në majë hudës me borxhin e madh publik, ndërtimet pa leje, varfërinë ekstreme si dhe çmimet e larta në treg. Ndaj dhe u ndëshkua me votën e lirë.

Ndërsa që në fillim, qeveria Rama e sapo-krijuar këto ditë, shënoi mjaft risi. E para, nuk ka elementë në qeveri të përfolur për afera korruptive, apo si fuksa të sigurimit të shtetit. Ka një numër të konsiderueshëm femrash ministre, shumica e të cilave janë femra me një nivel të lartë intelektual dhe të sprovuara në punë drejtuese, që kanë dhënë rezultate në punë. Qeveria ruan më mirë se kurrë edhe një ekuilibër fetar brenda saj, përveç se ka edhe një ekuilibër në mes gjinive, si asnjë qeveri tjetër para saj. Nëse qeveria Berisha kishte vetëm një femër shashkë, ministren e integrimit Majlinda Bregu, një gënjeshtare e falsitetit të lartë, 6 ministret e qeverisë Rama, nuk përmenden për mungesë korrektese, janë femra serioze, që shpresoj ta nderojnë edhe qeverisjen e vendit.

Qeveria e re tregon se Edi Rama e ka marrë shtetin seriozisht, ashtu siç edhe pati premtuar gjatë fushatës. Jo vetëm qeveria me risitë e moshën e saj relativisht të re të ministrave, por edhe krijimi i insitucioneve të tjera të vendit, si Byroja kombëtare e anti-krimit, etj. do i shërbejnë vendit tonë, për t’u paraqitur seriozë para elektoratit shqiptar dhe para ndërkombëtarëve. Do na ndihmojë ne si vend për të qenë normalë në mesin e vendeve të zhvilluara evropiane. Se në Evropë shkohet vetëm duke rritur standardet e qeverisjes dhe të jetës në vend, standarde që i duhen popullsisë sonë në radhë të parë, por që na japin mundësi edhe të bëhemi pjesë jo-problematike e familjes së madhe evropiane.

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri , kërkonte këto ditë sugjerime në lidhje me prefrencat e qytetarëve për policinë e shtetit. Unë do i sugjeroja atij, që policia e shtetit do duhet të jetë më e rregullt dhe të trajtohen me më korrektesë punonjësit e policisë, qoftë me uniformat më serioze, qoftë edhe me rrogat më të larta dhe po ashtu, të mos nxirren në rrugë, si roje rruge, por të lëvizin me mjete të motorrizuara, duke e ndjekur krimin apo shkeljet ligjore në lëvizje, aty ku krimi ndodh.

Do kisha sugjeruar gjithashtu që Policia të bëhet më operative, duke e shpërndarë atë në 2-3 rajone të vogla, me një numër të caktuar policësh në qytet, në mënyrë që nëse krimi ndodh diku, policia të mbërrijë në vendngjarje sa më shpejt të jetë e mundur. Po kështu, policia duhet të veprojë në rrugë operative për të parandaluar krimin, që të ndodhë dhe të mos bëhet si vegël qorre në duart e ndonjë politikani, siç ndodhi në qeverisjen e mëparshme, ku Jozefina Topalli, Ramiz Çobaj etj. e përdornin policinë për presione politike ose për të kënaqur perversitetet e tyre, duke inskenuar skena përgjimi e përndjekjeje kundër kundërshtarëve, kritikëve apo konkurrentëve të tyre. Dhe në fund humbën!

Një herë, në një rast, m’u desh të shkoja në rajonin e policisë në qytetin Metkoviç të Kroacisë, i cili ndodhet disa kilometër larg fushës së Bllacës. Dera e rajonit të policisë ishte prej xhami, dhe mund të hyje aty, sikur hyn në një dyqan të rastësishëm. Se këtu tek ne, edhe shkollat e shtëpitë janë të rrethuara me mure, apo kangjella, e jo më rajoni i policisë! Pra, të përpiqemi të arrijmë standardet e vendeve që kanë qenë më afër kushteve tona dhe kanë hyrë në BE, duke e bërë edhe policinë sa më civile dhe sa më afër e në shërbim të qytetarëve.

Ideja e ministrit të ri të brendshëm, Sajmir Tahirit për të pyetur qytetarët, si e doni policinë e shtetit, tregon në mënyrë taktike, dëshirën e tij, që policia të jetë më afër qytetarëve, se tek kapelja e policit, qytetari i thjeshtë shikon shtetin. E zbaton polici ligjin, edhe shteti duket më serioz! Jo se ministri i brendshëm nuk di ta organizojë policinë, pasi ai ka shembuj sa të duash të policive në shtetet Perëndimore, të cilat mund t’i marrë si shembull në reformimijn e policisë sonë, dhe vënien në eficiencë të kësaj policie, duke i dhënë respekt figurës së policit, duke e vlerësuar atë dhe duke i kërkuar llogari për zbatimin në çdo rast të ligjit, dhe asgjë tjetër, përveç ligjit.

Qeveria e re nuk duhet paragjykuar, siç ndodh rëndom në kulisat e partisë opozitare. Nuk duhet paragjykuar as nga media, dhe as nga shoqëria. Se është krijuar një psikologji këtu në Shqipëri, ku çdo gjëje duam t’ia gjejmë bishtin, si në telenovelat e lira latine apo turke. Jeta reale nuk është telenovelë. Ashtu siç ia dhamë shansin si popull Edi Ramës të vijë në pushtet me partinë dhe aleatët e tij, ashtu duhet t’ia japim shansin atij edhe të punojë dhe të shohim më pas se si i ushtron ai dhe qeveria e tij detyrat e marra përsipër, në rrugën tonë të pakthyeshme drejt Evropës. Le të vlerësojmë më pas punën dhe jo gunën e kryeministrit të ri dhe të qeverisë së re. Integrimi evropian kërkon standarde, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga shoqëria jonë, kërkon edhe nga shqiptarët, të sillen si evropianë dhe me mentalitet evropian.