Sokrat HABILAJ, 16 Korrik 2013
Ky stoicizëm në (mos)ikje, ndoshta mund të ketë lidhje edhe me një anekdotë që qarkulloi pasi ai tha se do (nuk)iki. Sipas kësaj anekdote, kur e thirri R.Alia në vitin 1991, i paska thënë se do shkosh atje ku po krijohet një parti demokratike, një parti e djathtë dhe do të ikësh andej kur ta shikosh se tek ajo parti nuk ka mbetur më, këmbë demokrati, apo këmbë i djathti. Ti do të ikësh i fundit andej. Kjo anekdotë mund të jetë edhe e ekzagjeruar, por për të gjetur pak realizëm tek ajo, shikoni për një çast ngulmimin e tij
Arsyet që e shtyjnë ish liderin demokrat të sillet si “plaku Mere”, duke mos u argëtuar me tespihet e moshës, por të vazhdojë ende të luajë me “tespihet” e politikës shqiptare, mund të jenë të shumta dhe komplekse. Edhe tani që ai e ka parë me sy “Vaterlonë”e katastrofës së tij elektorale, edhe tani që “…ngadhënjimi në disfatë qe kthyer…”, po të perifrazonim V.Hugo, stoicizmi i tij për të mos ikur, në pamje të parë, duket vërtet i çuditshëm. Lloj-lloj analistësh, apo edhe opinioni më i gjerë, të mësuar me “mos ikjen” e tij, sa dëgjuan se ai tha, “po iki”, vrapuan ta quajnë këtë si një nga ngjarjen më madhore të këtyre njëzetë viteve, a si “ikje te shekullit”, duke rënë në kurthin e një ikje që me sa duket se nuk do të ndodhë, të paktën tani për tani.
Duke parë nga afër profilin e këtij drejtuesi partiak, arsyet e mos ikjes, mund të jenë nga shumë madhore deri tek shkaqe krejt banale, nga shkaqe “strategjike” deri tek ndonjë inat i zakonshëm province, nga të sinqerta deri tek të errëta, nga shtetërore deri tek pamundësia e thyerjes së ndonjë fjale, apo bese të dhënë diku.
Së pari, kjo (mos)ikje nuk është dukuri e re dhe as ekskluzivet yni. Ne vijmë nga Lindja, andej nga ku zor se ikte nga dikush nga karrigia, pa e marrë Zoti. Paria e shoqërisë shqiptare në pesëdhjetë vitet diktaturë, në grahmat e saj të fundit, ishte kthyer në një grumbull pleqsh të lodhur, si fosile. Ata nuk iknin, jo thjesht se edhe vetë nuk e dëshironin ikjen, por i tillë ishte dhe morali i asaj shoqërie: i mendonim ata si të salduar pas fronit. Ky mentalitet është më i thellë se sa mund të mendohet edhe sot. Po ta shikoni me kujdes këtë lloj mentaliteti, para se të mendojmë nëse ky apo ai pushtetar ia vlen të drejtojë ende, disa nga ne mallëngjehen me faktin se si mund të iki ai që ka kaq shumë kohë në krye të vendit. Ky gjykim tribal që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë dhe që i shkon për shtat vetëm moralit “të kullës” dhe të parit të saj, duket se është në harmoni të plotë edhe me atë që (nuk)ikën. Të dyja këto palë, duket se i çojnë mesazhe njeri- tjetrit, që përkthehen pak a shumë, “mos ik!” dhe “si të iki!?” Ata dinë t’i lexojnë mirë këto mesazhe.
