TRATHTARËT E NATYRSHMËRISË!

0
83

R. Kasumaj, Berlin, fundmaji 2104

(Pledoaje etike)

1.
Të bezdisshme e shpresëpakta janë ditët e lojës elektorale të Kosovës. Figurinat që pështillen ndër sheshe, rrethuar truprojash e nga ata që militojnë si në trans, janë ose të pakultivuar ose të inkriminuar, ndonëse shpesh, gati si rregull, i kanë dy tiparet bashkë. “Gjithçka që thuhet në komunitet, duhet të çojë në dashuri” (thotë Shkrimi i vjetër), por ata nuk mund ta bëjnë këtë. Fjala a bëma e tyre s’përçon tjetër pos brëngë, urrejtje dhe helm. Mirëpo, për paradoks, tash sa vite ato nuk morën asnjëherë formën e votës refuzuese a të ndërgjegjës së organizuar qendrestare. Një gjëndje ambivalente ngurtësohet përherë: mëllefosje e zhgënjim i thartë, në një anë, dhe apati e mpakje, në anën tjetër.

Në demokracitë e mirëqena, ai që delegon vullnetin dhe tjetri që merr n’dorëzim atë, ndërtojnë një mirëbesim të ndërsjellë e absolut. Këtë (veç shtypit të lirë, avokatisë së shtetit…) do ta sigurojë, së paku në vendin e gjermanëve, dhe një institucion i veçantë, Këshilli i Etikës, që ndjek jetësimin e premtimeve fluturake, duke denoncuar vesin e lig të mospërmbushjes së tyre. Sepse, para se të shpërthejë kriza politike, fillimisht etika jep shpirt…Ky kallëzim faturohet rëndë qysh gjatë legjislaturës, e sidomos në mbarimin e saj, kur kërkohet sërish verdikti sovranor. Po edhe kur ajo s’është e tillë, apo kur, në një kapërcyell historie përdhunohet egërsisht duke nxirë jetën qytetare, aherë përligjen krejtësisht referencat e qytetnisë që (neni 35 i Kushtetutës franceze të vitit 1793) sanksionojnë të drejtën e Kryengritjes popullore për të rrëzuar kastën e molepsur politike.

2.
Po, anise ende e largët si yjet, një natë kisha një prehje çastësore që s’kje veç deshirake dhe, e tillë, do të tretej shpejt, si vesa, para diellit të së vërtetës hidhtuese.
Ndërsa ndiqja një edicion lajmesh pashë një politikan, një nga krerët që rreket ti prijë Kosovës, tek gjithë shend, mori kazmën në dorë në aksionin e rrëmujshëm për dëlirjen e Kryeqytetit. Kje një pamje aq mahnitëse, autentike dhe e hirshme në natyrshmërinë e saj.

Fqinjëronte me pikturën ideale… Më kujtoi dhe mote të ikura. Thuase kishte lënë bazën proletare dhe, për të mbushur kuotën klasore, si mësonin herët sovjetët popullorë, ishte ngjitur shkallësh të kierarkisë, e tani rikthehej simbolikisht tek lavdia e turmës. Veçse, me një diferencim të hollë e domethënës. Vegëza e përvijimit që pasonte shërbimet e pazë, është thelbësisht tjetërfare: në vend fijesh nga instanca e autokracisë, është nëntoka e krimit të karteluar, që e mban apo e shtynë përpjetë në fronin tempullor.

Sidoqoftë, për një çast, gjithësesi të shkurtër e mashtrues, pata një ngazëllim dhe ndjesi plotësie. Sa i kishte hije almisja e dashur, mendova. Ndaj, s’kish si të mos thoshja: ja si do të dukej rendi i mbarë i gjërave. Pa përçmim për kazmën e bekuar bukëdhënëse, ky liderth fjalëkotë e me hijerëndesë të stisur, ashtu duhej të ngryste orën e tij. Sepse, ajo e ai, të ndarë padrejtësisht, rivendosën lehtësisht dhe përplot emocione e ngrohtësi, marrëdhënien e prishur të mirëkuptimit, si mes dy të njohurish të vjetër. Statura e palëmuar e tij, përdorimi i veglës, gjuha burimore, mandej dhe ashpërsia finoke e saj (as ajo s’krenohet dot për elokuencë) e, pse jo, nevojësia kontributore – a nuk jepnin mallëngjimin e djegshëm dhe harmoninë e përkryer? Lamtumira e tyre aksidentale kje një mëkat, një rrëzomë pasojash largvajtëse për Republikën e mosvarme…Ato ndihen gjithkund e do të krusmojnë më shumë, vdekshëm më shumë në kohët që vijnë!

Se, gjithësesi i lig është kaptimi, tashmë i kryer, i udhës së matanshme: sfida e vizionit dhe moralit, është, thjeshtë, e papërballueshme për të a tipologjinë e shartuar të llojit. Madje dhe ëndërrliga e kamjes prrallore apo shndrizës meteorite, nuk bëjnë një ngushëllim të paqëtuar. Kosova, sado e vogël dhe e vetmuar, i ka duruar gjatë, por ka ditur ti mallkojë përjetë sundtarët e zinj.

