Kontroll ndërkombëtar xhepave të “Berishës”? Pse jo!

0
45

Nga Bardhi Sejdarasi*, 7 Gusht 2013

Përballë artikulimit të qartë të një skeme për kontrollin e financave publike, të bërë me dije nga kryeministri i zgjedhur z. Edi Rama, ditët e fundit janë vënë re reagime të ndryshme, disa herë mjaft të ashpra. Reagimet janë shfaqur nga të dy krahët politike, e majta dhe e djathta. Më gjatë është marrë me këtë skemë të prezantuar kryeministri (deri në shtator), z. Berisha. Kur ky i fundit nënvizoi dy ditë më parë se “financat shqiptare janë financat më transparente, çdo qindarkë që hyn në buxhetin e këtij vendi, kalon nëpërmjet sistemit bankar dhe është lehtësisht e kontrollueshme dhe e publikuar ku çdo qindarkë që shpenzohet, shpenzohet nëpërmjet thesarit të cilin mund ta lexojë çdo qytetarë shqiptarë online”” etj, etj, sepse m’u kujtua e njëjta deklaratë e tij e bërë për paratë e shqiptarëve në fillimvitin e tmerrshëm 1997 dhe që i referohej piramidave të mashtrimit financiar. Histori, si shumë histori të Berishës. Po nuk kam shumë dëshirë të flas për kryeministrin në detyrë deri në shtator…

Tjetër gjë është kjo që dua të shkruaj. Kjo ka të bëjë me debatin profesional se a duhet një auditim i financave publike, kush duhet ta bëjë dhe si. Dhe a mund të jetë kjo pjesë e një kompania ndërkombëtare private? A ka shembuj të tillë? Së pari iu citoj: “Sistemi i kontrollit të brendshëm të financave publike (KBFP) lidhet me të gjitha aspektet e operacioneve menaxheriale dhe politikave – e jo veç me aspektet financiare. Menaxhimi i fondeve, nuk ka të bëjë veç me shpenzimin e parasë – por edhe me… pranimin e parave, mbrojtjen e pasurisë dhe detyrimeve, si dhe kthimin e shumave të paguara gabimisht. … KBFP ka të bëjë me shpenzim të mirëfilltë”- ky postulat i ekspertit të njohur të kontrollit të financave publike, Robert Gielisse, jep një përgjigje shteruese për debatin e sotëm lidhur me nevojën e këtij kontrolli.

Më tej akoma: Një histori italiane

Ishin alarmuese thirrjet e bërë nga Gjykata e Llogarive në Itali dhe nga Brukseli. Financat italiane gjendeshin midis gabimeve, të dhënave që nuk përputheshin dhe rregullave të dhunuara. Ajo që e ka bërë të kthehet tërësisht aktuale gjendja e rënduar e llogarive publike ose për të përdorur fjalët e ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Fabrizio Saccomanni, “ndërlikueshmëria’ e llogarive publike italiane si dhe administrimi pak transparent i ministrisë përkatëse, bën fjalë për 8 miliardë euro humbje të mundshme për bilancin e shtetit për shkak të një operacioni rinegociimi të kontratave të vitit 2012. Historia e njohur, edhe pse e bezdisshme, ka bërë që të flitet shumë për të.

Por gjithashtu është shumë serioze, kur mendohet që asaj iu kushtua një analizë e gjatë në dt 27 qershor 2013 nga Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Llogarive, Salvatore Nottola, në prezantimin e llogarive të përgjithshme të shtetit për vitin 2012; Konkluzioni: “Përveç analizave të përgjithshme të bilancit, një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar mjeteve financiare që përdoren në analizën e llogarive e në mënyrë të veçantë, mbi borxhin publik” dhe se “Gjykata e Llogarive ka qënë gjithmonë kritike kundrejt transparencës së ulët të llogarisë së përgjithshëm të shtetit”. Kur kjo thuhet në Itali, si analizohet gjendja në Shqipëri, po të gjykosh për performancën shqiptare të KLSH (homologe e Gjykatës së Llogarive në Itali), apo strukturat audituese në njësitë shpenzuese të fondeve publike në Shqipëri?

Disa pyetje për transparencën

Si janë duke evoluar mbetjet (shpenzime të bëra, por akoma të papaguara, hyrje fiskale të siguruara, por akoma të papara), të cilat shumë herë llogaria e përgjithshme e shtetit nuk është në gjendje t’i detajojë, ose të tregojë me detaje rrugën se si është arritur deri këtu; apo për hyrjet e kontabilizuara/ të përllogaritura si të fituara (por në fakt nuk janë marrë/siguruar); për bilancin që del me shumë të ndryshme nga sa është bërë preventive etj, etj. Thënë më thjesht: Sa transparente janë këto llogari?