Së dyti, ish lideri i Partisë Demokratike, e di shumë mirë se tej masës idealiste të PD-së, ai grumbull vartësish të tij të cilëve vazhdon e u bënë mbledhje, presin me padurim që ai të (mos) iki. Ai e di shumë mirë se ndërsa ata betohen për të, ndërsa përgjërohen se ai do të jetë udhëheqësi i tyre sa të kenë frymë, e vetmja gjë që dëshirojnë realisht ata, është që së paku ai, të mos shfaqej më nëpër mbledhje, duke ua lënë të tjerëve administrimin e punëve pas humbjes. Ish liderin e Partisë Demokratike, kjo gjë jo thjesht e trishton, por i jep inat për mos ikje. Po të vini re me kujdes, nëpër mbledhje të forumeve të PD-së, organizuar natyrisht nga ai, mund të vërehen ndoshta shumë gjera, por ajo që nuk konstatohet është ikja. Ai jep udhëzime, flet për një opozitë të fuqishme, që nuk e ka parë kurrë ky vend, a për fitore të madhe në zgjedhjet e ardhshme dhe asgjë për humbjen. E pra, ku është ikja këtu? Më tej akoma, ndërsa në fillim u paraqitë shpirt gjerë, duke thënë, po iki unë, ndërsa me fjalë, i mori mbi vete të gjitha mëkatet, tani ka ca kohë, a mbase që të nesërmen e “ikjes”, që jo më indirekt, por direkt u thotë atyre që mbledhë rreth tavolinës se, nuk duhet të flasin. Më tej akoma, u thotë se të drejtë të flasë ka vetëm ai, sepse ai dha (mos)dorëheqjen, duke përfunduar si pa dashje në një kërcënim, se kush do që të flasë, duhet më parë të iki. Po ikjet e tyre, natyrisht që nuk do të jenë si (mos)ikja e tij dhe ai e di shumë mirë këtë gjë, prandaj ata bëjnë mirë të rrinë urtë, duke ndjekur atë që po bënë ai.
Së treti, (mos)ikja e tij mund të jetë edhe e mbuluar me një tis mjegulle. Askush si ai, nuk ka dominuar në këto njëzë e tre vite, politikën shqiptare. Gjatë kësaj periudhe, do apo nuk do ai, është pjesëmarrës direkt, a indirekt, i gjithçkaje që ka ndodhur në këtë vend. Ato që kanë ndodhur këtu, si vet historia jonë post diktatoriale, kanë qenë herë arritje e herë zhgënjime, herë ligjore e herë antiligjore. Ikja apo mos ikja, veç tjerash, është edhe një moment dëshmimi i raporteve që ka me këtë të kaluar. Ikja apo mos ikja, është edhe qartësim i marrëdhënieve me të kaluarën. Njeriu mund të hezitojë të iki, edhe kur e ndjenë se ai ende ka shumë energji për të punuar, ashtu si dhe mund të hezitojë, kur kjo e kaluar të mban peng. Nëse ky njeri ka ende shumë energji, le të rrijë atje fundja, por ai duhet ta thotë këtë gjë si një qëndrim të qartë dhe të mos bëjë një ikje si mos ikje.
Së katërti, një logjikë e thjeshtë do të pranonte se ikjen e tij, duhet ta shpejtonte edhe fakti se ai nuk i bëri shërbimin e duhur të djathtës shqiptare në tërësi, apo edhe vet Partisë Demokratike në veçanti. Duhet të iki edhe si shenjë pendese dhe autokratike ndaj tyre, pasi nëse do të vazhdojë të rrijë ende atje, ndoshta do vazhdojë t’u bëjë edhe më keq. Kështu duhej, por me sa duket nuk do të ndodhë kjo gjë. Ky stoicizëm në (mos)ikje, ndoshta mund të ketë lidhje edhe me një anekdotë që qarkulloi pasi ai tha se do (nuk)iki. Sipas kësaj anekdote, kur e thirri R.Alia në vitin 1991, i paska thënë se do shkosh atje ku po krijohet një parti demokratike, një parti e djathtë dhe do të ikësh andej kur ta shikosh se tek ajo parti nuk ka mbetur më, këmbë demokrati, apo këmbë i djathti. Ti do të ikësh i fundit andej. Kjo anekdotë mund të jetë edhe e ekzagjeruar, por për të gjetur pak realizëm tek ajo, shikoni për një çast ngulmimin e tij për të mos ikur, nga njëra anë dhe atë që ka ndodhur tek e djathta dhe partia e tij, nga ana tjetër. Nëse ndjekim linjën e anekdotës dhe ngulmimin e tij për të mos ikur, kjo është trishtuese apo jo?
Vërtet pak i ngatërruar morali i anekdotës që tregon se ai nuk do iki, sepse tek ajo parti ka ende të djathtë, pra Berisha nuk e ka mbaruar misionin. Do të rrijë vet, apo me një të zgjedhur prej tij, pak rëndësi ka. Nisur nga kjo, duket sikur tani po zgjidhet zëvendësi, pasi kryetari është. Si po ecin punët, ndoshta duhet besuar se është edhe kryetari edhe zëvendësi dhe thjesht duhet të bëhen një palë “zgjedhje”. Por le të bëhet si ta duan. Dje, sa ishte yni, ai na (s)bënte mirë të gjithëve dhe ne e larguam. Sot është vetëm i “të djathtëve” dhe (s)bënë mirë vetëm për ta. Ata le ta mbajnë.