Kush e pa mbretin lakuriq?

0
35

Nga Andi Bushati, 26 Qershor 2013

Humbja plebishitare e Sali Berishës është gjithashtu edhe humbja e një pjesë të mirë të elitave të Tiranës. Disfata e tij, më e rënda në 23 vite për PD-në, që sot numëron më pak se 40 deputetë të vërtetë demokratë, është edhe ajo e të gjithë atyre që nuk e kuptuan përmasën që do të kishte. Deri në ditët e fundit, mundësia që përmendej më shumë qe ajo e një gare me fotofinish. Diskutohej se humbja apo fitorja do të lëvizte për pak gjë, vetëm në një, dy apo tre qarqe si Tirana, Berati apo Fieri. Në fakt rezultatet tregojnë se Sali Berisha u përmbys kudo, bindshëm, më forcë dhe shpeshherë edhe në mënyrë të turpshme.

Si një nga njerëzit që kam menduar se fitorja e opozitës do të ishte tejet e ngushtë, madje, madje se ajo mund të rrezikohej nga ndonjë manipulim i mundshëm si ai i majit 2011, shpesh i kam bërë vetes pyetjen këto ditë: pse nuk e parashikuam këtë që do të ndodhte? Pse menduam se rezultati do të qe në fije të perit? Pse edhe ne, që e dinim se këtë mandat të dytë Berisha s’kish asnjë bilanc pozitiv, se arritjet e tij të vetme qenë të vrarët e 21 janarit, promovimi i ideatorëve politikë të Gërdecit, prekja e votës, privatizimet klienteliste, pasurimi i fëmijëve dhe dështimi ekonomik, pra, pse edhe ne që ishim të bindur për të gjitha këto, nuk e imagjinuam se ai do të dërrmohej nga vota popullore?

Të gjitha këto pikëpyetje e kanë përgjigjen vetëm tek një fakt, që është edhe një nga shkaqet kryesore të disfatës së sotme të Berishës: falsiteti i regjimit që ai tentoi të ngrejë.

Kjo gënjeshtër, kjo butafori nuk përfaqësohej vetëm nga Berisha. Ajo nuk qe vetëm çmenduria e njeriut me rini të përjetshme, me rekorde në not dhe në ngjitje lartësish, që do na printe edhe në 35 vitet e ardhshme. Nuk qe vetëm fluturimi i përçartë i prijësit që i fliste njerëzve në mjerim, për rekorde alla gjermane dhe për superfuqi energjetike në rajon. Jo, ajo qe më shumë se kaq. Në shërbim të saj u vu një luzmë servilësh që përkrahnin dhe zbukuronin çdo xhevahir që dilte nga goja e udhëheqësit. E atyre që luftonin me idenë se për të mbrojtur gardhin e kryeministrisë duhej vrarë. Se fajtorë nuk qenë vrasësit, por ata që ua çuan në shteg.

Se për të vjedhur fitoren në filigran të liderit të opozitës, duhej mbështetur alibia e numërimit të çdo vote. Se në batërdinë që u bë me koncesionet e hidrocentraleve kishin përfituar edhe kushërinj të socialistëve. Se me njerëzit e fabrikës së vdekjes ishin të lidhur edhe opozitarët. Se vjedhja skandaloze në Rrugën e Kombit ishte një shpikje e atyre që s’e donin kombin të bashkuar. Se shpërthimi i Gërdecit qe një krim i atyre që s’e donin Shqipërinë në NATO. Se për të shkuar në Europë s’na pengonte asgjë përveç tre ligjeve. Se udhëtimi pa viza drejt Amerikës, qe një ëndërr që mund ta plotësonte vetëm Berisha.

Pjesë e pandarë e kësaj makinerie gjigande propagande qe edhe demaskimi dhe frikësimi i atyre zërave që donin të denonconin këtë falsitet. Këtij mekanizmi i printe Sali Berisha dhe më pas e ndiqnin kamikazët e tij. Kështu, çdo gazetar që donte të publikonte një të vërtetë quhej çakall ose çimkë. Çdo prokuror që guxonte të hetonte çështje që s’i pëlqenin pushtetit, quhej i lidhur me krimet e komunizmit. Çdo inxhinier që fliste se përmbytjet e veriut qenë bërë për shkaqe njerëzore, quhej sabotator dhe i paaftë. Çdo gjeograf që donte të mbronte kufijtë ujorë të Shqipërisë, quhej smirëzi dhe hatërmbetur.

