Kiço Blushi – Intervistë, 25 Korrik 2013
Shkrimtari Kiço Blushi e quan plotësisht të merituar, madje të vonuar ndëshkimin që populli i dha me votë Sali Berishës më 23 qershor. Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA”, Blushi rendit krimet dhe keqbërjet e Berishës dhe pse ai dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të vihen përpara përgjegjësisë ligjore. Duke mbështetur nismën e deputetes Arta Dade, ai mendon se një nga sfidat e para dhe më kryesore është ringritja e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që njerëzve t’u rikthehet besimi dhe shpresa. Ç’ mendon Blushi për zgjedhjen e Lulzim Bashës si pasardhës të Berishës dhe pse thotë se nuk ka një fillim të ri, por një fund të ri për PD-në me Bashën në krye…
– Zoti Blushi, rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit, ishte votë e popullit për ndryshim apo votë kundër Berishës?
– Këtë besoj as vetë Berisha nuk e vë në dyshim. Nuk është hera e parë që populli votoi kundër tij. Por kësaj here populli u hodh masivisht kundër tij. Një muaj më pas u votua kundër edhe brenda partisë, për mëkëmbësin e tij, i cili “fitoi” jo vetëm me manipulim, me lista “të qethura”, por edhe me një pjesëmarrje tejet të ulët, gjë që flet më shumë se rezultati katastrofik i 23 Qershorit!
Si mund ta gjykosh tjetër një parti që ka qëndruar kaq gjatë në pushtet e të mos ketë listat e anëtarësisë? Si mund të organizojë zgjedhje të ndershme e të regullta në mbarë vendin një qeveri që i përket kësaj partie? Kur edhe për zgjedhjen e kryetarit të ri, me parimin “një anëtar, një votë”, merr pjesë gati një e treta e anëtarësisë? Zhgënjim? Çorganizim i organizuar? Mosbesim? Jo. Më tepër se kaq! Dhe kur? Fill pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, kur presupozohet se uniteti i anëtarësisë rreth “liderit historik” do të ishte më i madh. Besoj nuk dyshon kush që 23 Qershori, po edhe 22 Korriku, ishin votë e egër “kundër”, njëlloj si dje ndaj diktaturës dhe diktatorit! Kundër Berishës nuk votoi vetëm ajo pjesë e popullit që vitet e fundit quhet i majtë (një ndarje tjetër e re kjo: ca quhen “popull i majtë” e ca“popull i djathtë”), por shumica dërrmuese. Me sa duket votuesve, pavarësisht nga ngjyrat partiake apo nëndialektet, u kishte ardhur në majë të hundës, si bluve dhe mavive… Po aq edhe të pangjyrosurve! Për të arritur në këtë përfundim nuk ka nevojë për shumë komente.
– Cilat janë, sipas Kiço Blushit, disa nga arsyet që çuan në disfatën katastrofike të PD-së dhe Berishës?
– Në të vërtetë zgjati shumë demagogjia, gënjeshtra, mashtrimi, manipulimi, të ushqyerit me “lugën e florinjtë” të propagandës, që rezultonte përherë e zbrazët. Do të bëhej plot një çerek shekulli, po të vazhdonte ky biçim sundimi autokrat i Njëshit, i Berishës, kinse demokratik. Dhe ky do të kishte qenë një mallkim, një turp e ndëshkim historik që populli do t’i bënte vetes me votë! Por, tejzgjatja e sundimit autoritar të Berishës ka qenë jo dhe aq për faj të popullit, por të deformimit të sistemit demokratik, të manipulimit, të cilin Berisha e ka perfeksionuar si “zanat”. Këtë ai e quan politikë të suksesshme! Kjo gjendje asfiksie u kthye në mllef, sepse edhe ajrin dhe diellin, edhe pagat, çmimet, gjendjen e rrugëve e të spitaleve, madje edhe klimën e mirë(mos)kuptimit mes njerëzve që i përkasin të njëjtit komb, dukej sikur i kishte në dorë vetëm një njeri. Nuk mund të zgjaste më tej kjo katrahurë kombëtare e morale, përndryshe ne do të cilësoheshim, me të drejtë, si një popull që nuk i ndahet shpirti nga diktatorët dhe nga skllavëria.