Le të marrim borxhet e administratës publike kundrejt privatëve. Sa janë? Qeveria flet pak për këto borxhe. Sipas saj, në fund të vitit që shkoi, (sipas të dhënave nga Ministria e Financave), borxhi i biznesit ndaj qeverisë kap shifrat e 70 miliardë lekëve. Vetë qeveria i detyrohet biznesit me rreth 200 milion euro. Banka e Shqipërisë bën thirrje që qeveria të shlyejë urgjentisht borxhet ndaj biznesit. Detyrimet e pashlyera që qeveria i ka biznesit kanë rishfaqur në ekonomi sistemin e kleringut dhe fajdeve. Mediat jep shifrën e lartë të 300 milionë eurove. Edhe pse nuk ka një faturë të saktë për borxhet e qeverisë, nga raportimet e biznesit vlerësohet se shuma arrin në rreth 200 milionë euro, ku pjesa më e madhe është në sektorin e ndërtimit. Borxhet kanë përfshirë muajt e fundit edhe shërbimet. Le të marrim si shifra të mira këto të shoqatave. Sa për qind të shpenzimeve aktuale të administratës sonë publike i korrespondojnë këtij borxhi?

Shkojmë më tej: KESH u mbetet borxh kompanive që menaxhojnë HEC-e të vegjël jo më pak se 12 milionë dollar për çdo muaj! Zinxhiri i borxhit mes operatorëve të energjisë është ku e ku! KESH pretendon 450 milionë dollarë nga CEZ. Administratori shtetëror i CEZ thotë se janë vetëm gjysma e tyre dhe shton se “borxhet janë shlyer në masën e 181 milionë dollarëve dhe janë gati në mbarim”. Këtu e vërteta bëhet e vështirë, pasi dy institucionet japin shifra të ndryshme mbi detyrimet. E njëjta gjë për rimbursimin e TVSH: askush nuk e di saktë se sa para ta papaguara janë në kontot bankare të kompanive që ligji iu njeh rimbursimin.

Thuhet miliona euro! Nuk ka një shifër publike për shumën e mos pagesave ndaj biznesit privat. Nuk ka një shifër konkrete për borxhet në rritje të kompanive publike, që ato marrin nga bankat private për të mbuluar krizën e tyre të likuiditeteve. Nëse është e vërtete që rreth 80 % e kredive të KESH ndaj bankave të nivelit të dytë janë në overdraft, kjo do të thotë që borxhi i saj ka një kosto të lartë, që rrezikon kompaninë dhe borxhin publik. Nga 872 miliardë lekë borxh të arritur deri në qershor të 2013-s, kur i gjithë plani është për 890 miliardë, rreth 500 miliardë është hua e brendshme, pra që është marrë te bankat vendase dhe individët. Vetëm në tre vjet, borxhi është rritur me afro 2 miliardë dollarë! Kur do t’i mësojnë shqiptarët se si janë përdorur këto shifra?

Përveç auditimit, një tjetër skanim

Por ajo që synohet nga qeveria e re dhe që ka të bëjë me reformën e raportimit financiar të financimit publik, pra edhe me transparencën është pjesë edhe e një tjetër “skanimi” që pritet t’i bëhet financave shqiptare nga ekspertë të FMN dhe BB dhe që ka të bëjë me Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) (një kontroll i dyfishtë, për të vlerësuar stabilitetin e sektorit financiar dhe kontributin e tij potencial për rritjen dhe zhvillimin ekonomik). Me këtë mesa duket ngatërrohet kryeministri në ikje, kur thotë se është duke u shkelur Kushtetuta me propozimin për auditimin e financave nga kompani të huaja.

Analiza e fundit për sistemin financiar shqiptar është bërë në vitin 2005 dhe prej atëherë nuk ka asnjë raport të këtij lloji. Sikurse vlerësojnë ekspertët e fushës bazuar në këtë program, “shqyrtohet qëndrueshmëria e sistemit bankar dhe sektorëve të tjerë financiare, norma dhe cilësia e bankës, sigurimeve dhe mbikëqyrjen e tregut financiar ndaj standardeve të pranuara ndërkombëtare dhe aftësia e mbikëqyrësve”.

Sipas burimeve, ky projekt-analizë kryhet në të gjitha vendet anëtare të këtyre institucioneve financiare. Ky “skanim” i sektorit financiar është mjaft i rëndësishëm për të bërë një diagnostikim të plotë të shëndetit financiar dhe makroekonomik të ekonomisë tonë”. Por jo tamam edhe për të kontrolluar xhepat e një qeverie në ikje, sidomos kur asaj i mungon transparenca, veçanërisht në raport me publikun.

