Ngjela: Populli shqiptar arriti një fitore të madhe. Berisha të pranojë sa më shpejt humbjen

0
40

TemA, 24 Qershor 2013

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, doli në një prononcim për mediat nga selia e Partisë Socialiste.

Ngjela tha se kjo ishte një fitore e madhe e popullit shqiptar.

“Isha tek kryetari i PS dhe i opozitës dhe i urova me gjithë zemër fitoren.

Kjo nuk ishte një fitore vetëm e opozitës, kjo është një fitore e madhe, që në fillim të këtij shekulli populli shqiptar arrin në rrugën drejt lirisë dhe demokracisë.

Është një nga gjërat më madhështore që kanë bërë shqiptarët në rrugën drejt Perëndimit.

U largua një regjim barbar që sorollatet prej 100 vitesh në Shqipëri,” tha Ngjela.

“Këto votime do jenë çlirimi përfundimtar i të gjithëve. Të papunët të nisin të shpresojnë, pronarët të fillojnë shpresën e tyre drejt lirisë dhe demokracisë përmes ligjit. Të gjithë jemi çliruar sepse do të kthehet dinjiteti i shtetit shqiptar.

Shqiptarët përfundimisht e treguan veten se janë një popull dinjitoz, që po shkon drejt Perëndimit duke flakur mbeturinat që i kanë marrë frymën këtij vendi.

Sa më shpejt të pranojë humbjen ky kryeministër, aq më mirë do jetë për të dhe për shoqërinë,” vijoi kryetari i PLD./ep