Për ata që mbrojnë “fitoren e thellë”

0
72

Nga Mero Baze, 27 Korrik 2013

Ka dy kategori njerëzish brenda Partisë Demokratike dhe rrotull saj, që kanë një pritshmëri të madhe ndaj Lulzim Bashës. Të parët, brenda partisë, janë kryesisht njerëz inferiorë, të paplotësuar politikisht, që nuk kanë mundur realisht të gjejnë veten në ndonjë pol pushteti brenda asaj partie, edhe pse kanë vite aty. Fati i tyre në fakt është i dhimbshëm nga pikpamja e sakrificës njerëzore dhe sociale. Duke qenë se kanë qenë brenda PD-së dhe janë përpjekur të jenë luajal me partinë, ata në të vërtetë nuk e kuptojnë përse dhe ata nuk kanë marrë ndonjë shpërblim. Duke mos pasur as mundësi dhe as guximin e duhur ta kërkojnë këtë gjë tek Berisha, kjo kategori militantësh kërkon të shfaqet apo të bjerë në sy sa herë brenda partisë ka ndonjë grup armiqësor.

Ata më kujtojnë pak a shumë një telegram nga një rreth i veriut, kur shqiptarët hynë në ambasada në Tiranë, të cilët i thoshin Ramiz Alisë, “na merr ne në Tiranë dhe nuk të tradhtojmë, se ata që po ikin i ke përkëdhelur”. Kjo është e dhimbshme, por është instiktive tek njerëzit inferiorë. Në këtë rast ata shfaqen, vetpërdoren, ngrenë zërin, sulmojnë armikun dhe shikojnë plot kërshëri dhe makth nga udhëheqësi se mos i përshëndet dhe u jep ndonjë shans. Është një histori e trishtë, që përsëritet për 22 vite. Udhëheqësi gjithmonë i dëgjon në këto raste, u jep leje të flasin, të sulmojnë dhe pastaj pasi mbaron punë, i lë në fatin e tyre.

Kjo kategori është e para që është hedhur në sulm të mbrojë legjitimitetin e zgjedhjes së Lulzim Bashës. Për ta nuk ka rëndësi që nuk ishte garë, nuk ka rëndësi që njerëzit nuk u lejuan të votohet, nuk ka rëndësi që u votua me vota të deklaruara me numër serie. Për ta ka rëndësi që “i riu’ ta kthej kokën nga ata dhe të bëjë sevap. Këta nuk përmendin asnjë nga deformimet që kanë ndodhur më lart, por vetëm “fitoren” e thellë. Nuk dua t’ua përmend emrat sa janë e kush janë, pasi në të vërtetë ndjej një lloj keqardhje për lodhjen e tyre të gjatë nga pritja që dikush t’i vlerësoj ndonjëherë.

Kategoria e dytë që ka pritshmëri tek Lulzim Basha, janë një kategori kritikësh dhe kundërshtarësh të Berishës brenda PD-së, që kanë një histori spastrimi staliniste nga partia, por që shpresojnë se mund të rikthehen aty me Bashën. Edhe pse këta në tërësi janë figura dinjitoze, intelektuale, dhe me një histori të tyre në PD dhe kundër saj, dëshira për t’i dhënë Bashës një sinjal t’i kthejë, pa e ulur “burrërinë” t’i luten Berishës, siç bëri Imami, Ruli, Pollo etj, sërish argumentin pse nuk duhet të ketë pasur manipulim në zgjedhje, e kanë tek rezultati i lartë 80 me 20 që Berisha shpalli në favor të Bashës.

Nëse në rastin e parë flasim për një kategori militantësh të keqkuptuar si udhëheqës, në rastin e dytë flasim për një kategori intelektualësh që duan të keqkuptohen për Bashën.

E përbashkëta e tyre është se të dy palët nuk flasin dhe nuk përgënjeshtrojnë asnjë skandal nga ato që po denoncohen. Pra, ti u thua kanë mbetur mijëra njerëz jashtë listave, ata nuk flasin, nënkryetari i partisë thotë janë prodhuar listat nga një skuth në bodrumin e PD-së, ata nuk flasin dhe më e shëmtuara, ti u tregon fletën e personalizuar me numër rendor për të votuar, ata bëjnë sikur nuk kuptojnë. Pra, ata nuk flasin për mekanizmin e manipulimit dhe e injorojnë atë, por vetëm për produktin e manipulimit, duke quajtur atë legjitim vetëm se është i thellë.

Kjo është një gjë shumë e shëmtuar. Manipulimet gjithmnonë kanë produkte spektakolare. Nëse lexon librin e Zogajt për zgjedhjet e vitit 1996, e kupton se rezultati 115 deputetë për Berishën erdhi se u manipulua. Askush nuk tha se zgjedhjet ishin legjitime pse rezultati ishte i thellë. Të gjykosh për produktin e manipulimit pa denoncuar manipulimin, do të thotë të bësh një përpjekje të shëmtuar ta legjitimosh atë. Diferenca ka kuptim kur bëhet fjalë për zgjedhje të ndershme. Atëherë njëra palë nga tjetra e bëjnë diferencën nga diferenca e rezultatit. Në zgjedhje të manipuluara, diferenca e rezultatit nuk është tregues epërsie, por tregues i shkallës së vjedhjes.

Dhe, nëse ajo parti do të vazhdojë të jetojë mbi këtë gënjeshtër, do të jetë e dënuar të vdesë përfundimisht nga ajo e keqe që tentoi t’i ngjisë shoqërisë shqiptare, vjedhjen e votës. Kryetari i saj i ri është sot një njeri me dy mandate të vjedhura. Ai e ka të vjedhur mandatin në bashki dhe tërësisht të shëmtuar, të deformuar dhe të vjedhur mandatin në parti. Ne të gjithë jemi gati ta pranojmë se nëse Berisha do të kishte lejuar garë të hapur dhe të shprehej vet si demokrat i thjeshtë pro Bashës, Basha do kishte fituar me zgjedhje të lira dhe sot nuk do ishte nevoja për këtë shëmti. Por, Berisha nuk do asnjë njeri të lirë dhe të dinjitetshëm në karrierën e vet. Ai i do me dosje, të përdhunuar dhe të poshtëruar.

Tashmë të dyja këto kategori që kanë rritur pritshmërinë nga lidershipi i Bashës, do të zhgënjehen një ditë. Të parët do zhgënjehen se askush nuk i llogarit kur ndahet torta, të dytët se askush nuk i beson personalitetit të tyre që mund t’i rrezikojnë Bashës lidershipin. Një njeri që nuk beson tek zgjedhjet e lira dhe konkurrenca nuk mund të besojë kurrsesi tek ata që kanë provuar të bëjnë beteja dhe kundër Berishës. Për këtë arsye, ata që presin më shumë nga kjo histori, do të zhgënjehen më shumë. Por, problemi është se bashkë me përpjekjen për të bërë me zor një lider në PD, ata po zhbëjnë dhe historinë e tyre.