Masakrat e Zogut, nga varjet tek pjekja në hell e njeriut

0
59

Dossier NGA PRELË MILANI, 07 Korrik 2013

TIRANE – At’ Benardin Palaj në revistën “Hylli i Dritës” Nr. 13. shkruan se “Kur plasi lëvizja e Dukagjinit, atëherë Ahmet Zogolli ua muar jeniçerëve të Stambollës ato armë të ndryshkura me gjak të shqiptarëve për me shue vllaznit e vet të krështenë të Dukagjinit. E atë vjet Muharrem Bajraktari i Lumës, ngrehë shtabin e vet – dibranësh, matjanësh e lumjanësh, hi në Kishë të Shalës, ku si nder dhuni të tjera bani kjo ushtri laperash e zhelanash – toka me pasë randë – vrau edhe rrogëtarin e fratit krejt afër kishe…

(Foto: Patrioti Gjelosh Rama, djathtas, Kleriku dom Gjergj Gazuli, majtas të varur në litar nga Ahmet Zogu)
Burrat ma të mirë të Dukagjinit, bashkë me shumë meshtarë, u burgosën, vriten, futen në lak e arratisen. Burgjet mbushë me gra e fëmijë, gjaja mbarë plaçkitë… (“Hylli i Dritës, Nr. 13” viti 194125-253). Një dëshmitar tjetër i asaj kohe, Pal Dukagjini shkruan se “Ç’ka ndodhi aty e mbrapa në Dukagjin e dijnë vetëm ata që e provuen. U dogjën shtëpia, u grabitën pasuni, u pushkatuen burra, u burgosën robni, u varën, u rrahën deri u dhunuen në nderë e erz, çka për shqiptarin ashtë dekë ma e ranë se deka.

Mati e Dibra mjerisht i shkruan vendit me këtë rasë një faqe historie me shkrojla të zeza. Vetëm mizoritë e bishave të sodit me hyllin e Stalinit e të Mao Ce Dunit në ballë e në zemër e zbenë, tuj e ba të harrohej e keqja e shkrume, që s’mund të krahasohej, as me barbarizmat e Neronit të Romës, as me vandalët e as me hundët e motit. Pal Dukigjin (At’Danjel Gjeçaj). “Tre shoshjanet” Besa, dorëshkrim historik i pabotuar, Arkivi i Bibliotekës Françeskane, citim nga origjinali, fq 17.)

Pas sukseseve të para kryengritësit, të cilëve u mungonin armët dhe fishekët, nuk u rezistuan forcave të rregullta të ushtrisë e xhandarmërisë dhe bandave të shumta të mercenarëve civilë, që ishin shumë më superiore në numër e në mjete luftarake, prandaj detyrohen të tërhiqen drejt Gurit të Kuq. Forcat zogiste ndërmorën një aksion të shpejtë, të rreptë dhe të efektshëm reprezaljesh, ku terrori i bandave civile të Matit dhe të Lumës, të cilat i kalonin 10 000 vetët (Zef Harapi, Kamiljo Libardi), që u mblodhën menjëherë në Qytetin e Shkodrës dhe të prirë nga Fiqiri Dine, vazhduan më pas reprezaljet që ishin të papara dhe të padëgjuara në malësitë e Pukës, Shalës, Shoshit, Nikaj-Mërturit, Pultit, Shllakut e Temalit.

Në drejtimin e Komandantit të Përgjithshëm Fiqiri Dines, armata e Nënkolonel Xhemal Arianitit filloi kundërgoditjen ofensive ndaj Dukagjinit sipas këtyre drejtimeve:
1- Më 27 nëntor 1926, forcat e Kapiten Preng Previzit u nisën drejt Koplikut për në Theth.
2- Me 28 nëntor Dukagjini mori ikjen masivisht nga Qafa e Pejës – Shtegu i Dhenve drejt Malit të Zi. Në këtë qafë nga forcat mercenare të Kelmendit u zunë 300 shaljanë, ndër të cilët Avdi Kola (Bajraktari i Gimajve), me gjithë nipat e bajraktarit të Shalës.
3- Më 29 nëntor 1926, Kapiten Muharrëm Bajraktari, mësyni Qafën e Agrit nga Nikajt dhe Merturi e hyri në Abat të Shalës, gjatë operacionit vriten Prelë Ndoka, Gjelosh Ndoka (dy djemtë e Ndokë Mirashit të Pepajve, Pep Nika – Pepaj- Shosh dhe Stakë Ndoci Dardhë – Shosh.

