Dhe fituesi është … Lulzim Berisha

0
91

Arben Rrozhani, 04.07.2013

– Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zyrtarizoi dje në mesditë atë që ishte përfolur: Hyrjen në garën për kreun e Partisë Demokratike të Shqipërisë, ku është i paracaktuar që të fitojë. Po kush është kryetari i ardhshëm de jure i partisë më të madhe të opozitës së nesërme? Nëse shikon në faqen online të bashkisë së Tiranës tirana.gov.al, nuk e gjen një biografi të kryetarit aktual të qeverisë së kryeqytetit.

Por biografia e kryetarit të ardhshëm të opozitës është shkruar në memorien e shqiptarëve, të paktën prej vitit 2004 dhe ajo është qëndisur nga mentori i tij, Sali Berisha. Lulzim Basha erdhi në Shqipëri në atë kohë, si pjesë e prurjeve të reja të partisë që synonte dhe më pas arriti të fitonte zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005.

Ai ishte kumbari i Damir Fazliçit, i sjelljes së kompanisë amerikane që kuroi fushatën e PD-së në 2005 BG&R, dhe më pas e lloj-lloj lobuesve dhe të përfituesve makutë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në qeverisjen e parë të Sali Berishës, Lulzim Basha mori postin e ministrisë së Transporteve, post që do ta mbante deri kur drejtësia të hapte një dosje të pasuksesshme ndaj tij. Me firmën e tij, rruga Durrës-Kukës iu dha firmës Bechtel-Enka pa kontratë, pa projekt dhe pa faturë financiare, duke i vënë buxhetit të vendit, një faturë financiare që vijon dhe do të duhet ta paguajë, bashkë me një shifër korrupsioni, prej të paktën 220 milionë eurosh. Në 2009, Lulzim Basha ishte ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Në prill të atij viti, bashkë me homologen greke Dora Bakojani, ndërsa pas qëndronin kryeministrat respektivë të Shqipërisë dhe të Greqisë, Sali Berisha dhe Kostas Karamanlis, ai do të firmoste famëkeqin Pakt Detar të ndarjes së ujërave mes dy vendeve, prej të cilit Shqipërisë i merrej një hapësirë ujore prej rreth 355 kilometrash katrorë dhe i cënohej rëndë integriteti territorial. Në 21 janar 2011, Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm në qeverinë e dytë të Sali Berishës. Ai ishte pjesë e zinxhirit komandues që dha urdhrin atë pasdite për ekzekutimin e 4 shtetasve të pafajshëm që qëndronin me duar në xhepa para selisë së qeverisë shqiptare, ku mijëra njerëz protestonin kundër rregjimit.

Në 8 maj 2011 ai ishte kandidati i PD-së për të marrë bashkinë e kryeqytetit. Nuk ia arriti, me gjithë mijëra emrat e dyshimtë të shtuar në lista, garazhe ku jetonin tre kurorë e dhjetra marifete të ndyra të manipulimit të votës. Por ai arriti me anë të kryeministrit, që inskenoi rinumërim të votave, që gjoja ishin hedhur gabimisht, duke kaluar nga minus 10 vota në epërsi dhe duke fituar me Kolegjin Zgjedhor një mandat krybashkiaku, ku u thoshte qytetarëve: “Ju jeni të parët”.

Sot pas mëse dy viteve, qytetarët janë të fundit, sidomos, pas vendimit të djeshëm për të qenë ai kryetari i PD-së, qytetarët e Tiranës janë jashtë liste. Tirana e qeverisur nga PD-ja në këto dy vitet e fundit, vendosi të votojë në shumicë të majtën, duke e lënë në pakicë, modelin Berisha-Basha. Ai ishte përgjegjësi kryesor i humbjes së turpshme të demokratëve, bashkë me mentorin e tij, që e pranoi humbjen, duke u zhdukur tre ditë pas 23 qershorit. Por ky është destini i të përzgjedhurit: Busulla e tij janë vitet e qeverisjes së Sali Berishës, si në PD, si në Ekzekutiv.

Ai e ngre në qiell Sali Berishën për atë trashëgimi tragjike që PD-ja ka krijuar prej dhjetorit 1990: Tradhtimin e idealeve të studentëve që krijuan një lëvizje, e cila më pas u mor nën patronazh të ish-spiunëve të Sigurimit, nomenklaturës komuniste të konvertuar në demokrate, përdhosjen e aspiratave për liri dhe demokraci, duke rikthyer partinështet, flakjen jashtë saj të çdo zëri kundër dhe mendimi ndryshe, që bënte zgjedhje si në 26 maj 1996, që masakronte opozitën si në 28 maj 1996, që rrënonte shtetin me firmat piramidale dhe që e dorëzonte atë në duart e kaosit.

Një parti që vishte lëkurën e qengjit për të bërë ujkun në Gërdec, vrasësin gjakftohtë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha llojet e pazareve të ulëta për të qëndruar në pushtet, deri te kërcënimi i qytetarëve për votën me bukën e gojës. Kjo është partia, trashëgimia e famshme të cilën e përmend Sali Berisha prej një jave. Këtë trashëgimi, që do të turpëronte çdo anëtar të thjeshtë të një partie simotër në Partitë Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe PD, prej dje zyrtarisht, dhe me një garë të sajuar të “një anëtar një votë”, e ka marrë me prokurorë një nxënës i zellshëm dhe besnik i liderit. Fituesi është… Lulzim Berisha