Një ndarje mes qëndrestarëve dhe pushtetarëve

0
41

Nga Mero Baze, 8 Korrik 2013

Gara e komanduar për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së nën drejtimin e Sali Berishës, po prodhon një debat artificial brenda partisë, i cili nuk ka të bëjë me të ardhmen e saj. Debati artificial ka shmangur tërësisht arsyet përse PD humbi, pasi kandidatët janë pjesë e humbjes, bile shkëlqejnë me kontributin e tyre në këtë humbje. Të dy kandidatët, duke shmangur debatin mbi arsyet e humbjes, po ngrenë mitin e humbjes teknike të PD-së dhe në bazë të saj, po përpiqen të ngrenë dy vizione për mënyrën si PD-ja do të rivijë në pushtet. Olldashi e bazon projektin e tij tek morali, qëndrestarët dhe një PD e pastër pa renegatë, kurse Basha tek pragmatizmi, aleanca me Ilir Metën, Topin dhe të tjerë, pa folur konkretisht me emra.

Duke qenë konsensualë për të shmangur debatin për arsyet e humbjes, dy kandidatët po tentojnë të bëhen protagonistë në debatin për mënyrën se si fitohet pushteti nga PD në të ardhmen.

Po sa shanse kanë opsionet e tyre?

Olldashi po bëhet tifoz i një opozite të ashpër, radikale, morale, që distancohet nga LSI, dhe nga mungesa e moralit që shoqëroi listat e PD-së, duke futur në to deputetë të majtë dhe aleatë matrapazë. Në një farë mënyre është me gjysmë zëri kundër filozofisë që Berisha përdori në mandatin e fundit, për të mbijetuar me çdo çmim në pushtet.

Në të vërtetë ky është modeli i opozitës së hershme të PD-së pas vitit 1997, e pakompromis dhe mbështetur mbi frymën e qëndrestarëve. Është dhe i vetmi model opozite që njeh Olldashi.

Ky model opozite vlen për të marrë veten dhe për të shtrënguar radhët që të mos shkatërrohet baza e PD-së, por nuk është model që e çon PD-në në pushtet. Rruga e PD-së drejt pushtetit do jetë një kalvar i gjatë dhe plot probleme, nëse demokratëve nuk u thuhet sot e vërteta dhe nëse nuk pranohet që PD humbi kuti më kuti nga jugu në veri, jo për arsye teknike, por për faktin se pushteti i saj vodhi, vrau dhe preku votën e shqiptarëve, duke tentuar t’i përdhunojë ata me arrogancë. Kjo kërkon jo vetëm një ndjesë të thellë, por një reformim të thellë, që të zhduken vatrat e infeksionit që prodhuan këtë tip pushteti.

Pushteti i PD u kujton njerëzve vjedhjet prej qindra milionë dollarë dhe dosjen e Lulëzim Bashës, hedhur në shkallët e gjykatës për të mos u gjykuar, u kujton 21 janarin ku u vranë katër vetë dhe Lulëzim Bashën me Sali Berishën që kërkonin vrasësit tek gazetarët dhe institucionet e pavarura të shtetit, dhe Sokol Oldashin në studiot e TV që betohej se kish parë makina me eksploziv që do hidhnin në erë kryeministrinë, u kujton vjedhjen spektakolare të mandatit të Tiranës dhe përpjekjen për të imponuar atë si standard dhe për zgjedhjet e 23 qershorit, çka shkaktoi atë uragan popullor.

Biznesmenëve u kujton Zenin dhe Gitën, njërin me çantë në dorë për gjoba e tjetrën me sy të ulur mbi llogaritë e përqindjeve që i takonte nga çdo ndërhyrje tek babai kryeministër. Mësuesve, mjekëve dhe administratës në tërësi u kujton kuadratet e mitingjeve, poshtërimin për t’i vënë në rresht në emër të pushtetit, fotografimin e votës, dhe kërcënimin për bukën e gojës. Të rinjve të shkolluar mirë dhe me pasion u kujton Greta Koçin, që fitonte vendin e drejtoreshës duke i futur dorën në brez Flamurit për të bërë një foto si VIP-e me VIP-in.

