Realpolitiku Rama

0
44

Nga Dritan Hila, 08/08/2013

Nëse kundërshtarët politikë të Edi Ramës e kanë akuzuar për mungesë dimensioni në politikën e jashtme, Rama i zhgënjeu dhe brenda dy javëve, zhvilloi tur diplomatik në kryeqytetet e partnerëve kryesorë rajonalë të Shqipërisë. Është rrugëtim që kryeministrat shqiptarë e ndërmarrin pasi votohen në parlament, por Rama shfrytëzoi kohën e parashikuar për ankesat e zgjedhjeve, dhe realizoi axhendën diplomatike.

Vizita e parë si kryeministër i zgjedhur në fqinjin apenin, është Meka e çdo kryeministri shqiptar, për të treguar orientimin tonë perëndimor, përparësinë në marrëdhëniet politike, preferencat në ato ekonomike dhe njëkohësisht mirënjohjen njëqindvjeçare ndaj Italisë si shteti që kontribuoi në pavarësinë tonë, dhe gjendjes pranë sa herë kemi probleme në rrugën tonë kaotike drejt lirisë. Nuk mund të thuhet se Italia është entuziaste ndaj “protezhesë” ballkanase. Paqëndrueshmëria politike, ekonomia që prodhon me shumicë emigrantë, dhe klasa politike provinciale, do të kishte lodhur edhe më durimmadhin. Por pritja me axhendë të plotë që i bënë Edi Ramës në Romë, tregon lindjen e dyshimit në pallatet vendimmarrëse italiane se diçka mund të ndryshojë në Tiranë.

Risia e turit diplomatik të Ramës, është vizita në Turqi përpara asaj në Greqi, lëvizje që kundërshtarët nxituan ta etiketojnë antieuropiane; dhe cilësimin e Turqisë nga Rama si “aleat strategjik”, diletantesk. Kur komenti vjen nga politikanë të shquar për cektësinë e mendimit, atëherë sqarimet, janë harxhim boje. E kundërta është e vërtetë: Rama i ka dhënë të drejtën vetes të bëjë i pari lëvizjen e gurëve në skakierë. Ka treguar se do të jetë ndryshe nga një klasë politike shqiptare që më shumë ngjante regjente e interesave të huaja se përfaqësuese e atyre shqiptare. Ka nisur mesazhin, se nëse duan marrëdhënie, atëherë duhet të jenë joshës. Turqia është vend anëtar i NATO-s, fuqi rajonale ushtarake, me ritme zhvillimi kineze, në ekspansion ekonomik dhe pa interesa territoriale ndaj nesh.

Nëse Turqia do ekspansion në Ballkan, Shqipëria nuk është kundër, mjaft që kjo të mos përfaqësohet vetëm me serialet e Sulejmanit të Madhërishëm dhe nostalgjitë neo-otomane. Para së gjithash duhet të ofrojë investitorët me xhepat plot. “Paraja nuk mban erë”, thoshte dikur perandori romak Vespasjan. Me sa duket, për Ramën, nuk ka rëndësi se nga cili kryeqytet vijnë investitorët, mjaft të jenë seriozë. Nostalgjikët e rrugës shqiptare, që shkon në Bruksel duke kaluar nga Athina, kanë qarë hallin e kësaj lëvizjeje të Ramës si shitje e interesave europianiste të vendit. Asgjë më pak të vërtetë nuk ka se këto supozime. Memoria jonë diplomatike, i mban mend Greqisë bllokime të vazhdueshme të programeve të BE-së nëse Shqipëria nuk ishte e përkulshme ndaj kërkesave të ekzagjeruara të Athinës.

Rama është sjellë si “realpolitiker”. Mesazhi ka qenë i thjeshtë: “Nuk keni para për investime, nuk keni mundësi të mbani emigrantët, nuk mundeni të ndihmoni në Bruksel të cilit i jeni kthyer në pengesë për vete, atëherë unë po i shikoj tjetërkund interesat e mia”. Është sjellje prej manuali, i çdo politikani që në karrigen e kryeministrit është për punët e vendit. Por që ka ndodhur rrallë në Shqipëri.

Lënia e Athinës në fund të turit, ishte mesazh i tërthortë për diplomacinë greke. Dihet se qeveria e re do të ketë dy probleme me fqinjin e saj jugor sapo të instalohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”: shkruarjen e toponimeve në pasaportë dhe famëkeqen “Marrëveshje për Shelfin Detar”, të dyja peshqesh nga kuislinkizmi i qeverisë që shkoi. Toponimet, janë një problem që ka ekzistuar që prej hapjes së kufijve, por pala greke vetëm tani e ngre me forcë. Më shumë se problem, ngjan “karamele” që do t’i ofrohet si lëshim palës sonë në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që ne të lëshojmë në kilometra detarë. Kjo seri takimesh të Ramës, ishte sinjal për Athinën, se Shqipëria në tryezën e bisedimeve, ka hapësirë dhe oferta për të luajtur si shtet sovran. Marrëveshja për detin, është problematikë e cila do ta vështirësojë shumë jetën e qeverisë së re në raport me fqinjin e jugut, akoma më komplekse nga nënshkrimi prej qeverisë që shkoi. Por do jetë edhe një lakmues i sovranitetit të qeverisë që po vjen.

Me vizitat që sapo zhvilloi, Rama dëshmoi se në tetë vjet opozitë, ka mësuar peshën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe të jetë lojtar sulmues. Ekonomia do të jetë sfida më e madhe. Por edhe vazhdimi i proceseve diplomatike ngjan se do të jetë interesant.