Largimi i PD-së nga e djathta

0
86

Besnik Mustafaj /ish-drejtues i PD-së, 03.07.2013

-…Qysh nga Kuvendi ynë i fundit Kombëtar para katërmbëdhjetë muajsh e deri sot, ne si parti, në përputhje me statutin tonë, kemi të ligjshëm vetëm Kryetarin e partisë, i cili është zgjedhur nga kuvendi në fjalë dhe nënkryetarin e partisë, Zotin Patozi, i cili me statut, duke qenë kryetar i grupit tonë parlamentar, është ex officio edhe nënkryetari i partisë. Nuk kemi patur, pra, de juro e as de facto as kryesi të partisë, as sekretar të përgjithshëm, as nënkryetar të dytë, as sekretariat e as gjykatë të partisë.

Kjo tablo flet vetë. Statuti është kushtetuta e partisë. Me shkelje të tilla të rënda të kushtetutës së partisë, ne japim detyrimisht përpara shoqërisë shqiptare një dëshmi shumë të keqe të vullnetit tonë politik për të ndërtuar një sistem ku prevalon ligji. Në praktikën e ushtrimit të pushtetit vërej se PD ka një largim gradual, por të vazhdueshëm nga identiteti i saj si parti e qendrës së djathtë. Janë iniciuar dhe vazhdojnë të iniciohen njëherësh politika të mirëfillta liberale, politika po ashtu të mirëfillta konservatore, dhe po aq shpesh qëndrime ndaj pronës apo politika sociale me përmbajtje të pastër të majtë.

Këto luhatje nga njëri ekstrem në tjetrin shpjegohen, sipas mendimit tim, me një frymëzim të tepruar populist të udhëheqjes së partisë, që e kemi në ekzekutiv. Ky eklektizëm identitar ka dobësuar ndjeshëm lidhjet e partisë tonë me shtresat shoqërore, të cilat për arsye parimore duhet të jenë mbështetja jonë kryesore. Ndër to do të veçoja ish-të përndjekurit politikë, ishpronarët dhe biznesin e madh. Më e pakta që mund të thuhet për këto dy shtresa është se ato kanë humbur entuziazmin në mbështetjen tonë. Me mënyrën e saj të funksionimit ose të mosfunksionimit gjatë kësaj periudhe të gjatë, PD është larguar dukshëm nga modeli i partive të djathta europiane.

PD është prej disa vitesh anëtare –vëzhguese në Partinë Popullore Europiane. Anëtarësia në PPE kërkon nga secili anëtar i partisë tonë e veçanërisht nga ne, që jemi në drejtimin e saj, të mbajmë vazhdimisht lart vlerat e shenjta, mbi të cilat mbështetet e djathta politike europiane. Këto vlera brenda Partisë Popullore Europiane, do të thotë brenda secilës nga partitë e djathta që e përbëjnë atë, sanksionohen si frymë lirie, por edhe si normë detyruese për të respektuar demokracinë e brendshme, ku përfshihet edhe mendimi ndryshe si pjesë e kulturës politike të djathtë. Unë propozoj… ndërmarrjen urgjente të reformave brenda partisë për ta modernizuar dhe demokratizuar atë, që të jemi në lartësinë e partive popullore europiane…

Vetëm duke ndjekur me guxim rrugën e reformimit të shpejtë e të thellë të partisë do të zbulojmë te vetja rezerva të reja për të përfunduar me nder mandatin e besuar nga populli për të qeverisur deri në vitin 2013 dhe do të jemi të përgatitur për të kërkuar një mandat të tretë. Shënim: Shënimi i mësipërm është shkëputur me shkurtime nga profili i z. Mustafaj në FB. Ai është riprodhim i Memorandumit paraqitur Këshillit Kombëtar të PD-së, në 6 shkurt 2011. Arsyeja e botimit ka të bëjë me aktualitetin e reformimit të PD-së dhe faktin se propozimet në fjalë, të para në kohë, denoncojnë “frymën liberale” që sot ish-kryetari Berisha, kërkon të shërbejë në funksion të një ndryshimi imazhi. Titulli është redaksional.