TemA Online, 2 Korrik 2013
Historiani Pëllumb Xhufi shprehet se humbja e thellë e PD-së në zgjedhje, ishte se më në fund shqiptarët vendosën të ndahen përfundimisht nga Shqipëria e të marrëve. Ai thotë se Berisha bëri atë që as Esad Pasha nuk e ka bërë me Shqipërinë. Duke folur në një intervistë për Shekullin, Xhufi pohon se Berisha ka një ngjashmëri të frikshme me Hitelerin dhe Musolinin.
“Mendoj se arsyeja që ndikoi më gjerë në këtë rezultat, ishte se shqiptarët u kujtuan, më në fund, se kanë një jetë për të jetuar dhe kanë fëmijë për të trashëguar, ndaj dhe vendosën të ndahen përfundimisht nga Shqipëria e të marrëve dhe t’i kthehen Shqipërisë reale, asaj të halleve. Në fund të fundit, aty jetojnë. Venitja e yllit të Jozefinës në këto vitet e fundit, apo refuzimi dhe neveria që shkakton tek çdo shqiptar i arsyeshëm Xhelal Mziu i “qytetit blu”, shënon, sipas mendimit tim, deri edhe një ndarje estetike nga modeli i një bukurie, i një mirëqenieje dhe i një kulture të rremë, me të cilat iluzionisti i fundit, Sali Berisha, u mundua të shushasë popullin e tij. Por, përtej estetikës politike, hendeku i krijuar mes popullit dhe berishizmit ishte shumë më tepër dramatik.
Shqiptarët panë se, në 100-vjetorin e shtetit të tyre, Sali Berisha po realizonte mu përpara syve të tyre modelin e tij të “Shqipërisë një euro”, ku rezultati më i dukshëm i politikave ekonomike është dhurimi i pasurive të vendit Fazlliçëve, Mishkoviçëve e Gaxojanëve të ndryshëm dhe sivëllezërve të tyre shqiptarë dhe kthimi i “së bukurës së dheut” në një kosh plehrash për mafien botërore; ku për hir të një pushteti të vjedhur, politika u shkri me krimin dhe nuk hezitoi as edhe të vrasë shqiptarë e të shesë interesat jetike të vendit, të luajë me varret, me kufijtë, me identitetin dhe me historinë e shqiptarëve, siç nuk kishte guxuar të bënte as vetë Esad Pasha në kohën e tij; ku “demokratura” berishiane, pasi përpiu çdo pushtet të pavarur e çdo qelizë lirie, rrezikonte të kthehej në arketipet klasikë të diktaturës. Vini re fjalimin “e ndarjes” të z.Berisha.
Ishte një shfryrje kundër popullit të tij: “ju jeni të padenjë për mua, ju nuk më meritoni”! Ngjashmëria me shembujt e frikshëm të Musolinit e të Hitlerit, nuk është e rastësishme. Edhe ata, pasi i fanatizuan dhe i çuan popujt e tyre drejt katastrofës, i bënë përgjegjës për dështimin e marrive të tyre”, shprehet Pëllumbi./b.l







