Komplekset që kanë krijuar “Kompleksin e Edipit” tek Sali Berisha

0
51

TemA, 20 Qershor 2013

Për të gjithë ata që janë konfuzë, Kompleksi i Edipit nuk ka thelbësor incestin me mamanë, ku Berishës i shkon gjuha. Kompleksi i Edipit, më shumë se sa incesti me nënën, ka të bëjë me fatin e paracaktuar për Edipin nga Dodona, që e ka paralajmëruar Edipin se do ta vrasë Lain dhe do të martohet me Jokastën që ishte nëna e tij. Miti i kompleksit të Edipit ngrihet mbi faktin se atij ju paracaktua fati.

Edhe tek Sali Berisha, Kompleksi i Edipit ka të bëjë pikërisht me paracaktimin e fatit të tij nga komplekset që ai ka dhe jo nga perceptimi i tij spontan si incest me nënën, pavarësisht se gjuha i shkon aty.

Le t’u hedhim një sy komplekseve që po diktojnë fatin e Sali Berishës në këto zgjedhje.

Kompleksi i parë është kompleksi i të qenit shërbëtor i komunizmit. Vini re që ai akuzon kundërshtarët e tij me gogolin e Bllokut. Flet për neobllokmenë, që ai do t’i shkatërrojë siç pretendon se ka shkatërruar dhe baballarët e tyre… E thotë këtë një njeri i kompleksuar nga e shkuara si sekretar partie, si doktor i Bllokut dhe varkar i familjes se diktatorit. Duke qenë komunist dhe sekretar i Partisë së Punës, ai ishte ndër të parët për shkatërrimin e kishave dhe xhamive, ishte i pari në transhe për të përballuar një sulm të mundshëm të NATO-s, ishte betuar, si çdo komunist tjetër, që të luftonte imperializmin dhe revizionizmin dhe të përhapte mësimet e marksist-leninistit të madh, shokut Enver (këtë të fundit në fakt e ka realizuar).

Asnjë prej politikanëve të rinj të sotëm nuk ka qenë në Bllok; vetëm Saliu kishte të drejtë të hynte si mjek i nomenklaturës së lartë komuniste, vetëm ai kishte mundësi të dilte në foto krah Hysniut, Simonit etj, anëtarë të lartë të Byrosë Politike të kohës dhe sekretarë të KQ; vetëm ai mund ta kalonte fundjavën me familjen e Enverit, dhe i vetmi politikan aktiv, që ka një galeri të tërë fotosh me anëtarë të Byrosë Politike dhe fëmijët e diktatorit. Duke pasur mizën në kësulë, ulërin nëpër sheshe dhe ekrane për komunistë e bllokmenë imagjinare, etiketim për politikanët e majtë, që në kohën që varkari i Enverit shëtiste në Bllok, shumica nuk kishin lindur akoma.

Kompleksi i dytë i tij është kompleksi i hyrjes në histori. Ai kërkon të mbetet në histori si Skënderbeu (në çdo takim katundaresh e brohorasin si Skënderbe), të futet në krah të Ismail Qemalit dhe të Zogut, madje më shumë se të gjithë këta: të mbetet themeluesi i Shqipërisë moderne. Në çdo fjalim të tij, historia jone nis me daljen e tij në skenën politike, me krijimin e PD-së si ngjarja më e madhe historike, me heqjen e vizave, si realizim i ëndrrës më të madhe shekullore të shqiptarëve (a thua se shqiptarët kërkonin viza për të lëvizur shekuj më parë), me futjen në NATO, “ngjarja më e madhe historike pas shpalljes së pavarësisë”, me ditën historike të ardhjes së Bushit, “ditë që mund të krahasohet me 28 Nëntorin”, me arritjet historike të qeverisë së tij, që ka tronditur francezët, italianët, gjermanët dhe botën mbare dhe tanimë së fundi me përurimin e tunelit të Krrabës, “vepra më e madhe e historisë pas Rrugës së Kombit” dhe që na “bën krenarë”.

Nuk i ka lënë gjë udhëheqësit të tij shpirtëror, Enverit. Dhe ai deklaronte se historia jone niste më ’41, me themelimin e Partisë Komuniste, me Kongresin e Përmetit, si datë historike, se duhej të krenoheshim me veprat madhështore të ndërtuara nën udhëheqjen e tij, si tharja e kënetave, hekurudhat, hidrocentralet (me këto të fundit, xhanëm, po mburremi dhe sot).

