Revanshistët antirevanshistë

0
67

Nga: KIÇO BLUSHI

Revanshistët antirevanshistëDoli dhe foli edhe Nishani kundër revanshit. Para tij pat paralajmëruar në “Facebook” edhe ish-kryeministri ende në detyrë, e më pas, njëri pas tjetrit edhe pinjollët e tij politikë, teksa duhet edhe një muaj që qeveria e re të nisë udhën e punën. Tingëlluan kërcënueshëm thirrjet: Nuk do të lejojmë të hiqet askush nga puna në administratë! Nuk do t’i nënshtroheni asnjë “inercie të tranzicionit”!…

Do të organizohemi n’daç edhe me protesta e do t’i hedhim në gjyq, po qe nevoja, etj., etj. Këto janë disa nga britmat patetike, kundër revanshiste, të humbësve më të mëdhenj të tranzicionit pas 23 qershorit. Po cilët janë këta liderë të merakosur që i artikulojnë këto ide antirevanshiste? A thua të kenë frikë se mos cenohet administrata civile, të mos largohen profesionistët dhe teknicienët e saj? Një syresh që e paralajmëron revanshin është Presidenti i Republikës, i emëruar nga partia e tij, direkt nga Berisha, në mënyrën më revanshiste të mundshme.

Para tij ishte ish-kryeministri, i cili për tetë vjet rresht, me një harbutëri të pashembullt e të paparë në të gjithë Lindjen, nuk la gur pa lëvizur, duke kryer jo vetëm transfuzion politik, por krahinor, tribal, familjar e nepotik në të gjithë piramidën shtetërore, që nga maja e shtetit e deri te pastrueset, hidraulikët e policët e trafikut, pa përfillur as kërkesat ultimative të BEsë, madje as të aleatëve tanë amerikanë, si në rastin e heqjes së Prokurores se Përgjithshme, të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, të krerëve të gjykatave, e sidomos të kreut të SHISH-it etj., etj. Dhe, natyrisht, në këtë kor u përfshinë edhe kandidatët për kryetar të PD-së… Të gjithë shtiren sikur është tepër larg koha, aq sa për të harruar se këto “operacione” spastrimi me metoda fashistoide i kanë udhëhequr dhe promovuar personazhet e mësipërme.

Edhe pse erdhën në pushtet me votat e së majtës, duke blerë herë pas here deputetë për të siguruar 70 plus një votë që të mbeteshin në pushtet, ata deklaronin se populli i kishte mandatuar të kryenin spastrime të tilla në të gjithë piramidën shtetërore, (kujtoni debatet televizive një vit e ca më parë!) duke vënë në thundrën partiake e familjare të gjitha institucionet kushtetuese, a thua se do të qëndronin në pushtet përjetësisht. E pra, janë po këta uzurpatorë të panginjur pushtetesh dhe institucionesh të pavarura që dalin e thonë, duke vringëllirë dhëmbët e opozitës me kërcënim, që mazhoranca e nesërme të mos guxojë të kryejë asnjë ndryshim, të cilin e quajnë, me një fjalor militar, revansh. Kanë parasysh atë spastrim me themel që e patën bërë vetë…

Kjo do të thotë të lihen aty ku janë e si janë po ajo administratë e korruptuar, arrogante, kliente, partizane dhe mercenare e Berishës; të lihet pra e paprekur po ajo makineri hajdutësh e makutësh të pafytyrë, të cilët e lanë Shqipërinë më të fundit për mirëqenie dhe standard demokratik, por më të parën në rajon për nivelin e krimit dhe të korrupsionit. 23 qershori ishte votë popullore kundër revanshit të një klani, të një familjeje, të një grupimi mafioz, të një partie të telekomanduar nga një njeri i vetëm. Me sa duket ende nuk e kanë kuptuar që, tekefundit, ata janë ndëshkuar pikërisht nga ajo armë që kujtonin se do t’i mbronte, nga revanshi!