4- Po më 29 nëntor nga Guri Kuq dhe Mali i Shoshit, Hasan Beg Bushati me një pjesë të forcave të tij, hyri në Shosh dhe me pjesën tjetër hyri në Pult të Dukagjinit, u rrethua nga të gjitha anët, ndërkohë që kryengritësit kishin marrë arratinë drejt vendeve të padepërtueshme. Komandanti i Operacionit të Shkodrës N/Kolonel Xhemal Arianiti në Shkodër me 11.12.1926, bënte të ditur se “përveç 14 vetave që ishte njoftuar më parë nga kjo komandë ndodhën nën vërejtje 53 komitë prej Shale, Shoshi e Nikaj – Merturi, si dhe 110 vetë të tjerë prej Thethit, të cilët kanë marrë pjesë në kryengritje. Përveç të naltpërmendurve ndodhën këtu nën vërejtje edhe 129 gra e fëmijë prej Shale, Shoshi e Nikaj – Merturi” (Zef Harapi “Dukagjini, historia dhe etnografia”. Studim i viti 1949, fq 219)

U dogjën dhjetëra e dhjetëra shtëpi, katunde të tëra u grabitën, u therën bagëtitë, u plaçkit çdo gjë që nuk mund të merrej me vete.“Sot janë dorëzue prej komandantit Operativ Kapiten Prengë Previzi 67 kokrra dele dhe 23 krenë lopë e qe” (Zef Harapi po aty.) Mercenarët ngado që i ranë, shkatërruan vathët e bagëtive, duke i detyruar pleqtë, që kishin mbetur pa arratisë dhe plakat t’ua piqnin në hell, t’ua zinin mishin e bagëtisë, me qumësht madje edhe në planc të bagëtisë së therur se kështu u shijonte shumë më tepër.

Hapnin qypat e gjalpit e pjek petulla, të cilat i shoqëronin me mjaltë, ndërsa bletëve u fusnin flakën e barutit në derë të zgjojës. Bashibozukët shpërthenin kotecat e drithit e u jepnin për të ngrënë kuajve të tyre. Imoraliteti i tyre ç’njerëzor arriti deri aty, sa në Shalë marrin e lidhin një plak pas hellit të fërlikut dhe fillojnë ta rrotullojnë pranë zjarrit sikur të ishte ferlik.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

—————————————

Dossier NGA PRELË MILANI, 07 Korrik 2013

Rrëfimet rrëqethëse të dëshmitarëve të dhunës
TIRANE – Gratë e moshuara kujtojnë se si këta mercenarë të pacipë ua kanë marrë unazat në duar, vathët në vesh, rruazat në qafë, rrobat e çmueshme të arkës, çfarë nuk kishte bërë kurrë vaki në malet e Kanunit. E ndjera Dika Ndreu, 90 vjeç nga Shoshi duke kujtuar këto skena makabre nuk i harronte kurrë dhe ua tregonte me shumë urrejtje të rinjve: Burrat të gjithë kishin marrë arratinë. Zabitët me kapuça të shtypur erdhën në fshat.

Ma e para gjë që banë, më prenë cjapin e tufës. Morën dru nga turra e oborrit dhe mbasi e rropën cjapin e shkretë e futën në hell dhe duke qeshur e hallakatë filluan të kontrollonin nëpër shtëpi. Kërkojshin mjaltë, miell gruri për petulla, e gjetën aq sa u duhej nga mielli që kisha ruajtur për Këshndella. Morën miellin, filluan e më kërkuan qypin e t’lynit të cilin e thyen copë-copë sapo u banë në qejf me raki e verë. Petullat i donin me mjaltë, në fakt ne kishim bletë, por i kishim te stani në bjeshkë, po ata nuk ranë ngushtë për atë punë, pasi shkuan tek bletët e komshiut, të cilat ia qitën fare me barut tek dera e zgjojës.

