Ngjashmëri negative të rotacionit

0
38

Nga Afrim Krasniqi, 19 korrik 2013

Në korrik 2005 u bë rotacioni politik me ikjen e PS dhe ardhjen e PD në pushtet. Më 2013 po ndodh e kundërta, ikën PD dhe vjen PS. Në dy rastet kemi dy muaj tranzicion pushteti, kemi debate mbi kohën e gjatë në pritje dhe mbi abuzimet që qeveria në detyrë mund të bëjë. Kjo ndodh në politikë, sidomos kur nuk ka kujtesë politike e publike. Sot PS akuzon PD se po zgjat procesin zgjedhor me ankimime dhe po abuzon me pushtetin dymujor, se mazhoranca e re duhet të marrë sa më parë përgjegjësinë e qeverisjes. PD mbrohet duke thënë: po zbaton ligjin, akuzon ashpër palën fituese dhe përpiqet të nxjerrë në pah padurimin e saj për pushtet.

Në fakt e njëjta gjë ka ndodhur edhe më 2005, madje me një ton më të ashpër, edhe pse në krahë të kundërt. Konkretisht, me 3 korrik u bënë zgjedhjet, në disa zona pati shtyrje dhe siç dihet, të fundit zgjedhje mbanin datën 21 gusht, pra rreth 46 ditë më vonë nga data e zgjedhjeve. Ligji më 2005 dhe ai aktual (miratuar me konsensus PD-PS) thekson se parlamenti i ri mblidhet në shtator, pasi del rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Rezultati përfundimtar më 2005 doli me 1 shtator dhe parlamenti i ri u thirr një ditë më vonë. Aktualisht (2013) rezultati zyrtar ende nuk ka dalë, ndaj nuk ka ende datë për mbledhjen e parlamentit të ri.

Gjithsesi krahasimi vlen në një aspekt tjetër: më 2005 PD (saktësisht me 19 korrik) i kërkoi me gjuhë ultimatumi presidentit Moisiu të mbledhë urgjent parlamentin, pa dalë rezultati final i zgjedhjeve. Argumenti: kemi fituar dhe qeveria legjitime ndodhej ende në opozitë! Një javë më vonë PD dhe S.Godo (atëherë me grupin drejtues e fitues në PD) iu kërkuan presidentit të bëjë negociata me Berishën për qeverinë e re, edhe pse kjo ishte dukshëm antikushtetuese. Presidenti refuzoi duke treguar kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Media e djathtë vijoi çdo ditë presionet publike kundër Presidentit, dhe me 9 gusht Godo në DË dhe Ngjela në TV i kërkuan Presidentit kompetenca “ekstra presidenciale” për thirrjen e parlamentit me 136 deputetë (4 ende mungonin!!!)

Pas presioneve të shumta, deklaratave të ashpra e kërcënuese të SB, JT apo IR në emër të PD, me 28 gusht një përfaqësi e PD (Topalli, Godo,Shehu, Mico, Ndoka) erdhën në presidencë me ultimatum për thirrjen e parlamentit pa dalë rezultati zyrtar. Takimi ishte shumë i ashpër dhe e thelloi konfliktin, pasi përfaqësia kërcënoi për shkaktim presidentin dhe ky i fundit qëndroi stoik në leximin kushtetues të ligjit. Pas takimit njëri prej drejtuesve kryesor të përfaqësisë pësoi tronditje shëndetësore dhe u dërgua menjëherë në spital. Një vit më vonë nga kujtimet e protagonistëve u zbulua se skenari ishte shkarkimi i presidentit dhe zgjedhja e këtij personi pasues në postin e kreut të shtetit!!

Pas 8 vitesh e njëjta situatë, vetëm se palët kanë ndryshuar qëndrim. Ata që kërkonin me ngulm mbledhjen e parlamentit më 2005 tani janë kundër, dhe refuzojnë çdo kritikë të keqpërdorimit të pushtetit nga qeveria në detyrë. Ata që atëherë ishin në pushtet dhe refuzonin të hiqnin dorë nga kalvari i ankimimeve të gjata zgjedhore tani është në opozitë, ka fituar zgjedhjet dhe pret të marrë pushtetin! Këta të fundit nuk kërcënojnë siç ndodhi më 2005, por flasin për terma esktra-kushtetues, si “qeverisja kujdestare”, etj. Zgjidhja normale jane e mbeten ligjet, ndryshimi ne Kod, normat etike, pergjegjesia politike, – tipare ende te huaja per politikane qe mbijetojne ne politike duke marre peng interesin publik dhe sovranitetin qytetar!!!!

Mjaftojnë “detaje” të tilla për të kuptuar sa pak ka ndryshuar politika në Shqipëri, se vitet ikin por mentalitetet dhe kokat e nxehta mbeten!!