Nga Veton Surroi, 20 Qershor 2013
1.
Në hyrje të qyteteve e qytezave të provincës në Shqipëri, bulevardet tregojnë një disiplinë të hekurt të mendjes së shëndoshë. Flamujt e blloqeve partiake janë të renditura me barazi të plotë pesëdhjetë përqindëshe, aq të plotë sa në këto kuota pesëdhjetë përqindëshi dikush do të jetë ulur dhe llogaritur se sa flamuj duhet t’i kenë edhe aleatët e vegjël, të tanishëm apo potencial.
Disiplina e hekurt e bulevardeve, për aq sa janë bulevarde, të qyteteve dhe qytezave, tregon për një besim kolektiv se vendi është ndarë dysh, në të majtë dhe të djathtë. Se herë vijnë në pushtet njëra palë, e herë tjetra. Se kështu do të ndodhë edhe këso here: se ka gjasë ta marrë pushtetin ajo palë që e ka, e mund të ndodhë që ta marrin ata që ishin në opozitë.
Dhe se bulevardet kanë të drejtë, çfarëdo që të jetë rezultati, në pesëdhjetë për qind të rasteve.
2.
Problemi i bulevardeve është tek ai pesëdhjetë përqindëshi tjetër, për të cilin nuk kishin të drejtë. Sepse, në Shqipëri, ai që fiton në zgjedhje, i fiton të gjitha, dhe ai që humbet në zgjedhje, i humbet të gjitha.
Ai që fiton, tradicionalisht, shpërfill çfarëdo që të mendojë opozita, dhe çdo herë që dikush e ngre këtë si problem e merr përgjigjen se ai që dëshiron të ndryshojë gjë, le t’i fitojë votat në zgjedhjet e ardhshme.
Dhe ai që fiton, tradicionalisht, ka të drejtë që shtetin ta konsiderojë të vetin: prej punësimit të portierëve në ministri, dërgimit të ambasadorëve në botë e deri te kontrolli i dukshëm apo i padukshëm i gjyqësorit.
Ai që humbet, mbetet me satisfaksionin e atyre që hynë në Grupin parlamentar, druajtjen se si do të mbijetojnë në katër vitet e ardhshme, dijeninë depresive se pala fituese do t’ia bëjë jetën bezdisëse kundërshtarit po aq sa ia bënë këta vetë kur ishin në pushtet.
3.
Pesëdhjetë përqindëshi i humbur paraqet problem për bulevardet e Shqipërisë në zgjedhjet që do të mbahen të dielën, më 23 qershor.
Vendi nuk ka precedencë zgjedhjesh të drejta e të pranueshme nga një standard bazik demokratik.
Pesëdhjetë përqindëshi i humbur ka arsye, jo vetëm ato të shpikura, për të mos pranuar humbjen. Mund të nxjerr si argument faktin se vendi hyri në proces zgjedhor pa e kompletuar KQZ-në. Mund të nxjerr si argument faktin se edhe po të ishte kompletuar, do të mund të sillej sikur në zgjedhjet e kaluara bashkiake, e të vendoste rregulla të reja numërimi pasi të ketë përfunduar numërimi e që, si në rastin e Tiranës, nuk doli të jetë të jetë i favorshëm për njërën forcë politike- derisa nuk u ndërruan rregullat e lojës. Mund të nxjerr si argument faktin se nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve për arsye se dikush e ka “blerë” këtë apo atë komisioner. Mund të nxjerr argumente ideologjike: zgjedhjet u manipuluan nga komunistët; do të gjendet në çdo pesëdhjetë përqindësh dikush që dikur ka qenë komunist.
4.
Bulevardet e Shqipërisë, rrjedhimisht, e kanë problem 24 qershorin.
Nëse nëpër bulevarde, siç po ndihet ashtu si më 2005, po shtrihet ndjenja e nevojës së rotacionit politik, pesëdhjetë përqindëshi që duhet ta lërë pushtetin mund të ndodhë ta bëjë këtë me rregull demokratik vetëm po qe se bindet vetë se pesëdhjetë përqindëshi i përkrahjes së supozuar është më afër dyzetëshit.
Nëse nëpër bulevarde, siç po ndihet ashtu si më 2005, po shtrihet ndjenja e nevojës së rotacionit politik, pesëdhjetë përqindëshi i cili mban fanellën e rotacionit do të pranojë vetëm një rezultat zgjedhor, atë të fitores.