Në dy tepsi të mëdha të mbushura plot e përplot morën me shqojtë mjaltit dhe ia filluan duke ngrënë petulla, mjaltë, mish të pjekur në hell, këndonin e shtinin me pushkë, talleshin duke më thënë:
– Plake, mos të dhimbet fort cjapi se do ta presim të tanë tufën e bagëtive, ndërsa një i pafytyrë më theu arkën e rrobave dhe mori një palë tirq të qepur për merak të burrit që i kish veç për shëtitje. Unë tërhiq e xhandari tërhiq e nuk ia lëshova. Pastaj ia mora një dru zjarri në dorë dhe i thashë:

“- Je burrë e mos shko i turpëruar nga një plakë, lëshoi tirqit e mos i prek se burri nuk kapet me gra!”.

Shyqyr zotit nuk e bëri ma të gjatë, por i lëshoi dhe ka doli ia futi shqelm ceremës së bukëve prej qerpiçi e ma bëri copë-copë. Ndërsa shokët e tij të marrosur nga vera që kishin pirë gjithë etje, të shoqëruar me mish të pjekur, kur dolën nga dera e shtëpisë më pyetën për gavixhin (enë druri me verë më e madhe se voza. – shënimi im) dhe pasi e pikasën se ku ishte, i hoqën çepin duke ma përmbytur dyshemenë me verë.

Kurse 91-vjeçari Nikë Mhilli nga Shala kujton me detaje:

– Kam kenë i vogël, 6-7 vjeç, kur erdhën bashibozhukët civilë zogistë e më prenë kaun, viçin dhe dy sqepa: Kazanin e mishit gjithë ditën e linin sipër zjarrit, mishin e zienin në yndyrën e vet, pa i hedhur asnjë pikë ujë. Secili prej tyre kishte punuar nga një hell druni, me të cilin gjuanin (si me harpunë) copat e mishit të pjekuna në kazan dhe i kollofisnin si ujq të uritur, kurse etjen e shuenin t’ue mrrotë nga një kungull vene për shoq.

Gjithë ditën këtë punë banin, del e sillu nëpër katund, plaçkit arkat e grave dhe hajde e rrasja mish tek kazani, i cili rrinte tuj zie 24 orë rresht. Kur pakësohej mishi, thernin bagëtitë e tjera ma të majmet që ua kapte syni në atë stinë të tmerrshme vjeshte.

”Pothuaj se gjithkund – thuhet ne raportin e konsullit Italian, dërguar Legatës në Durrës, – mercenarët kanë grabitur ose ngrënë bagëtinë, atë që nuk e merrnin dot me vete, e vrisnin. Në disa krahina si Shalë, Shosh, Nikaj, Mërturë shtëpitë janë shkretuar me shumicë dhe një pjesë e popullsisë është gjysmë e zhveshur” Në këtë situatë shumë shaljanë bashkë me familjet e tyre braktisën krejt katundin e vet dhe kaluan në Gjakovë, Guci e Plavë. Atje u grumbulluan edhe të arratisur nga Tropoja”. Më të fundit që kaluan kufirin sikurse njoftonte Ministria e Jashtme Italiane dhe ministri italian në Beograd, ishin kryengritësit e krahinës së Pukës. Por malësorët e arratisur nuk kishin ndërmend të qëndronin atje në tokë të huaj. Atje, ata u përpoqën të riorganizoheshin për të filluar përsëri në pranverë një kryengritje tjetër.