* * *

Por ende pa nisur revanshi, – nëse mund të quhet revansh një qeverisje që ende nuk ka filluar, – vetëm se ka premtuar në fushatë një reformim të domosdoshëm më së pari të administratës, pa të cilën nuk mund të ketë as rilindje dhe as ringritje të shoqërisë, – antirevanshistët e sotëm të revanshit të djeshëm, edhe pse akoma nuk e kanë lëshuar pushtetin, po dalin hapur kundër asaj që kanë ditur të bëjnë për bukuri kur ishin vetë në pushtet, duke na paralajmëruar edhe një herë: “Bëni si them unë, por mos bëni ato që kam pas bërë unë”. Kjo është motoja e revanshistëve të djeshëm të kthyer, pas më pak se një muaji, d.m.th. pas humbjes, në antirevanshistë. Medemek kanë frikë se mos hiqen ca shërbëtorë e mercenarë partiakë të PDsë, për t’u zëvendësuar nga ata “mavi”…

Sigurisht që po u veprua kështu, askurrgjë nuk ka për të ndryshuar e për të ecur për më mirë e për së mbari në shoqërinë tonë të traumatizuar. Por nuk është vetëm kjo arsyeja e vërtetë e amplifikimit të antirevanshit nga revanshistët e djeshëm. Po të ishte ky synimi, sigurisht që do të ishte gjysma e së keqes. Si strateg i revanshit, – nuk ka dyshim që kjo është mënyra e vetme e politikëbërjes së Berishës, – beson se vetëm nëpërmjet revanshit (pasi “sulmi është mbrojtja më e mirë”!) mund të mbetet, por edhe mund të vijë kollaj në pushtet…

Teksa mësyjnë revanshin e nesërm si paradhënie, ata nuk e kanë hallin të mos bëhen e të mos përsëriten gabimet e tyre në qeverisjen e nesërme të të majtëve… Në të kundërt, ata duan të ringjallin gogolin e revanshit, të cilin e kanë mbjellë vetë, që të paralajmërojnë dhe përgatisin klimën për destabilizim. Kjo është e vetmja mënyrë se si Berisha mund të motivojë e të mobilizojë “mamurrsit” e administratës së tij për hyxhym: ish-doganierë, ishnëpunës, ish-drejtorë, ishpolicë, ish-tenderdhënës etj., etj, si kontingjente të gatshme për destabilizim dhe pasiguri në vend. Ai është i bindur se kjo është rruga e vetme dhe e sigurt e rikthimit të tij në pushtet për herë të tretë.

Pikërisht për këtë ai do të punojë 16 orë në ditë! Për këtë qëllim ai nxori në public Nishanin, “garantuesin e kushtetutshmërisë dhe unitetit”, që të artikulonte dhe përgatiste edhe ky, para krerëve më të lartë të institucioneve dhe ambasadorëve, atë klimë acaronjëse të cilën e pat kërkuar vetë disa ditë më parë: mos iu dorëzoni “revanshit” të mazhorancës së nesërme, mos lejoni asnjë ndryshim të piramidës, mos u dorëhiqni, mos e pranoni ikjen, se Sebastiani (një çunak!) kërkon me lot në sy e përgjërim që të rikthehemi sa më shpejt në pushtet! Luftoni deri në fund, dhëmb për dhëmb, si ushtarë besnikë të partisë (kupto: të Berishës) që ju ka pas përzgjedhur e emëruar dhe jo si klientë puthadorë të qeverisë së nesërme (kupto: të Ramës)!

Tentohet kësisoj të ngrihet një mur izolues mes institucioneve dhe qeverisë, ende pa nisur puna, në mënyrë që të paralizohet jo vetëm vendimmarrja, por edhe Reforma. Paralelisht me mungesën e dritave, proces që ka filluar pa ardhur dimri, si dhe pa nisur të hidhen në erë “nga persona të panjohur” shtylla të tensionit të lartë, si dhe pas arkës së boshatisur të shtetit nga borxhet për të paguar në kohë buxhetorët dhe pensionistët, revanshistët e djeshëm, të transformuar në antirevanshistë, shpresojnë se është kjo strategji luftarake që mund të sjellë përmbysjen e shpejtë të qeverisë së Rilindjes para përfundimit të mandatit katërvjeçar!

Nëse qeveria e nesërme do të kompleksohet nga këto “paralajmërime” primitive, të stërpërdorura e të dala boje në këta 22 vjet, duke u tutur e frikur të kryejë Reforma të qenësishme e të guximshme, duke iu dorëzuar trysnisë së paralajmëruar, duke u vonuar për të ngritur me guxim një administratë me nëpunës profesionistë dhe integritet moral, jo me pazare partiake e klanore, atëherë mund të thuhet se edhe më 23 qershor, ashtu si ka ndodhur shpesh në historinë tonë moderne, “operacioni doli me sukses, por ama pacienti vdiq!”.

(BalkanWeb)