Nëse gjërat janë kështu, bulevardet e Shqipërisë mund të jenë të mbuluara nga një ngërç, një përzierje emocionale që mund të jetë shpërthyese.
5.
Pse duhet të jetë problematik 24 qershori, dita pas zgjedhjeve, për një vend anëtar të NATO-s?
Për shkak të paradoksit që mban brenda ky anëtar i NATO-s. Njëzetedy vjet pas rënies së komunizmit, vendi nuk ka arritur të kalojë pragun e kritereve bazike të Kopenhagës, pragun që ndajnë demokracitë funksionale prej formave të tjera të jetës.
Nuk arrin të organizojë zgjedhje të lira dhe të drejta, të pranueshme prej të gjitha palëve pjesëmarrëse dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Nuk arrin të krijojë një gjyqësi të pavarur që do të mund të sanksiononte të drejtën e votës së lirë.
Dhe, kur njerëzit dalin në rrugë – në formë kaotike apo jokaotike, me gurë e ombrella në duar, apo pa to fare – për të protestuar kundër këso sistemi qeverisjeje, nuk arrin t’u garantojë të drejtën bazike, të drejtën e jetës.
E këtillë, Shqipëria është më afër identitetit të “krahut jugor” të NATO-s, të vendeve si Spanja, Greqia apo Turqia, që kur u pranuan në NATO nuk ishin demokraci funksionale, por që duke qenë brenda Aleancës arritën të transformohen pozitivisht. Është më larg, bukur më larg anëtareve si Polonia që fillimisht u shndërruan në demokraci funksionale e pastaj në shtet anëtar të NATO-s.
6.
Shqipëria është në një avantazh historik krahasuar me Spanjën apo Greqinë. Sado jodemokratike të jenë disa prej formave të qeverisjes aktuale në vend, nuk mund, as për së afërmi, t’u vihet shenja barazimi me regjimin frankist apo me juntën ushtarake greke.
Por çfarëdo që të jetë avantazhi, rrjedha e mëtejme e transformimit është e njëjtë: do ndryshuar format e qeverisjes jodemokratike, dhe nëse këtë nuk e bën forca që udhëheq vendin, atëherë do ndërruar atë forcë.
Ajo që në anglishte prej kohësh quhet “regime change” (me e pa konotacione negative të fjalës “regime”) vlen edhe për Shqipërinë, si për çdo vend tjetër në rrugën e vet të tranzicionit.
Sepse, edhe po t’i kishte fituar zgjedhjet krejtësisht në formë legjitime, në zgjedhje të lira e të drejta, qeverisja e tanishme nuk mund t’i jepte vetes të drejtën e zënies së institucioneve të shtetit, përfshirë në masë të madhe atë të sferës së sundimit të ligjit.
Sepse, edhe po t’i kishte fituar zgjedhjet krejtësisht në formë legjitime, në zgjedhje të lira e të drejta, qeverisja e tanishme nuk mund t’i jepte vetes të drejtë të vriste njerëz që për një arsye tjetër kishin shprehur pakënaqësinë demonstrative me qeverisjen.
Sepse, edhe po t’i kishte fituar zgjedhjet krejtësisht në formë legjitime, në zgjedhje të lira e të drejta, qeverisja e tanishme nuk mund të shpërfillte atë gjysmën tjetër të vendit.
7.
OK, të përpiqemi të rikapitulojmë në një fjali të zgjeruar definicionin e deritanishëm të vendit para zgjedhjeve: Shqipëria është një vend jo krejtësisht demokratik, anëtar i NATO-s, aspirant për anëtar të BE-së, me forca politike të polarizuara, në një tranzicion njëzetedyvjeçar, pa precedencë zgjedhjesh demokratike e as institucionesh të pavarura që mund të luajnë rolin e arbitrit në zgjidhjen e konflikteve.
Po të jetë i vërtetë ky definicion, dhe, më 24 qershor kemi një proces problematik (në formë të butë) apo konfliktuoz (në versionin më të vrazhdë) të interpretimit se si rrodhën këto zgjedhje, kush do ta luajë rolin e arbitrit?
Vështirë se këtë mund ta bëjë sistemi i gjyqësisë. Ai tashmë ka treguar shenja të mjaftueshme zaptimi nga ana e pushtetit ekzekutiv sa që për së paku gjysmën e vendit nuk ka kredibilitet.