– Berisha po quhet “lider historik” jo vetëm i partisë së tij, por i të gjithë kombit, gjë që lë të nënkuptohet se atë e ka votuar dhe e do mbarë populli. Madje, edhe pas dorëheqjes ai po këmbëngul sikur ia kanë vjedhur votat “kartelet e drogës e të krimit”. Si do ta komentonit këtë fakt?
– Kjo tregon sa i dëshpëruar është… Vetë Berisha dhe partia e tij, me votë popullore ka fituar vetëm një herë mbi 50 plus 1 të vendeve në Kuvend, në vitin 1992, për shkak se populli kërkonte (atë që bëri edhe në vitin 2013), të shembte me votë diktaturën. E megjithatë, ai është sjellë sikur pat fituar mandatin e të gjithë popullit, fliste dhe ka ende guxim e pafytyrësi të flasë në emër të popullit, sikur të ishte sovran i padiskutueshëm, jo i zgjedhur nga populli, por nga vetë Allahu! Ja dhe një arsye më tepër përse u ndëshkua aq rëndë nga votuesit. Sepse megalomania e një qeveritari të dehur me veten është mënyra më e ndyrë dhe më e urryer për të bërë vetëvrasje politike!
Nëse ka një gjë që i ngjall krupë shqiptarit, ajo është vetëkarfosja, ngrefosja si gjeli majë plehut, i të zgjedhurve dhe i të emëruarve, dmth i pushtetarëve. Në historinë tonë të shkurtër si shtet i mëveçëm ne kemi parë e provuar jo pak delirantë, të cilët, pasi janë përmbysur, kanë ikur “në drejtim të paditur” me torbat plot, pa i vrarë ndërgjegja për dëmet që i patën sjellë popullit. Kur një kaçak shpallet pasha, kur një bajraktar vetemërohet mbret, kur një mjelëse bëhet anëtare Byroje, kur një gjysmë analfabet “zgjidhet” kryetar kooperative, gjeneral apo akademik, kur një diktator mbivendoset deri në vdekje sekretar i parë i demokracisë popullore, kur një demokrat bëhet autokrat… e kur të gjithë këto bejlurçina e sojsëzë të kapardisur vetëquhen “udhëheqës historikë” të pazëvendësueshëm, atëhere popullit nuk i mbetet tjetër veçse t’i ndëshkojë, dje me folklor, sot me votë dhe përçmim.
Deri më sot ne nuk kemi parë e patur udhëheqës të përunjur, modestë, të përkorë, të përkushtuar, aq më pak të ndershëm. Bejlurçinat e të gjitha kohëve, edhe ato të vitit 2013, kanë të njëjtin adet: të identifikohen fillimisht me partinë, pastaj me popullin e më pas edhe me kombin, duke “të provuar” madje se ata dhe vetëm ata janë më të mirët, më të mençurit, më të zotët, më “historikët”. Pikërisht për këtë bënte fjalë Lubonja (më shumë i keqkuptuar se i mirëkuptuar!), lidhur me Ramushin e Kosovës, gjë që provon se tek ne ende nuk është shkulur mendësia totalitare dhe aspak demokratike sipas së cilës: “Është udhëheqësi, prijësi i (vetë)njëjtësuar me Kombin, pa jemi ne, vdekatarët e zakontë”.
– Besoni te slogani për një fillim të ri të PD-së, pas zgjedhjes së Bashës kryetar të PD-së?
