Nga Lorenc Vangjeli, 4 Gusht 2013
Eshtë një ushtrim i lehtë të bësh identikitin e fytyrës së opozitës së nesërme. Mjafton të kujtohet mënyra e djeshme e të bërit opozitë nga Berisha, mjafton të lexohen sinjalet e para që ai ka lëshuar në këto ditë të fundit të pushtetit të tij dhe mjafton të dëgjohet dhe kryetari i ri i PD-së Lulzim Basha, për të kuptuar se tipari kryesor i opozitës së nesërme do të jetë agresiviteti dhe kundërshtia totale ndaj gjithçkaje që do të bëjë qeverisja e majtë e vendit. Do të kritikohen edhe punët e mundshme të mira të saj dhe do të mallkohen deri në shtatë breza edhe punë të mundshme të liga.
Eshtë proverbiale një batutë e kryeministrit Berisha e tre viteve më parë, kur Shkodra zhytej nën përmbytjen e saj të pestë rradhazi: “Kjo opozitë është e butë. Të kishin ndodhur përmbytjet në qeverisjen e tyre unë do t’i kisha marrë me gjithë tavolinën e qeverisë dhe do t’i mbysja në Bunë”, kishte thënë atëherë Berisha, po në tryezën e qeverisë. Dhe me gjasa ashtu do të kishte ndodhur. Edhe pse e majta është demonstruar në vijimësi shumë më vulnerabël përballë kundërshtarit, edhe pse PD-ja ka në indin e vet, në gjak, mish e eshtra, një ADN klasike force dhe arrogance që ja jep arroganca e forcës së rrugës dhe turmave që derdhen në rrugë.
Betejat e ardhshme politike do të kenë dy fytyra.
E para do të jetë ajo e kuruara me kujdes, e veshur me kostume, nën projektorët e kamerave dhe kondicionerët e sallës së Kuvendit. Do të jetë e ashpër. E përjavshme. Pak a shumë si opozita socialiste dje. Por do të jetë edhe një betejë e vështirë. Me një kryetar de jure si Basha që është jashtë sallës së Kuvendit dhe me një kryetar de facto si Berisha, ajo do të jetë e përzierë dhe me shije si produkt të përzjerash. Së paku në muajt e parë të qeverisjes, përjashto ndonjë të papritur, Berisha me gjasa do të jetë mysafir i rrallë i Kuvendit. Rreshti i dytë i anës së djathtë të Kuvendit i rri ngushtë në shpatulla burrit që e ka zotëruar atë sallë që nga momenti i parë që hyri aty në vitin e largët 1991. Tani, përveçse kohët kanë ndryshuar, ai është edhe më i lodhur, më i konsumuar nga qeverisja tetë vjeçare dhe më i pamotivuar përballë një kundërshtari që e mundi përtej çdo pritshmërie.
Basha vetë do të jetë i zënë sa me punët e bashkisë së Tiranës, sa me andrallat që do t’i shkaktojë parlamenti i kryeqytetit ku PD është sërish pakicë, po aq dhe me ruajtjen dhe mbajtjen e ekuilibreve të brishtë që i dhanë postin e kryetarit të PD-së. Pjesa më e madhe e ish-ministrave të djathtë, gjithashtu janë të pamotivuar dhe shumë nga ta, kanë nisur që tani të shkelin syrin nga pak majtas. Me pak servilizëm klasik ballkanas përballë kundërshtarit të fortë që i ka përgatitur secilit nga një dosje me hynere shumë milionëshe korrupsioni, një shkelje syri nuk bën kurrë keq. Edhe pse më mirë se kushdo tjetër, se çfarë kanë bërë në tetë vjet qeverisje, e dinë ata vetë: në të gjitha rastet, mëkatet i njeh më mirë vetë mëkatari!
Edhe mbështetësit “e heshtur” të Olldashit dhe Olldashi vetë, që ndjehen të tradhëtuar nga gara e parë në PD, me gjasë nuk kanë motivin e fortë të opozitarizmit. Pjesa tjetër që mbetet në Kuvend, edhe nëse do të kishte dëshirën e mirë, thjesht nuk do të mundtte të bënte opozitarizmin. I zgjodhën në listë për gjeneralë, tani që duhen ushtarë për të luftuar, mund të shihet se pak nga ta i njohin armët e betejave politike.
Fytyra e dytë e opozitarizmit do të jetë rruga. Ajo ka qenë gjithmonë shiringa me amfetaminë e PD-së që i jepte adrenalinë asaj vetë dhe trulloste kundërshtarin. Do të duhet fare pak, një premtim elektoral gjysëm i mbajtur, probleme me furnizimin me energji elektrike apo larg qoftë, ndonjë dush nga qielli për Shkodrën me rrethina, që në Shkodër dhe Tiranë të shpërthejnë protesta me sloganin: ikni komunistë! Edhe pse në qeverinë e re të majtë, duke nisur që nga kryeministri i saj, askush nuk ka qenë asnjë ditë komunist. Por pak kush e ka njohur dhe shfrytëzuar më mirë psikologjinë e turmave sesa ekstremet, fashizmi dhe komunizmi. Dhe këtë lloj njohuri askush më mirë se Doktor Berisha nuk e njeh në Shqipëri. Aty ku Rama vendoste muzikë klasike për të përkujtuar kasaphanën e përgjakshme qeveritare të 21 Janarit, Berisha me siguri do të vinte muzikën e daulleve të luftës dhe tingujt e bazukave e këngën e kallashnikovëve.
Eshtë kjo mënyra më e mirë për të bërë opozitë në kushtet e sotme të vendit dhe në konfigurimin e ri politik? Kjo vlen të arsyetohet, por me shumë gjasa, jo! PD, të paktën në vështrim të parë do të fitonte më shumë nëse i jepte kohë vetes që të harroheshin tetë vjetët aspak të lavdishëm të qeverisjes së saj. Pak a shumë si një qengj që qetësisht fiton më shumë qumësht. Por PD nuk ka qenë kurrë e tillë. Ndaj ajo është e dënuar që edhe pse me forcën parlamentare të qengjit, të veshë në çdo çast kostumin tradicional të saj, kostumin e ujkut të egër politik. Edhe pse me qime të rëna, bisht e qafë të rrjepur dhe një dhëmb lëvizës të mbetur ende në gojë, por që mund të kafshojë njëlloj. Siç thoshte dikur Hoxha i komunistëve për imperializmin amerikan. Siç e besonte dikur edhe vetë Doktori ish-komunist i viteve të fundit. Siç shpreson e lutet sot që ai dhëmb të ngulet fort në lëkurën e Ramës.