DY LAJME EKONOMIKE QE NUK DUHEN KALUAR NE HESHTJE

0
37

 1. BORXHI PËR FRYMË, ÇDO FAMILJE SHQIPTARE KA 12 MILIONË LEKË BORXH

Studimi: Rritet borxhi publik, 895 miliardë lekë, nga 815 në 2012-ën
Afro 900 miliardë lekë parashikohet të shkojë stoku i borxhit publik deri në fund të këtij viti. Kjo do të thotë se një familje shqiptare do të duhet të paguajë një borxh prej 1 milionë e 257 mijë lekë të reja, ndërsa çdo shqiptar mbart një borxh prej më shumë se 300 mijë lekë të reja.
Studimi
Një studim i fundit i Open Data Albania ka përllogaritur borxhin për frymë të popullsisë shqiptare, që duhet thënë se ka shënuar rritje vit pas viti. Kështu nga 100 mijë lekë që llogaritej borxhi për frymë para pak vitesh aktualisht ka kaluar në mbi 300 mijë lekë të reja për çdo shqiptar. Nëse do të marrim në studim vitet 2010-2013, rezulton se “borxhi për frymë” ka përjetuar një rritje me ritme jo të ngadalta. Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.27%.
Popullsia
Duhet theksuar se kjo rritje e madhe ka ardhur kryesisht nga ulja e numrit të popullsisë së raportuar nga INSTAT me rezultatet e Censusit për vitin 2011, nga e cila rezultonte një popullsi 11.27% më e vogël se sa në vitin 2010. Megjithatë, edhe rritja e stokut te borxhit me 57.2 miliardë lekë apo 8% më shumë, dha ndikimin e tij në arritjen nivelit të borxhit për frymë nga 223 949 lekë në vitin 2010, në 273 831 lekë në vitin 2011. Ky ka qenë viti i vetëm, në të cilin rritja e “borxhit për frymë” shpjegohet kryesisht nga variabli popullsi, pasi për vitet në vijim, stoku i borxhit është faktori mbizotërues.
Krahasimi
Në vitin 2012, borxhi për frymë mendohet të jetë rreth 287 648 lekë, referuar kjo parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave që në 1 gusht, 2012, për nivelin e pritshëm të stokut të borxhit deri në fund të vitit. Në fakt, ka pak gjasa që borxhi për frymë të qëndrojë në këtë nivel, pasi që në 30 shtator, 2012, Ministria e Financave raporton një stok borxhi 9-mujor prej 814 miliardë lekësh, që është afërsisht 99.79% e stokut të borxhit që duhej të rezultonte deri në fund të vitit. “Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë. Nëse do të supozonim një rritje mesatare të popullsisë nga viti në vit me rreth 0.5% , atëherë, borxhi për frymë në 2013-n do të jetë rreth 314.271 lekë apo rreth 9.8% më shumë se në 2012-ën,” argumenton në studimin e saj Open Data Albania.
Borxhi
Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh prej 1 257 084 lekë. Por ndërkohë, nuk duhet harruar se jo e gjithë popullsia kontribuon me taksa dhe tatime në buxhetin e shtet. Kjo do të thotë se “borxhi për taksapagues” apo persona që realisht do e shlyejnë atë është akoma më i lartë. Borxhi për frymë është një tregues, që llogaritet si raport i borxhit total publik të emetuar brenda dhe jashtë vendit (i cili ende nuk është shlyer) me popullsisë e atij vendi.

895 miliardë lekë parashikohet të shkojë stoku i borxhit publik deri në fund të vitit 2013, nga 815 miliardë që ishte në vitin 2012

3 milionë lekë të vjetra llogaritet të jetë borxhi për frymë në 2013-n, apo rreth 9.8 % më shumë se në 2012-ën

12 milionë lekë të vjetra i takon të paguajë një familje shqiptare me 4 persona, për vitin 2013, për shlyerjen e borxhit publik

_____

2. FINANCAT PAGUAN DITËN E DJESHME 3.5 MILIONË EURO INTERESA

Vetëm ditën e djeshme është disbursuar nga thesari i shtetit ekuivalenti i 3.46 milionë eurove për të paguar këste të radhës të interesave të letrave me vlerë. Ministria e Financave njoftoi se janë paguar interesa për obligacione me afat 3-vjeçar maturimi, që janë emetuar në vitet 2011, 2012 dhe 2013. Për këto letra me vlerë me afat të gjatë blerësit paguhen çdo gjashtë muaj, ndryshe nga bonot e thesarit, pagesa e interesit të të cilave paguhet që në momentin kur emetohen.

Aktualisht, pagesat nga thesari janë reduktuar në minimum dhe nuk po bëhet më asnjë pagesë për investime, shpronësime e detyrime të tjera, ndërkohë që vijojnë të paguhen paga të administratës e pensione, si dhe shpenzime emergjente. Ndërkohë, sot zhvillohet një mega-ankand i bonove të thesarit, me vlerë totale prej 25.4 miliardë lekësh të reja, ndërkohë që Financat kishin planifikuar për muajin korrik shitjen vetëm të 11 miliardë lekë letrave me vlerë.

Berisha, pasi mori vendimin për të zbatuar që tani rritjen e pagave dhe pensioneve, kërkon në tregun e brendshëm një borxh të ri shumë të madh, që i shtohet të vjetrit. Kjo ka sjellë kërkesa nga eksponentë të PS që edhe guvernatori i BSH të ndërhyjë, por një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë.

INTERESA BORXHI TË PAGUARA NGA BUXHETI I SHTETIT DITËN E DJESHME, DATË 8 KORRIK 2013

Interesa obligacioni 3-vjeçar, emetuar më datë 07.01.2011

133.500.000 lekë

Interesa obligacioni 3-vjeçar, emetuar më datë 06.01.2012

51.044.040 lekë

Interesa obligacioni 3-vjeçar, emetuar më datë 19.02.2013

64.125.000 lekë

Interesa obligacioni 3-vjeçar, emetuar më datë 07.01.2013

235.125.000 lekë

Total 483.794.040 lekë ose 3.455.671 euro –

See more at: http://www.shqiptarja.com/ekonomi/2733/financat-paguan-diten-e-djeshme-3-5-milione-euro-interesa-166277.html#sthash.3OjaQsl0.dpuf