“No taxation without representation”, ose Anglia e viteve ‘1000

Që të flitet për transparencë nuk do të thotë vetëm të diskutosh për numrat dhe rregullat kontabël, por për thelbin e vetë shtetit demokratik dhe për marrëdhëniet e tij me qytetarët. Thuhet që e drejta kushtetuese ka lindur në Angli, në agimet e vitit 1000. Atëherë feudalët e mëdhenj me thirrjen “No taxation without representation” (Jo taksë jashtë përfaqësimit) i imponuan mbretit kontrollin e llogarive publike. Po në Shqipëri në ç’pikë jemi? Në Ministrinë e Financave përqendrohet çdo pushtet duke i dhënë jetë figurës së “i kontrolluar-kontrollues”. Kush vendos për politikat e bilancit? Ministri.

Këtë e bën në bazën e përpunimeve të strukturës së brendshme, që më pas ia komunikon Kuvendit. Kush i kontrollon rezultatet? Gjithmonë ministri. Vërtet çfarë do të auditojë auditori…? Dhe kontrollet e KLSH-së, siç e dimë, konsiderohen (nga ana e ministrit) më pak se një panine e nxehtë. Pra në fakt ka një shqetësim, që duhet marrë në konsideratë. Dhe që kërkon transparencë. Sipas ligjit shqiptar: ”Vizioni i Auditimit të Brendshëm është t’i shtojë vlerë organizatave të sektorit publik në Shqipëri duke siguruar përdorimin me dobi, kursim dhe frytshmëri të fondeve publike”. A e bën dot këtë gjë sistemi i sotëm i strukturave audituese në njësitë shpenzuese të fondeve publike në Shqipëri? Apo thjesht dhe vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, sikundër këmbëngul ish Ministri i Financave, Malaj?

Për të parë se çfarë ka dalë nga kontrollet e brendshme të financave publike, mos u lodhni shumë: Hidhini një sy raportit të veprimtarive audituese (janar-qershor 2013) dërguar ministrit Bode dhe do të shihni: “Për periudhën raportuese, 6 mujori i parë i vitit 2013, zbulimet në vlerë janë rritur në mënyrë të pakrahasueshme me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme, përkatësisht nga 154.35 miliardë lekë në vitin 2011, dhe 191.6 miliardë lekë në vitin 2012, gjetjet në vlerë për parregullsi dhe dëm ekonomik në periudhën raportuese kanë arritur në rreth 500 milionë lekë”. Ku ishe? Hiç gjëkundi- i thonë kësaj! Kjo mungesë në respektimin e rregullave kontabël ka sjellë si pasojë humbjen e “memorjes historike” të bilancit të shtetit, aq sa tashmë është e pamundur për të rindërtuar historinë dhe për të vlerësuar nëse zëra të tillë janë të besueshëm apo jo.

Shqetësimet e financave publike dhe Komisioni Europian

Që këto shqetësime nuk janë të tepërta tregohet edhe nga vendimet e marra pak kohë më parë në nivel europian. Vendimet lidhen me një nyje gjithashtu shumë të ndërlikuar. Qysh vitin e ardhshëm (2014) kontrolli i të gjithë agregatëve të bilancit të n jë shteti anëtar (hyrjet dhe shpenzimet, si në qendër ashtu edhe të enteve lokale) duhet të kalojë në duar e Këshillit Fiskal (Fiscal Council). Nuk ka pse të mos e kemi edhe në në Shqipëri në këshill të tillë.

Ashtu sikurse në një ndërmarrje private ka përgjegjës të administrimit të kontabilitetit, ka edhe shoqëri revizioni, kolegj sindikalist, të njëjtën gjë do të kemi në shtet, pra më në fund një ndarje të pastër midis atij që administron materialisht llogaritë dhe atij që i kontrollon ato në kohë reale. Në nivel ndërkombëtar praktikat e mira të predispozitave të bilancit të shtetit janë. Çfarë presim t’i adoptojmë edhe ne atëherë? Një kontabilitet publik transparent është sinjali i parë dhe më i rëndësishëm i besueshmërisë që mund t’i japim tregjeve. Reforma e reformave, nëse duam që ky vend vërtet të ndryshojë. Ky duket thelbi i skemës së Ramës për të siguruar transparencën financiare të “Berisha 1+2”, por edhe për të “sistemuar” të vetët në vitet që vijnë…

*JAVA