Nga Sadedin Çeliku
Si rregull dorëheqja e një qeverie ka një kosto, jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Ajo shpesh bëhet veprim i domosdoshëm për shkak se gjatë rrugës qeveritë apo ministra e individë të caktuar bëjnë gabime, të cilat prodhojnë kriza, të cilat shkarkohen në fund të fundit te populli. Sidoqoftë, dorëheqja është akt civil dhe numri një i një demokracie të vërtetë. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, por këtu, nëse dikush e bën, e quajnë budallallëk, sepse, sapo emërohesh, posti certifikohet dhe trajtohet si pronë. Ka dhënë dorëheqjen Sokol Nako, i cili bëri një aksident me makinë, edhe pse kryeministri i asaj kohe nuk deshi ta pranonte. Gjithashtu është dorëhequr Fatos Nano dy herë si kryetar partie dhe po aq si kryeministër.
Me thënë të vërtetën, dorëheqja e tij nuk është aq e argumentuar, por gjithsesi është akt i lavdërueshëm. Dorëheqja e tij ka qenë e lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit në vitin 1998, që në fakt pati disa të dënuar. Për të njëjtin veprim, kryeministri i sotëm z. Sali Berisha, nuk dha dorëheqjen me vrasjen ende të pazbardhur të deputetit Fatmir Xhindi. Nëse për rastin e parë u futën disa në burg, për të dytin, edhe pse po mbushet viti, nuk është gjetur asgjë dhe drejtësia hesht.
Por çfarë duhet të bëjë një qeveri që të japë dorëheqjen? Deklarata të tilla për përmbytjen në Shkodër, se për fat nuk mori jetë njerëzish, janë qesharake. Nuk është serioze që mediet e qeverisë të tallen me njerëzit që vuajnë tragjedinë, duke thënë se po bëhen sondazhe, sipas të cilave qeveria e ka përballuar mirë situatën, se i gjithë populli mbështet qeverinë në këtë sipërmarrje etj. Nuk ka nevojë populli për këto mesazhe politike dhe jo dashamirëse.
Çdokush e merr me mend se jeta e njerëzve është e shtrenjtë dhe se kjo tragjedi nuk kishte lidhje direkt me marrjen e jetës. Ajo që ka lidhje me jetën e tyre dhe që është shumë e rëndësishme janë dëmet ekonomike, ekologjike dhe materiale, të cilat janë të pariparueshme dhe të pakompensueshme. Ato familje kanë investuar gjithë jetën e tyre për shtëpitë, tokën dhe gjithë infrastrukturën.
Ndodhi shpërthimi në Gërdec, vdiqën 26 njerëz dhe nuk u nxor asnjë përgjegjësi, jo vetëm penale, por nuk dëgjuam t’u thotë njeri atyre fakirëve: “Na falni.” U vranë 16 minatorë në Bulqizë dhe askush nuk foli e mbajti përgjegjësi. Më së paku duhet të ishte shprehur z. Ruli, ministër i asaj linje. U fol dhe u përfol sekseri serb, Fazlliç, për afera në Shqipëri, dhe u mbrojt me mënyrën më të keqe. U mbytën shtatë njerëz në liqenin e Butrintit dhe askush nuk tha një fjalë. Ra tërmeti vitin e shkuar në Peshkopi, ku shkoi për vizitë dhe kryeministri që premtoi kompensim deri në qindarka, por nuk ndodhi gjë dhe askush nuk u kompensua. Nuk merr pjesë në parlament opozita dhe akuzohen të gjithë me fjalorin më të keq në vend.
Të gjitha këto janë kriza, të cilat mazhoranca nuk i ka zgjidhur. Dhe meqë nuk është e zonja që t’i zgjidhë, rruga e vetme, e ndershme dhe demokratike është dialogu dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Tashmë e dinë të gjithë se rezultati i zgjedhjeve është krejt tjetër dhe nuk pasqyron vullnetin e popullit. Zgjidhja duhet bërë shpejt. Asnjëherë nuk është vonë.