3.
Por, jo! Ekuilibrat janë përmbysur.Thënja e Niçes se kudo që ka një luftë, ajo është luftë për pushtet, sikur gjen në këtë copëz të ishulluar mbrapsije, pasqyrimin dhe dëshminë e vet të mnertë. Kështu ishte gjatë, këputshëm gjatë. Janë ndërruar sundtarët, por pothuaj gjithçka vulosej prej të drejtës së mujshisë verbtane. Shqiptarët vetë i përfaleshin fuqisë dhe përtallnin dijen, magjinë e saj çliruese. Nuk patën dhjetë shekuj inteligjencë (Kamy) që të mësonin artin e barasvlerësimit ekzistencial mes forcës dhe njohurisë. Ndaj, mendtarët nuk i lënë as të vdesin denjësisht, ndërkohë që “trathtarët e kazmës” bujare dhe, më pas, të vetë idesë së shtetit, rrëmbejnë parësinë e keqsundojnë!..

Harbohen në ethe triumfi me përkushtim shtinjak për punët e mëdha, ndërkohë që kanë vënë në furrik favoresh klanësit e shumtë, e s’dinë a s’duan të kenë imagjinatë dhe ndjesi detyre për statusin e njeriut të vogël, atij që u kalvaros netësh bizantine, e përulet sërish… Pikërisht kështu portreton Enciklopedia e britëve ballkanësin tipik, të shplarë në ndërdymjen groteske: servil ndaj eprorëve dhe mizor ndaj vartësve. Përveç kësaj amze gjallimi, titullari i epërm politik i Kosovës, gjithnjë i dyzuar, ka dhe suplementin vendar, këtë ndajshtesë t’rrallë të hipokrizisë përfekte. Është viktimë e dyfishtë e shantazhit rrënues: me hipotekë faji para të huajve dhe, si pacient kronik i tyre, shantazhues i pamëshirë ndaj të vetëve.

A do ta iluminojnë atë ciklet e normalitetit elektoral dhe kur? A mund ta krijojë një format të emancipuar politik, pararendësi, mentori i tij vulgar, vjedhës e vrasës? Që vulgarizon miljeun social dhe vjedh e vret të ardhmen e brezave të pafat? Vështirë! Ata, (me pak besë të vakët tek kauza e Vetëvendosjes) fosilë nga të gjithë ngjyrat e distinktivët, riqarkullohen në rreth të mbyllur. Kultura e munguar e ndëshkimit dhe teknologjia plutokratike e pushtetësisë, i mban në bashkëjetesë nga një alternancë në tjetrën, deri në lodhje. Deri aherë kur një ftomë a rrëfe e botës ti marrë në pakthim. Po ky është një ngushëllim i vogël. Stuhi të tilla rrokullisëse nuk ndodhin shpesh dhe, fundja, përse duhet vetëvuajtur me gëzim në pritje qindvjetësh të rinj?

Ndonjëherë ndotësia shihet më qartë prej distancës, por zgjedhja është prore autoktone. Ndërkaq, frymëzimi i largët frëng gëzon, tashmë, statusin e shkollës që ka dhënë provën e parrëzueshme të kthjelltësisë.

Të luftosh të keqen jashtë teje dhe, poashtu, atë brenda teje, nuk është e njëjta gjë, por caku a epilogu është gjithmonë ai: qenja i lirë! Kjo e dyta, madje, është poaq e lartë e sublime. Rrezja e reflektimit civil, e dyshimit të paprerë, pa drojë e lëkundje, për despotitë nacionale, janë fryma e gjallnisë ndanë trishtimit të vetëkalbjes. Aroma e jaseminit nuk përhapet dot përballë erës, por ajo e virtytit shkon dhe kundër saj, deri në skutat më të errta të Rruzullimit, (fliste Buda) e, unë, teksa lexoja në një revistë berlineze titullin vëmendës që përshfaqte merakosjen e bijëve të këtij Dheu të madh:” Europa duhet ta konfirmojë vlerën e saj, ndryshe, do ta kapërdijë thithka globaliste”, shprehja çudinë sesi e gërryejnë krijesën vetiake elitat kosovare dhe, njëkohësisht, sesi relatorët e specializuar, i prezantojnë të poshtëvënët e tyre me shkallë të zjarrtë optimizmi e lumnie!

Mitet e besimet e lashtë, shpesh diktojnë sjelljet mondane. Mbase punë boshe, por biles, meriton nder e përfillje, përpjekja për mirë e fatësi. Një bestytëri kineze, Fengshui, parathotë kob kur Shtëpia ngrihet me portën në drejtimin e gabuar. E, me gjasë, Porta e Kosovës është vënë andej, nga nuk e hapin dot rrëshqanorët e kohës sonë…

Ajo lëngon për gjak e dritë të re. Megjithë interesin për aleancat jetike, asnjëra syresh, as drita as gjaku, nuk gjenden jashtë truallit arbënor. Janë aty, bimësi e parë e fillimjetës!…