Ka qenë një perandor kinez këtu e dymijë e dyqind vjet më parë, Qin Shin Uan quhej, i cili vendosi që historia e Kinës të fillonte me dinastinë e tij. Ndaj dogji të gjitha librat e historisë, me qëllim që të krijohej historia nga e para. Ky Qini kinez bëri dhe Murin e Madh, po ky Qini ynë çka bërë? (Saliu beri një krua, as sevap, as m… s’iu qua, se e bëri në përrua).

Varkarin tonë do ta marrë historia, po jo si “Skënderbeu”, por si Ballaban Pasha, do ta marrë historia për katër qytetarët e vrarë para zyrave të tij, me plumba të dalë nga dritaret e zyrave të tij. Ai vërtet do të hyjë në histori që e dogji Shqipërinë më ‘97-ën, më keq se ç’e kanë djegur të gjithë pushtuesit të marrë së bashku. Në histori ka hyrë edhe një gjeneral francez, që një shekull më parë gërvishti gurin e famshëm 3700 vjeçar të Hamurabit të Babilonisë, vetëm e vetëm që të hynte në histori dhe të përfitonte nga lavdia e qëmotshme. Këtë tonin e ka marrë me kohë historia si Sali Gerdeci, si diktator, si furnizues i makinës luftarake serbe me naftë kundër kosovarëve, si shkatërrues i sistemit demokratik, si denigrues dhe vrasës i bashkëluftëtarëve të tij, si varrmihës i vlerave dhe arritjeve të këtij populli, si … Pavarësisht nga himnet që i këndojnë demokratët dhe vargjet e këngëve që i thurin rapsodët me çifteli si “burrin më të madh që ka njohur historia”. Në gjyqin e fundit, – thoshte profeti i persëve të lashtë,- do të të kërkohet llogari për të mirat që ke kryer në tokë dhe jo nga numri i himneve të kënduara përpara altarit.

Kompleksi i tretë është kompleksi i eksportimit të veseve të veta tek kundërshtari. Domethënë, veset që ka Berisha, duhet t’i kenë patjetër kundërshtarët e tij dhe duke ua vënë në dukje përditë, mendon se harrohen të tijat. Legjenda e kokës së strucit në rërën e shkretëtirës. Ditët e fundit anatemon Ramën për mashtrues e shpifës. Po a ka mashtrues e shpifës më të madh se varkari i Enverit? Mashtrimet dihen në fushatat e mëparshme, që nga vënia në eficencë e bursës e te parqet industriale e deri te centrali bërthamor. Pas kësaj vijnë mullinjtë me erë, me të cilat Don Kishoti ynë po lufton prej njëzet e ca vjetësh. Sa për shpifjet, kujtoni çka thënë për Azem Hajdarin si trafikant etj., për Gramoz Pashkon si trafikant, për Islamin si spiun, për Imamin si ministër më i paaftë dhe njeriu me mediokër, për klanin Zemun në Durrës… Deri sa shfazohet së fundi për Ramën që martohet çdo fushatë për vota?!

E dëgjojmë çdo ditë që u thotë simpatizantëve të tij se Edi Rama shan dhe ofendon njerëzit. Dhe kush e thotë këtë? Ai që shan deputetin me nënë e motër, ai që kërcënon deputetët se do t’ua bëjë fytyrën si këpuca e do t’u ngrijë buzëqeshjen në buzë. I mbeti në gojë çelësi i Bashkisë që Rama i ka dhënë një këngëtari serb, që u këndonte trimërive serbe kundër kosovarëve, që njerëzit të harrojnë shkeljen e embargos së OKB-së nga ai vetë si president, duke furnizuar makinerinë serbe të luftës me naftë për të vrarë kosovarët.

Kompleksi i katërt i rëndësishëm është kompleksi i familjes. Ai thotë se ka një familje të rregullt, fëmijë të edukuar që i kanë ngjarë babait të tyre dhe një grua zonjë. Ashtu i duken në fakt. Shqiptarëve në të vërtetë u duken disa fëmijë që bëjnë biznese që marrin jetë njerëzish, që venë gjoba në emër të pushtetit të babait, që kërkojnë 3 milionë euro për një firmë të babait dhe që mbledhin miliona për bamirësi në emër të burrit kryeministër dhe i shpenzojnë për luks dhe pasurim personal. Por sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët duhet të dëgjojnë dhe vizionin e Berishës për familjet e të tjerëve. Meqë kundërshtarët e tij nuk kanë dy fëmijë dhe një grua si ai, nuk lë gjë pa thënë për familjet e tyre, për gratë, fëmijët, baballarët, gjyshërit deri te dajallarët. Ndërkohë që vetë ka pohuar publikisht se nuk e njihte baxhanakun e ndjerë të Gërdecit, ashtu siç luan shurdhmemecin për djalin e martuar, që bashkëjeton me një tjetër, sipas shtypit të ditës. Pse Sali Ram Berisha merret me gruan e Edi Ramës?