– Për çka fola më lart, më shumë se për një fillim të ri, dyshoj për një fund të ri. Sepse edhe ngjarjet e ditëve të fundit, njëlloj si fushata e 23 qershorit, për zgjedhjen e rishtarit Basha u fokusuan jo rastësisht te ideja monarkike, e ngulitur: “Është Berisha, pa jemi ne, militantët”. Tashmë dihet që pa Berishën nuk ka PD… Këtë u detyruan të përsëritin çdo ditë të dy rivalët për kreun e PD-së. Po përse? Ç’i shtyu? Frika nga autoriteti i padiskutueshëm i të dorëhequrit fiktiv? Olldashi psh për qëndrimin “e dyshimtë” që mbajti në fjalën e tij të fundit, tanimë mund të quhet “i ngrirë!”. Aq e ngulitur është kjo ide fikse, se shumëkush është i bindur se Berisha, edhe pse i vetëdorëhequr, mund të të bëjë gjëmën po e humbe besimin e tij. Ndaj edhe po të ketë në të ardhmen humbje të tjera, më të thella se ajo e 23 Qershorit, zor të ketë zëra dhe mendje të kthjellëta që të guxojnë të zbulojnë shkaqet e vërteta dhe objektive “të fundit të ri”. Nuk shërohet kurrë një sëmundje pa gjetur infeksionin, genin e sëmurë.
– Si e gjykoni zgjedhjen e Lulëzim Bashës?
– Nuk di të ketë në historinë moderne ndonjë monark në Europë që ketë katapultuar një mëkëmbës besnik, jashtë gjakut familjar, si ky i Bashës. Nga një anonim në vitin 2005, që nuk e njihte kush, ai u përzgjodh për deputet, e bënë disa herë ministër, më pas u emërua “me dhjetë vota plus” kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe, pas tetë vitesh dështimi (se partia e tij humbi, apo jo?) atij i dhurohet edhe drejtimi i partisë direkt nga Berisha. Por a gjen kush ndonjë argument suksesi në karrierën e tij ‘spektakolare’, përveç rrugës së Kombit, ku “humbën” gati 300 milion euro, detit të falur Greqisë, vrasjeve të 21 janarit, rrethrrotullimit absurd te sheshi Skënderbej, tortës së masakruar halabakërisht të 100 vjetorit, dashit kurban te dera e Bashkisë dhe ngrehinës prej bronxi që po shërben si shurrtore popullore te parku “Rinia”?!
– Mendoni se duhet të rifillojnë hetimet për një sërë krimesh, si korrupsioni, vrasjet e 21 janarit, Gërdeci etj.?
– Një shoqëri pa Drejtësi, nuk është demokratike. Një Drejtësi që kap e dënon një fakir i cili vjedh për një copë bukë, apo një mjeran që për të siguruar disa gramë drogë vjedh e shet një celular, teksa fal “për procedurë”, pasi kanë vjedhur e shpërdoruar miliona euro, madje dhe kur kanë dhënë urdhër të ekzekutohen demonstruesit paqësorë… nuk mund të quhet Drejtësi, por shkatërrim i besimit te demokracia, si sistem. Për këtë arsye tek ne qytetarët kanë më shumë besim te vetëgjyqësia, se sa te gjykatat dhe policia. Prandaj kemi kaq shumë krime në familje dhe nëpër rrugë. Dihet që Drejtësinë e mban gjallë parimi: “Të gjithë janë të barabartë para Ligjit”, – por kur dënimi e ndëshkimi nuk jepet për zyrtarët e lartë, për kryetarët e partive, të cilët janë të mbrojtur nga postulati: “dënimi ishte i motivuar politikisht”, atëhere organet e Drejtësisë kthehen në “armë pa leje” të cilat vrasin ditën për diell besimin e ndërsjellë të qytetarit te njëri-tjetri, te bashkëjetesa, te demokracia.
Edhe pse nga Kuvendi u hoq imuniteti i zyrtarëve të lartë pas trysnisë së ndërkombëtarëve, ne nuk kemi ende shembuj të tillë të ndëshkimit as për gardistët e 21 janarit, le më për krerët e lartë të politikës. Qytetarët nuk janë të barabartë para trupit gjyqësor. Tek ne është shumë e vështirë të dalësh dëshmitar për një vrasje, apo për një dëm publik, se mund ta pësosh më keq se viktima, po qe i pambrojtur nga politika dhe paratë. Përse? Sepse tek ne Drejtësia funksionon më shumë si gjenerator padrejtësie, për shkak se i gjithë sistemi varet (emërohet e shkarkohet) nga politika dhe jo nga interesi i qytetarëve.
