Ana rrëzëllitëse e shpirtit shqiptar

0
43

ermytje ne Shkoder

Nga FATOS ÇOÇOLI

Që nga muajt drithërues të tragjedisë kosovare gati 11 vite më parë, kemi pasur rrallë herë raste solidariteti të kristaltë njerëzor si ky që po jetojmë me të 12 mijë të përmbyturit e Shkodrës dhe pesë komunave rreth saj. Pak ditë më parë, në një mbledhje spontane në Tiranë nga sipërmarrje, që në mënyrë po krejtësisht të paorganizuar kishin ardhur të shprehnin bujarinë e tyre, dëgjoje zotime për të dërguar një mijë bukë çdo ditë tek shkodranët në nevojë. Një prodhues qumështi ofroi një kamion me kuti qumështi lëng të freskët për fëmijët e vegjël të ngujuar në mes të ujit. Një përfaqësues i një kompanie, si me të shpejtë që të mos bëhej shumë publicitet, ofroi 90 mijë euro dhe mjetet e rënda të kompanisë. Një grua sipërmarrëse ofroi me zërin e emocionuar që i dridhej dhe me gabime në shqiptim, 10 mijë dollarë.

Gjithë vendin e ka pushtuar një garë solidariteti me të përmbyturit e Shkodrës, që i ngjan një ankandi tërësisht të parregullt. Kompanitë e celularëve janë mbytur nga SMS me vlerë një mijë lekë të vjetra në numrin 5666. Pas njëzet vitesh tranzicion, kur mendonim se shumë vlera ishin brejtur dhe godina shpirtërore shqiptare, me ngjyrat e zbehura të identitetit të saj, me një milion bij të shpërndarë në Evropë dhe botë, ishte në shembje e sipër, befas, del pas rrëkesë, pas gjëmës një margaritar. U deshën derdhjet me qindra miliona metër kub ujë të tri hidrocentraleve më të mëdhenj që kemi, që të gjejmë vetveten. Në takimin e pak ditëve më parë kishte ardhur edhe një nënë e moshuar, që sigurisht nuk mund të ishte sipërmarrëse. Nuk kuptohej si kishte ardhur, por ishte aty. Nuk foli, nuk u ngrit.

Në fund, iu afrua një vajze që shpërndante numra llogarish bankare tek sipërmarrësit, nxori nga një shami e zezë njëzet mijë lekë të vjetra dhe i tha: “Merri, të keqen nëna, çojua atyre në Shkodër!”. Sytë e të pranishmëve që e panë këtë skenë u përlotën. Njësoj, me qindra, mijëra SMS që vijnë tek numri i ndihmës i vendosur nga tri kompanitë celulare, nuk janë nga celularë bosash. Janë nga njerëz të thjeshtë, ndoshta dhe të varfër, që presin fundin e muajit me ankthin se a u dalin paratë. Megjithatë, dërgojnë një, dy e tre SMS për të ndihmuar vëllezërit e tyre shkodranë. Të huajt habiten, njëlloj sikurse u habitën më shumë se dhjetë vjet më parë. Një shtet që strehon e mban me muaj të tërë refugjatë sa një e treta e popullsisë së vet.

Çdo shtet tjetër në Evropë dhe në botë do të ishte gjunjëzuar, do të kërkonte ndihma njëlloj sikur ta kishte përpirë uragani apo fundosur tërmeti. Shqipëria priti pa shumë zhurmë e bujë 900 mijë refugjatë nga Kosova. Tani, po pa shumë bujë dhe zhurmë ngre, nga të gjitha kapilarët e saj (jo vetëm nga sipërmarrës, por nga njerëz të thjeshtë, familjarë, shtëpiake, fermerë, pensionistë) një lumë ndihme e solidariteti shumë më të madh e më të fryrë se sa Drini apo Buna. Ende nuk janë bërë llogaritë, por pa frikë mund të thuhet se biznesi shqiptar dhe njerëzit e thjeshtë të këtij vendi po dërgojnë në Shkodër me dhjetëra milionë euro në dhurime në para dhe në ushqime e veshmbathje. Shumë shpejt, të 10 mijë të ngujuarit (të ngujuar në shpirt janë edhe të evakuuarit) e Shkodrës do të njohin vërshim të ri, krejt të ndryshëm nga ai i ujit.

Një vërshim dashurie e dhembshurie. Dhe mes lagështisë së lotëve të mirënjohjes kanë për ta ndjerë veten shumë më mirë e të paizoluar, shumë më në qendër të jetës dhe ndodhive shqiptare nga sa janë zakonisht banorët e kryeqytetit. Pse sot, kryeqendra e shqetësimit dhe mendimit tonë është Shkodra. Shkodra e pamjeve apokaliptike, por edhe Shkodra e shpresës, e gëzimit se nuk kemi humbur deri tani as edhe një jetë të vetme njerëzore. Këto janë momente sa të trishtimit për fatin e keq të vëllezërve e motrave tona atje, aq edhe të krenarisë që jemi shqiptarë. Janë grimca të paharrueshme jete, që nuk ta fal dot mozaiku i emigracionit. Kemi gjetur, mirëfilli kemi gjetur shpirtin rrëzëllitës shqiptar, që kujtonim se e kishim humbur. Ndoshta dhe politika do të nisë të zërë mend nga ky solidaritet njerëzor i pashembullt dhe do të lërë të ndryshken heshtat e një antagonizmi të pabukë e mjeran. Sa herë ndihmojmë Shkodrën e shkodranët e përmbytur, aq herë ndjehemi shqiptarë e për ne ka më shumë kuptim jeta.
(GSH/BALKANWEB)