Endira Bushati, respekto ligjin, ndryshe do përgjigjesh penalisht

0
42

Nga Taulant Balla, 27 Korrik 2013

Endira Bushati, respekto ligjin!

Përndryshe do të paditesh penalisht për shkelje të rënda të ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Nje ndër ligjet që ka shumë kohë në punën e Kuvendit të Shqipërisë është Ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj me përjashtim të një neni të vetëm, u miratua me konsensus të gjerë politik.

Por pak kohë pas miratimit të Ligjit, Kryetarja e trashëguar e institucionit të ri, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Endira Bushati, po e thyen rëndë këtë ligj në procesin e liçensimit të rrjeteve numerike. Kryetarja po vepron në kundërshtim të hapur me kuadrin e përcaktuar për këtë proces liçensimi dhe ka marrë deri më tani katër vendime ilegale.

Endira Bushati nuk ka kuptuar ne fakt objektin e këtij ligji mjaft të rëndësishëm që shprehet në nenin 1 të Ligjit 97/2013: “Ky ligj rregullon veprimtarinë e mediave audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse të tyre, mbi bazën e parimit të asnjanësisë teknologjike në territorin e Republikës së Shqipërisë.”

Endira Bushati me veprimet e veta ilegale po dëmton rëndë veprimtarinë e mediave audiovizive në Shqipëri. Duhet të kujtojmë se Shqiperia, jo për shkak të qeverisjes, por sajë sipërmarrjes private mediatike shqiptare, ka bërë hapa te dukshëm në krahasim me shumë vende të tjera europiane. Ndërkohë që procesi i rregullimit ligjor nuk mund të mos njohë realitetin dhe aktorët ekzistues. Ky proces nuk duhet të jëtë preferencial dhe i fshehtë, por i hapur, asnjanës dhe tërësisht i bazuar në normën ligjore.

Duhet t’i kujtoj Endira Bushatit se megjithëse Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë i fillon punimet më 9 Shtator, po ndjekim me vëmendje veprimet e AMA dhe të Kryetares së tij Endira Bushati. Po marrim në konsideratë shqetësimet e palëve të interesuara në procesin e liçensimit të rrjeteve numerike dhe do të përdorë çdo instrument institucional për respektimin e Ligjit. Po marrim gjithashtu në konsideratë ankesat për vendim-marrjen ilegale të AMA.

Për çdo shkelje të ligjit 97/2013, por edhe për abuzime të tjera financiare të Endira Bushatit, më parë në KKRT dhe tashmë në AMA, do t’i drejtohemi edhe Prokurorisë.

Kodi Penal është i qartë për rastet e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljet e ligjit.

I kujtoj gjithashtu se bazuar në nenet 7 dhe 10 te Ligjit 97/2013, Legjislatura e re e Kuvendit ruan të drejtën e lirimit të zonjës Endira Bushati nga detyra e Kryetares së AMA.