– Duke pasur parasysh se i akuzuari kryesor është Berisha, si ish kryeministër që ka drejtuar me dorë të fortë, nesër a mund të konsiderohet kultura e ndëshkueshmërisë si hakmarrje politike?
– E thashë edhe më lart: nuk mund të ketë drejtësi pa ndëshkueshmëri; rrjedhimisht as demokraci. Shembulli i Drejtësisë nuk jepet duke dënuar një hajdut pulash, por një qeveritar të lartë, i cili i ka sjellë dëme shtetit dhe popullit. Këtë e bënte edhe Porta e Lartë, e cila herë pas here dënonte me varje publike një pasha në mot!… Por atëhere nuk kishte parti dhe krerë “historikë”, të veshur me imunitet të pakufizuar “perandorak”. Në këtë kuptim, – të një Drejtësie përnjimend të pavarur e me integritet – ne jemi më prapa Ukrainës, Kroacisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera që e kaluan tranzicionin, duke dhënë shembuj të ndëshkimit të krerëve të tyre më të lartë. Për të mos shkuar deri në Itali me Berluskonin, i cili për hir të së vërtetës nuk i ka bërë dëme të tilla vendit, si këta tanët, e megjithatë nuk po i rreshtin gjyqet.
– Zonja Arta Dade deklaroi këto ditë se do të dorëzojë mandatin e deputetes nëse Berisha nuk do dalë para Drejtësisë. Si e konsideroni këtë qëndrim?
– Kjo nuk bëhet me ultimatume. Edhe po e dorëzoi z. Dade mandatin, afërmendsh nuk ka për t’u vendosur Drejtësia. Që do të thotë: nuk ka për t’i vrarë ndërgjegjia gjykatësit e lartë të vendit, përkundrazi. Me deklarimin e saj z. Dade ka dëshmuar vullnetin e saj për të ndryshuar këtë “kulturë pandëshkueshmërie” që po e gërryen shoqërinë. Por do të ish më mirë që ajo të luftojë, bashkë me maxhorancën, për çrrënjosjen e këtij sistemi të korruptuar e të deformuar të Drejtësisë, i cili funksionon si një korporatë allishverishi, herë si zyrë imobiliare e herë si një agjenci ankandesh, ku “mallin e gjënë” e blen vetëm ai që paguan më shtrenjtë.
– Çfarë konsideroni si sfidat më të forta të qeverisë Rama?
– Qeveria e nesërme ndodhet para një detyrimi historik, të vështirë. Votimi plebishitar i dha koalicionit të majtë fuqinë dhe mundësinë të kryejë reforma të thella, të shumëpritura e, pse jo, edhe të frytshme e të shpejta. Kemi humbur shumë kohë, mund e shanse. E para, sigurisht është Drejtësia. Po u vendos besimi te Drejtësia, atëhere mund të thuhet se qeveria e ka nisur punën seriozisht dhe se e ka merituar votën popullore. Një shoqëri ku nuk ka drejtësi, është e dënuar të vuajë e të zvarritet. Po ashtu, nuk ka e nuk mund të ketë qeveri të mirë e të ndershme, aty ku nuk jepet drejtësi. Shembulli i mirë ose i keq përherë jepet nga lart. Po u veprua edhe nga kjo qeveri sipas parimit: “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”, mund të thuhet se kurrgjë nuk ka ndryshuar, përveç emrave të ministrave.
– A duhet bërë një riformatim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilat Berisha i vuri nën kontrollin e tij?
– Ta merr mendja. Nuk mjafton të ndërrohet karrocieri, karroca, por edhe kali. Sigurisht edhe rruga. Se kur rruga të çon në qorrsokak, në humbellë, a mjafton të mallkosh nesër kalin?! Aq më pak frerët, yzengjitë dhe kamxhikun e karrocierit!