Mbetet vetëm ajo që quhet “bashkësi ndërkombëtare”, apo zbërthyer në gjuhë praktike diplomacia amerikane e shoqëruar nga ajo e BE-së (apo e vendeve të veçanta e me ndikim të BE-së).
Mbetet ajo që është shndërruar në shtegdalje për çdo problem historik shqiptar: kërkesë ndihme prej së jashti, duke dëshmuar paaftësinë e shoqërisë (apo shoqërive) shqiptare për t’i zgjidhur problemet e veta të brendshme.
8.
Fatura për të gjitha mangësitë e sotme e të kaluara në Shqipëri, natyrisht, i paraqiten tranzicionit. Edhe te vëzhguesit e brendshëm, e edhe te ndërkombëtarët, ekziston një lehtësi me të cilën çdo gjë është e nënkuptueshme brenda “tranzicionit”.
Por, këtu kemi tre probleme.
I pari është se “tranzicioni” zgjat njëzetedy vjet, pra tashmë janë disa gjenerata që kanë lindur e rritur në “tranzicion” e që votojnë në zgjedhje “tranzicionale” pa e ditur fundin e këtij procesi.
I dyti është se në një analizë bazike politikologjike, “tranzicioni” është pjesë e trehapëshit: ndërrim regjimi-konsolidim-tranzicion. Shqipëria, për së paku gjysmën e popullatës së saj, gjendet sërish para hapit të parë, pra ndërrimit të regjimit, përzier me faza të mëhershme konsolidimi dhe me faza të mëhershme tranzicioni.
Dhe, problemi i tretë: kur do të përfundojë tranzicioni? Kur do të mund ta quajë veten Shqipëria shtet normal?
9.
Përgjigjen për pyetjen se kur do të mund ta quajë veten Shqipëria shtet normal, apo kur do të përfundojë tranzicioni nuk mund ta japin as teoritë e studimeve të kësaj materie (ekzistojnë mendime divergjente) e as ndonjë arbitër i madh ndërkombëtar, siç jemi mësuar shqiptarët të kërkojmë.
Në fakt, të vetmit që mund të japin këtë përgjigje janë vetë shqiptarët. Janë vetëm shqiptarët që mund të japin vizionin e vet të ardhmërisë (siç nuk e kanë bërë), janë vetëm shqiptarët që mund të projektojnë hapat që do ndërmarrë për të tejkaluar zaptimin e shtetit (siç nuk e kanë bërë) dhe janë vetëm shqiptarët ata që mund të përcaktojnë (siç nuk e kanë bërë) se cilën ditë mund ta quajnë ata vetë fund të tranzicionit.
Sepse, edhe mund ta kenë bërë, por e kanë bërë veç e veç, çdonjëri për forcën e vet politike, për gjysmën e vet. Kundër gjysmës tjetër.
10.
Dita e 24 qershorit mund të gdhijë me gjasa të vogla që shqiptarët t’i japin përgjigje pyetjes për normalitetin e shtetit të tyre.
Po të anojë balansi kah gjysma e përfaqësuar nga Sali Berisha, do të jetë e vështirë pothuajse deri në pamundësi të jepet një përgjigje e këtillë. Kjo gjysmë i ka pasur tetë vitet e kaluara për të krijuar konsensusin, të përgjigjeve për Shqipërinë si një shtet normal. Do të jetë tejet e vështirë që një pushtet i këtillë të fillojë të çmontojë modelin e zaptimit të shtetit të perfeksionuar në tetë vitet e kaluara.
Po të anojë balansi kah gjysma e përfaqësuar nga Edi Rama (me gjithë bagazhin e qeverisjes së kaluar tetëvjeçare që bart me vete), do të jetë e vështirë, por jo e pamundur, për të krijuar konsensusin shoqëror, për të identifikuar hapat deri te fundi i tranzicionit.
Nëse Edi Rama ka besim se gjysma e tij do t’i fitojë këto zgjedhje, ndoshta po aq sa me menaxhimin e mjegullës eventuale të 24 qershorit dhe me fjalimin e vet prej fituesi do të duhej të përqendrohej që tash të ofrojë një paketë të re.
Një paketë ku identifikon konkretisht se ku mund të ndërtojë konsensus për ardhmërinë e vendit me partinë apo partitë konkurrente.
Një paketë drejtuar gjysmës tjetër, asaj që nuk guxon të mbetet në gjendjen tradicionale të humbësit të gjithçkaje, të vetushqyer me shpresën se një ditë do të jetë fitues i gjithçkaje.