BBC: Në Shqipëri ka një pakënaqësi të madhe me qeverinë e Berishës. PS, 9 pikë përpara PD-së

0
46

TemA, 20 Qershor 2013

Tani që zgjedhjet po afrohen, mediat kryesore në botë kanë nisur që të raportojnë për to, duke kërkuar madje akreditim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjigandi britanik, BBC, sjell për lexuesit e saj sot një rubrikë me pyetje- përgjigje në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Në fillim thuhet se këto zgjedhje shihen si një test i rëndësishëm për anëtarësimin e vendit në BE.

“Edhe këtë herë fushata ka qenë e hidhur. Ka një mosmarrëveshje në lidhje me përfaqësimin e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e listave të zgjedhësve si dhe akuza për blerjen e votave dhe presion të qeverisë mbi punonjësit e sektorit publik,” shkruan BBC.

Sipas rrjetit britanik, programet e dy partive janë të ngjashme. Ato mbështesin integrimin në BE dhe premtojnë zhvillim ekonomik, reformë në taksa dhe krijim vendesh pune.

Në lidhje me pyetjen se a do të jenë këto zgjedhje të lira dhe të ndershme, BBC thotë se çështja kryesore qëndron tek KQZ-së, që po operon pa opozitën.

Po ashtu theksohet se opozita ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e listës së votuesve. Socialistët thonë se ka mbi 25 mijë dublikata dhe 352 mijë votues nuk kanë një adresë të saktë.

Pyetjes se çfarë thonë sondazhet, BBC përgjigjet duke theksuar se një sondazh i bërë në maj, me 1600 të pyetur, e vendos koalicionin e PS-së në avantazh me 49 përqind në krahasim me koalicionin e PD-së me 40 përqind.

“Sondazhi tregon edhe 60 përqind mosaprovim për qeverinë e Berishës, 17 përqind thonë se janë deri diku të kënaqur me të dhe vetëm 7 përqind janë të kënaqur”.

BBC thekson po ashtu se ka edhe një apati të gjerë pasi një sondazh tjetër në maj tregon se 49.5 përqind e votuesve kanë pak interes për fushatën zgjedhore dhe 17.9 përqind thonë se nuk janë të interesuar fare./ep