Dita Online, 1 Korrik 2013
Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo e quan të mbyllur kapitullin e Berishës. Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ ai thotë se figura e Berishës tashmë është jashtë politikës, pavarësisht se po përpiqet me thonj e më dhëmbë të qëndrojë sërish në politikë. Po cilat ishin mëkatet e tij që çuan në këtë dështim katastrofik? A rëndon përgjegjësia e humbjes vetëm mbi të, apo edhe mbi bashkëpunëtorët e tij? Çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike për ta rigjetur veten shtrish në politikë në periudhën pas-Berishiane? Të gjitha këto dhe një parashikim për sfidat që e presin qeverinë e re të drejtuar nga Rama, i gjeni nëintervistën në vijim.
–Në një intervistë pak para zgjedhjeve ju kishit parashikuar fitoren e koalicionit të majtë në 23 qershor. A e kishit menduar këtë fitore kaq të thellë?
-E kisha parashikuar qartë fitoren e së majtës, madje edhe fatin që Berisha do ta pranonte humbjen, por jo një fitore kaq të thellë, kaq spektakolare. Pse? Për shkak të mekanizmit të ligjit zgjedhor, që mendoj se gjithsesi duhet ndryshuar patjetër, pa asnjë lloj vetëkënaqjeje naive për të funksionuar kaq suksesshëm sa në 23 qershor. Më i saktë , më i drejtë është ligji zgjedhor proporcional kombëtar. Duhet kuptuar se kështu për vetë PS do të jetë akoma më mirë, por edhe për tërë partitë e tjera të spektrit politik.
– Cilat ishin mëkatet e Berishës që çuan në një disfatë kaq të madhe për të?
-Dua të ve nënvizoj se votimi i 23 qershorit është historik edhe për një rekord të vërtetë: 1 milion njerëz kanë votuar kundër Berishës. Mbase asnjëherë nuk do të ndodhë hë për hë një tjetër votim i ngjashëm. 1 milion vota në substancë kundër Berishës, që tregon se akti është tejet kuptimplotë, sovran dhe kundërthënës dhe afirmativ për një epokë tjetër politike pa Berishën, pra për një kohë pas-Berishiane në të gjitha kuptimet. Është jetike dhe inteligjente të lexohet dhe të përkthehet saktë ky akt i pashembullt popullor. Figura e Berishës tashmë është jashtë politikës, ndonëse është ende në politikë.
Edhe tek Ekleziasti thuhet se “ka një kohë për të fituar dhe një kohë për të humbur”.Berisha ka humbur, por nëmënyrë jo thjesht sempliste, apo thjeshtë të rotacionit mbas 8 vitesh. Disfata këtë herë është gati përfundimtare, pra diçka e mbyllur në histori. E pariparueshme si përsëritje ose si histori e dyzuar. Ka humbur si shëmbëlltyrë groteske, si arketip i mbrapshtë politik, si keqqeverisje e kushtueshme dhe retrograde, si një shkatërrim i vijuar në vite, si ligjërim i vrazhdë dhe i prapambetur i konfliktualitetit të neveritshëm politik, ka dështuar siautoritarizëm politik, e shkatërroi vetë PD, ka dështuar si konceptualitet.
1 milion votues në heshtje e kanë konfirmuar këtë gjë madhërisht nga poshtë më shumë se sa debati politik ndërpartiak këtë gjë nga sipër kemi pra një rast kur populli tregon një sovranitet dhe një vetëdijë të epërme për demokracinë dhe vetveten për fatin e tij dhe kahjen e zhvillimit, duke bërë një ndarje të fortë, të prerë me të kaluarën e një deformimi dhe të një demokracie të keqpërdorur, të alambikuar marrëzishëm, të një pseudodemokracie apokrife drejt së ardhmes së një demokracie të vërtetë. Mëkatet e Berishës janë mëkate të mëdha të çdo gjëje që simbolizoi dhe stimuloi ai rrëmujshëm dhe në mënyrë paradoksale, primitive këto 22 vjet. Mbaroi kështu etapa se si nuk duhet ushtruar, konceptuar dhe si nuk duhet bërë politika e gabuar në substancë në një rend demokratik, qoftë edhe të brishtë.
Kjo humbje i përket vetëm Berishës siç tha ai, apo edhe të tjerëve në stafin e tij?
-Kjo humbje është para së gjithash jo një humbje e zakonshme krejt normale në politikë – jo, është një humbje e paparë konceptuale, pra është një lloj katastrofë mendore, e ngjizjes së një politike të së djathtës në skajet më të gabueshme të personalizimit autoritarist të paparë, ku lideri është partia dhe ndërsjelltas, ku klanizimi i PD u kthye në një fatkeqësi historike për të, ku virtualizmi primitiv dhe i vrazhdë përfundoi në një zhgënjim të paparë. Humbja personalizohet si humbje tërësisht e Berishës dhe predikateve të tij, pra e çdo gjëje të klonuar prej tij, të stimuluar këto 22 vite prej tij. Pra jo thjesht individuale prandaj po e riktheksoj është humbje e rëndë konceptuale.
–Ju e dëgjuat fjalimin e dorëheqjes së Berishës. Shumëkush ka parashikuar një rikthim të mundshëm të Berishës sërish në politikë. Ju si mendoni, a ka gjasa të ndodhë kjo?
– Unë i dhashë pak a shumë përgjigje kësaj pyetjeje kur thashë pak më sipër se disfata këtë herë është gati përfundimtare, pra diçka e mbyllur në histori. Fjalimi i dorëheqjes (e paparashikueshme në fakt nga tërë analistët, madje edhe nga politikanët kundërshtarë) qe fakti se si Berisha e ravijëzon vetveten në histori, pra një lloj vetapoteoze e çuditshme. Por ajo që Berisha thotë për veten e tij nuk është e vërteta që historia do të thotë për vetë atë. Artikujshkruesit servilë dhe nostalgjikët klientelistë shkruan ditirambe dhe himne për të – por kjo s’ka të bëjë me analizën shkencore dhe vlerësimin e saktë historik të bëmave të tij. Berisha qe politikani si nuk duhet të ishte, dhe qe i tillë se nuk mund të ishte ndryshe, ose që duan ta apologjizojnë groteskërisht.
–Çfarë do të ishte mirë të bënte PD-ja në këto momente për të rimarrë veten?
– Ngaqë disfata qe konceptuale, duhet të rikonceptualizohet që nga fillimi në substancë, por në një substancë jo berishiane. Por kjo gjë do kohë, për fat të keq shumë kohë – dhe nuk do të jetë e lehtë aspak. Por statusi i opozitës do të ndihmojë në një ripërtëritje, të tjetërsuar nga e kaluara problematike si parti, si konceptim dhe si funksionim antidemokratik.
–Si e shikoni perspektivën e afërt të qeverisë së re të drejtuar nga Edi Rama?
– Çdo qeverisje është më e vështirë dhe më e ndërlikuar edhe nga fitorja më e madhe, kjo dihet. Kam shpresë dhe bindje se qeverisja e re me gjithë ndërlikimshmërinë e tmerrshme të sfidave që e presin do të shkruajë një faqe të re në historinë e politikës. Dhe kështu do të ndodhë më në fund!