Me këtë teknologji, që zakonisht e aplikojnë regjimet që kanë shmangur edhe votën e lirë, u krijua një mbirealitet që iu sipërvendos gjendjes së vërtetë që njerëzit shikonin dhe preknin për ditë. Qe pikërisht ky mbirealitet që bashkë me shantazhin, korruptimin, klientelizmin dhe paaftësinë e një pjesë të shoqërisë sonë për rezistencë, bënë që në tetë vite të zbeheshin dhe të dorëzoheshin të gjithë kundërpushtetet.

Nën këtë trysni, gjykatësit nuk i jepnin dot më përgjigje se pse në Rrugën e Kombit kanë humbur mbi 300 milionë euro, por nuk dihet se kush i ka marrë. Se në zgjedhjet e Tiranës (ku diferenca qe vetëm 10) ka 260 vota më shumë se votues, por nuk ka dihet se kush i ka futur. Se në 21 janar ka pasur të vrarë, por nuk ka pasur vrasës. Se ka pasur video, po s’ka pasur zë. Se fëmijët e Berishës dëmshpërblehen kur shahen, por fyerjet e babait të tyre janë të pandëshkueshme.

Nën këtë trysni OJQ-të vazhduan të bëjnë studime që konfirmonin mrekullinë ekonomike të Shqipërisë, arritjet e sistemit të taksimit, madje arritën deri në përfundimin se Berisha qe viktimë e dhunës verbale të kundërshtarëve të tij.

Nën këtë trysni, pushteti mediatik shkoi drejt atrofizimit duke u ndarë në dy grupime të mëdha: në njërën anë atë që i thurnin hosana liderit dhe në anën tjetër ata që e kritikonin me dorashka.

Ky qe modeli që arriti të imponohet. Një sistem ku makineria e propagandës përcakton idetë mbizotëruese në debatin publik. Ku kundërpushtetet vijnë e zbehen me kalimin e kohës. Ku zërat e lirë izolohen. Ku kritikët nëpërkëmbën. Ku servilët dhe glorifikuesit ngrihen në piedestal.

Pikërisht ky falsitet i ngritur në sistem, qe një nga shkaqet kryesore që e dënoi rëndë Berishën dhe e bëri atë që deri në fund mos e kuptonte realitetin. Pikërisht ai diskreditoi deri në skaj mbrojtësit dhe endësit e tij. Por, kjo butafori, bashkëjetesa me të, nuk na la pa pasoja edhe ne të tjerët që besuam se në 23 qershor Berisha do të mundej në mënyrë dinjitoze. Megjithëse nga njëra anë i dinim mëkatet e kësaj qeverisjeje, nga ana tjetër u gjendëm të rrethuar nga temat e njëanshme të studiove televizive, nga raportet e rreme të OJQ-ve, nga vendimet justifikuese të gjykatave.

Nga mendimi dominant i elitave të Tiranës, qenë të paktë ata që mbetën të painfektuar. Ashtu si në rrëfimin e famshëm të Hans Kristian Andersenit, në një farë mënyre të gjithë filluam ta shohim mbretin të veshur. Të ndikohemi nga tregtarët që endnin përditë pëlhurën e tij të mrekullueshme. Deri sa një ditë, ashtu si ai fëmija i rrëfimit, shqiptarët vendosën të tregonin më votë se ata e shikonin ndryshe mbretin e tyre. Lakuriq. Krejtësisht cullak. Ndryshe nga ai i përrallës që u thur për tetë vjet. Ndryshe nga ai i këtij rrëfimi dhe që nuk dënoi vetëm ata që e krijuan, por që bëri të gabojnë edhe shumë të tjerë, që u ndikuan vetëm duke e dëgjuar.