Të persekutuarve politikë, atyre që i rrënoi komunizmi, u kujtohet trupi i ndezur dhe i pajetë i Lirak Bejkos, që u vetëdogj nga poshtërimi që Sali Berisha i bëri për lekët e burgut. Ish-pronarëve u kujton shokët e djalit, që dalin pronarë nga Kala e Dodës në bregdet. Shqiptarëve të zakonshëm, atyre të papunë, të pabukë, të pashpresë, u kujtohet dalldia e një të çmenduri që ishte kryeministër dhe u thoshte: jemi vendi i dytë nga mirëqenia pas Gjermanisë… Që të shkohet drejt fitores, duhet një vizon realist që të rrëzojë këtë trashëgimi të pashembullt krimesh, vjedhjesh, gënjeshtrash dhe talljesh me shqiptarët. Qëndrestarët e PD-së, opozita morale që pretendon Olldashi, vlen për të bërë katarsis, por jo për të bërë histori të re.

Lulëzim Basha nga ana e tij, as që i ka hyrë kësaj pune. Ai është qartazi i sigurt që do jetë kryetar i PD-së dhe nuk ka dëshirë të flitet as kundër LSI, as kundër socialistëve që janë në lista, as kundër aleatëve, bile as kundër Topit, Mustafajt, etj. I vetmi vizion që ai ka për mënyrën se si PD-ja do të vijë në pushtet, është se ai do të krijojë mitin që humbëm numerikisht, jo politikisht dhe premton se do t’ia dalë të ribëjë PD-në aleate me Ilir metën, Topin, etj, dhe gjithçka do të rregullohet. I qartë se kryetar i PD-së emërohet dhe nuk zgjidhet, ai nuk do që askush në PD të fillojë e të mendojë për ato që ai thotë. Dhe po ta vini re fjalorin e tij, është mrekullisht bosh, pa asnjë ide, asnjë tezë dhe asnjë adresim konkret.

Shëtit nëpër qytete, takon njerëz sa për të ilustruar idenë që do bëhet kryetar, dhe po përpiqet që njerëzit të mendojnë se këtë punë e di Berisha dhe ai do ta zgjidhë. Në krah të tij janë propaganduesit më tipik arrivist të vendit, kryesisht të së majtës së vjetër të Fatos Nanos që tashmë janë konvertuar në mbështetës të Bashës. Demokratët, që kanë parë në opozitën e tyre të parë këta propagandistë si të justifikonin vjedhjen e votave dhe korrupsionin e Fatos Nanos, tani i shikojnë si justifikojnë megakorrupsionin dhe krimin politik të Lulëzim Bashës. Është një aleancë e shenjtë e njerëzve të pafytyrë të këtij vendi.

Kjo është një rrugë e sigurt që e bën kryetar të PD-së, pasi në atë parti as votohet, as numërohet dhe as garohet. Aty thjesht po luhet një teatër me demokratët e tronditur nga humbja, që nuk e morën vesh as që erdhën në pushtet dhe as që po e kuptojnë që kanë ikur. Ata janë përdorur gjithmonë si mish për top, ndërsa pushteti ishte një aset i Familjes Berisha dhe humbja një dhuratë po prej tyre.

Mes këtyre dy modeleve të përcipta që po konkurrojnë, modeli i Bashës, që nuk do të prekë asgjë nga e shkuara dhe të mos zgjojë asnjë emocion për të ardhmen, duke krijuar idenë se gjithçka e di “AI” lart, është modeli që do të fitojë brenda PD-së. Derisa zgjedhjet po drejtohen nga kryeministri, i cili ka urgjencë kontrollin mbi pasardhësin, më shumë se sa ikjen në shtëpi, Lulëzim Basha do jetë model fitues. Olldashi nuk ka asnjë shans të fitojë, jo vetëm se u kujton burokratëve të dhjamosur nga pushteti një periudhe të vështirë opozitare që kanë pasë kaluar dikur, por edhe sepse po bëhet provokativ, duke tentuar të rihapë një debat delikat mes opozitarëve të rinj, mbi atë se si do të arrijnë ndonjë herë të bëhen shumicë, kur kanë 1 milion vota kundër.

I vetmi lajm i mirë është se ai që merr PD më 22 korrik do të duhet ta dorëzojë në vitin 2017 si humbës, dhe deri atëherë ndoshta të gjithë kthjellohen se dielli nuk mbulohet me sitë.