Forca e votës

0
57

Nga: Mimoza Kusari Lila, 26.06.2013

Java dhe muaji para nesh do të kalojnë me diskutime për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Me rezultatin i cili befasoi edhe vetë të majtën dhe trandi të djathtën, Shqipëria dhe shqiptarët treguan se duan domosdo ndryshimin duke kapërcyer edhe profilizimet politike. Në Shqipëri nuk ndodhi diçka më ndryshe se në vendet tjera evropiane, ku pushteti ndërrohet dhe profilet politike bien nën hijen e zgjidhjes së problemeve të cilat rëndojnë shoqërinë.

Zgjedhjet në Shqipëri dhanë sinjal të qartë të refuzimit të një politike, për arsyet të cilat vetë shqiptarët i dinë më së miri se i kanë jetuar çdo ditë, por edhe angazhimin të cilin fituesit e zgjedhjeve duhet ta bëjnë. Me fitoren e të majtës Shqipëria vendosi të ndërrojë kurs të qeverisjes, por asgjë nuk është e garantuar. Ndryshimi i cili ka ndodhur, vetëm tregoi se fushata e PS-së ishte e suksesshme dhe e pranuar. Por a do të jetë qeverisja e PS-së ndryshe, mbetet të shihet. Është sikur promo e filmit të cilin vendosim ta shohim. Skenat dhe imazhet të cilat u shfaqën u pëlqyen shqiptarëve.

Muzika dhe emocioni i promos së PS-së ndezën Shqipërinë t’u besojë vendi, tani është koha për të performuar në formën e cila do të mbajë ndezur atë emocion dhe të përformojë sipas pritjeve, nëse mund të bëhet një gjë e tillë.

Ky ndryshim në qeverisje ka një domethënie të veçantë për Kosovën dhe agjendën e sjelljen politike në Kosovë. Ky ndryshim i rëndësishëm është një rikujtim për të gjithë ne në politikë se populli vështron dhe mban mend, por edhe ta tregon mendimin e vet pa hezitimin në kohën kur kërkohet mendimi i tyre, ditën e zgjedhjeve. Ndryshimi ka treguar se edhe popujt në Ballkan kanë filluar të mendojnë jashtë kornizave të sistemeve të mëhershme të cilat karakterizuan Ballkanin.

Për qytetarët kosovarë është e rëndësishme të kuptojnë se pjesëmarrja e tyre aktive në jetën politike jo vetëm që është forma më e mirë e ndryshimit të kursit të qeverisjes, por edhe është mënyra më e mirë për ta reformuar partitë politike.

Në Kosovë mendohet ose besohet shpesh se zgjidhjet për problemet janë të paraaranzhuara nga një forcë madhore, apo nga një agjendë e planifikuar. Ky mendim jo vetëm që merr mundësi për ndryshim nga e sotmja, por e cenon edhe të ardhmen. Lë mundësi të parealizuara si një shans i humbur që kushton një mandat të tërë.
Me ndryshimet e realizuara në politikë, votuesit tregojnë forcën dhe faktin se janë sovrani i vërtetë në secilën demokraci. Forca e votës është ajo e cila na jep shansin për të punuar, por edhe na merr të drejtën e punës nëse nuk e kryejmë punën si duhet. Ngjarjet si ajo e Taksim sheshit, na japin ndjenjën e rishikimit të besimit të fituar. Populli shikon dhe jep mendimin. Por ditën e votimit e jep gjykimin.

Që ky proces të jetë sa më i drejtë dhe i sigurt, dialogu i mirëfilltë në proces është qenësor. Rekomandimet dhe mendimet pa paragjykime dhe personalizime ndihmojnë secilin vendimmarrës. Jetojmë në kohën e etiketimeve dhe gjykimeve me dhe pa bazë. Jo rrallë lexoj artikuj për punën apo performancën e dikastereve të cilët bazohen në interesa personale apo në agjenda personale të atyre që japin mendime apo hulumtojnë tema. Demokracia i lejon edhe këto performanca, por jo deri në shkallën kur humb sensi i të vërtetës apo pavërtetës. Ky sens demantohet nga faktet, nga suksesi apo nga dështimi i politikës. Faktet flasin më shumë se fjalët, prandaj të mësohemi të lexojmë, komentojmë dhe bazohemi në fakte.

Kosova ka nevojë për debat të mirëfilltë politik, për ngritje të nivelit të dialogut, për analiza të mirëfillta, për depersonalizim dhe demitizim të figurave dhe proceseve. Ajo çfarë po ndodh me ne është proces normal i transformimit shoqëror, i cili gradualisht do ta dërgojë Kosovën në fazën prej proceseve historike dhe të veçanta, në procese të zakonshme zhvillimore.

A do të lëvizim më shpejt apo më ngadalë në këto procese, do të varet nga forca e votës dhe asgjë më shumë ose më pak. Kosova nuk do të ketë zgjidhje magjike për problemet e saj, por duhet të ketë zgjedhje fer dhe të lira, pa frikën e vjedhjes, kërcënimit apo hakmarrjes siç na ka ndodhur jo rrallë në nivelin lokal dhe qendror.

Jemi demokraci dhe të gjithë duhet të besojnë në të dhe të sillemi si të lirë.
Rasti i Shqipërisë dhe ndryshimi atje, pa paragjykuar qeverisjen e ardhshme të PS, duhet të shërbejnë si konfirmim për të gjithë ata që shpesh humbin shpresën në zgjedhjen e lirë dhe demokracinë. Sikur mos të ndodhte vrasja dhe plagosja në mëngjesin e zgjedhjeve, do të ishte shembull ende më i mirë, por ndryshimi askund nuk është i lehtë.

Të mësojmë nga gabimet e të tjerëve, mos t’i përsërisim, por të krijojmë rastet dhe fitoret tona. Kosova ka nevojë për besim më të madh në demokraci dhe vlerat e saj.