Vlen të theksohet një fakt shumë i dhimbshëm se në qoftë se shumë shaljanë arritën të kalojnë kufirin, si Mark Sadiku, Lush Prela e dhjetëra e qindra të tjerë bashkë me ta varg burra, gra me fëmijë përdore e kalibuç, gjithkush mund të ecte kishte marrë ikjen masivisht dhe duke qenë në kufi me Malësinë e Madhe, mundën të kalojnë fillimisht pa u hasë në ndonjë pengesë qeveritare. E njëjta dukuri vërehej edhe për banorët e Shoshit nga skajet me të largëta të tij, e njëjta shfaqje e trishtuar vazhdonte për toplanasit, temalasit, mertursit, karvane njerëzish të rraskapitur, të lodhur, të dërmuar nga rruga e gjatë, ngarkuar me plaçka e me djepe në shpinë, të uritur, të mjerë e pashpresë po i afroheshin Qafës se Pejës për të kaluar nga Malësia e Madhe në Jugosllavi, por këta të mjerë nuk e patën një fat të tillë.

Zogolli me hipokrizinë e tij dhelparake arriti të nxiste një krahinë kundër një tjetre, duke përdor me shumë sukses mercenarët e verbër si topxhi të dhunës e terrorit të shfrenuar ndaj kundërshtarëve, duke përdor reprezaljet masive ndaj një krahine të tërë, siç ishte Dukagjini në rastin konkret. Mercenarë të armatosur nga Kelmendi zunë Qafën e Pejës, duke i detyruar dukagjinasit të kthehen prapa në tokën e tyre të shkretuar, ku Hasan bek Bushati, Muharrem Bajraktari e kompani, vazhdonin operacionin e pamëshirshëm….

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

———————————–

SKEDAT, 07 Korrik 2013

Dokumenti, të dënuar në mungesë
AQSH Fondi 152. d 48, fleta 27. Viti 1927

Republika e Shqypnisë
Gjykata e posaçme për faje politike
Shkodër nr 45 i Vendimit

V E N D I M
Në gjyqin që rrodhi në mungesë të arratisurve jashtë Republikës Shqyptare

1- Ndokë Gjeloshi prej Shkodre (Shalë)
2- Muho Beqiri prej Kosove
3- Kolë Bibë Miraka prej Puke (Iballe)
4- Spiro Kosova prej Permeti
5- Dedë Thani prej Shkodre (Dukagjin)
6- Dom Loro Caka
7- Vas Kiri prej Shkodre (Kir Dukagjin)
8- Mark Sadiku prej Shkodre (Shalë)
9- Lush Prela prej Shkodre (Shalë)
10- Seit Meta prej Kosove
11- Dodë Nikolla prej Grude
12- Ndue Sadiku prej Shkodre (Shalë)
13- Kolë Dodë Marashi prej Puke (Iballe )

Këta persona, të derguem përpara gjyqit me vendimin e hetuesit për me u gjykue për faktkrim në pandehtësi për formim bandash te armatosura e luftim kundra fuqisë qeveritare me qëlim që të prishin qetësinë e të ndryshojnë formën e regjimit të vendosur nga Asambleja Kombtare.

Zotni prokurori tuj u mbështet të proceset e gjandarmarisë e arratisjes së tyre dhe luftimit të bamë në vise të ndryshme, kërkoi fajsimin e këtyre si principjal dhe pezullimin e Gjyqit të arratisunve të tjerë, mbasi asht tue mbledhë akte e fakte për to. Pra, simbas rrjedhjës së gjyqit, proçes-verbaleve të gjandarmarisë u vërtetue se të pandehurit e lartpërmendur kanë formue e komandue banda të armatosura dhe kanë ngritë popullin në luftë kundra fuqisë qeveritare.

Argumentet e dokumentet e lartpërmendura mbasi bindën ndergjegjën e trupit gjykues për guximin e të pandehurve të naltpërmendur, t’u tregue edhe pëlqimin e Prokurorisë me zana të përbashkët, u vendos fajsia e tyne me krim si formues e komandues bandash. Pra trupi gjykues ne bazë Art Nr 4, të Ligjës ndeshkimore për faje politike vendosi denimin me vdekje dhe në bazë të nenit 31, të po atij ligji konfiskimin e pasunisë së tundëshme dhe të patundëshme të tyre.

Shkoder, me 19.02.1927

Kryetari
Shefki Shatku
Antar: T. Mifali d.v, Sh. Frashri d.v, Xh. Dibra d.v, Gj. Deda d.v Array