Në sytë e shqiptareve ajo është një familje model, por varkari i Enverit jeton kohën e babait të tij shpirtëror, ku divorci pothuaj ishte i ndaluar, veçanërisht për komunistet e kallëpit të tij. Divorcin ia kujtoi edhe një gazetareje kritike ndaj tij, më tej akuzoi familjen e Ruçit, Dades, Bushatit, Tahirit, Xhuvanit, duke mos lënë fëmijë, baballarë, nëna, motra, dajallarë, kushërinj politikanësh pa i baltosur. Dhe këtë e ka bërë në foltoren, foltore i thënçin, e parlamentit, duke pasur mbrapa një bibë që ekzaltohet nga ato që nxjerr nga goja varkari.

Kompleksi i pestë është kompleksi i fëmijërisë. I rritur mes dhive, gomerëve dhe kuajve, siç jemi rritur shumica e shqiptarëve, varkari ynë ka fobi qytetarinë. Ajo që i ka munguar në fëmijëri, natyrisht që e ka kompensuar tashmë, por nuk e fsheh urrejtjen ndaj atyre që kanë lindur e rritur në qytete, aq më tepër familjet e mëdha. Kështu e ka me artistin e njohur Kristaq Rama, me dajallarët e Edit, kështu e ka pasur me Pashkon, që tani e qan të vdekur. Sepse ndihet inferior ndaj tyre nga origjina. Dhe na tregon për marrëdhëniet e tij me kalin dhe arrin deri në absurd sa të deklarojë që, ngaqë i ka hipur dhe zbritur kalit disa herë, na qenka bërë kavalier.

Duke përfituar nga injoranca apo servilizmi i atyre që bashkëbisedon e shkrin kalorësin me kavalierin. Arrin deri atje sa të deklarojë para autostradës së papërfunduar Tiranë- Elbasan, se ata që janë lindur dhe rritur në Tiranë janë të bunkerizuar, ndërsa ai lindi e mbeti zog malesh. Me thënë të drejtën në kuptimin figurativ është zog komplet. Një zog i varur dhe qesharak, që na turpëron faqe botës. Rron shqiponja në majë të malit, rron dhe miza në bisht të kalit, thotë një fjalë e urtë e atyre anëve.

Njeriu shkon me kënaqësi në vendin e lindjes, por varkari i Enverit edhe kur guxon të shkojë në vendlindjen e tij, blindohet si Hitleri në bunker, me dhjetëra bodiguardë e qindra gardistë, me snajpera të fshehur në tarracat e pallateve, me roje që i rrethojnë makinën se mos i afrohet… kush mund të të afrohet në vendlindje? Ndonjë shok fëmijërie, shok klase, bashkërrites kuajsh e gomerësh, miq e krushq. Pse duhet të kesh frike nga këta, nëse nuk i ke futur ne sherr, nëse nuk je në gjak me ta, sipas kanunit të atyre anëve?

Kompleksi i fundit që po e mundon është ai i moshës. Njeriu natyrshëm plaket dhe bëhet më fisnik. Dhe nuk ka pse të ndihet keq kur i thonë gjysh apo babagjysh. Po varkari ynë e ka tmerr kur i kujton moshën. Ky burri i malësisë, që mburret me Shqipërinë e moshës së re, moshës së internetit, stërmundohet të duket i ri, me aipedin në dorë, me trukime dhe tërheqje rrudhash, me flokë të llakosura dhe të bojatisura. Dhe bëhet qesharak kur i lutet Zotit t’i japë jetë, jo për të jetuar si gjithë të moshuarit, me pension të ngritur nga ai vetë, po për të mos lëvizur nga karrigia kryeministrore.

Nuk lë vend pa deklaruar se ndihet i ri, se në venat e tij nuk ka pllaka arteriosklerotike, se ngjit Murin Kinez, gjë që s’e ka bërë asnjë udhëheqës tjetër i botës (se mos i ka lënë mendja udhëheqësit e botës), se ngjitet ne Dajt me këmbë, pa iu marrë fryma dhe thyen rekorde personale noti, duke ndenjur në ujë dy orë e dyzet minuta, rekord i matur nga ai vetë. Në të vërtetë ia vlen të qeshesh me këto marrëzira, po kur mendon se i kemi lënë fatet e vendit dhe tonat në dorë një marroku, duhet të qash. Është komike dhe tragjike njëkohësisht. Si qëmoti, kur në një shesh antik, me cjapin e rrethuar nga turma e eksituar, lindi njëkohësisht edhe komikja.