TemA TV/ Miting rekord në Fier. Rama: Ia pretë urdhrin e pensionit Berishës (VIDEO)

0
56

TemA, 19 Qershor 2013

Ashtu siç pritej, mitingu i Partisë Socialiste në Fier ka qenë ndoshta mitingu më i madh që është bërë në këtë fushatë zgjedhore.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se Fieri ia ka prerë në këtë mënyrë urdhrin e pensionit Berishës. Ai madje e quajti Fierin si kryeqytetin e socialistëve.

“Skuadra jonë e Rilindjes do ta justifikojë këtë besim duke i shërbyer me përkushtim këtij qyteti, e po ashtu edhe Lushnjës, Myzeqesë e Mallakastrës.

Jemi para Fierit me një skuadër që mbajnë me dinjitet emrin e PS-së dhe kanë vullnetin për të vënë në jetë programin e Rilindjes. Me këta deputetë, me Gramozin, Erjonin, Eglantinën, Ilirjanin, Armandon, Majlindën, Arbenin, Ervinin, Piron dhe me radhë të gjithë ne do të votojnë kalimin nga taksa e sheshtë në taksimin e ndershëm, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë. Dhe pastaj kush fiton më pak paguan më pak e kush fiton më shumë paguan më shumë,” tha Rama.

“Duke vendosur shenjën tek nr 29 do të vendosni këtë parim për taksimin dhe do të çlironi nga taksa, 95 % të shqiptarëve.

Çdo mësues do të kursejë 40 mijë lekë çdo muaj dhe një polic do të kursejë më shumë se 1 rrogë të vit.

Do të bëjmë zero taksën për biznesin e vogël. Do të përgjysmojmë tatimin mbi fitimin. Do të hiqet taksa 20 % e imputeve bujqësore, do të çliroheni nga gjithë këto taksa dhe do të fitoni brenda mandatit të parë të drejtën e pasurisë së patundshme të tokës në fshat.

Saliu u plak dhe i plaku të gjithë duke pritur legalizimin e ne do ta bëjmë falas për të gjithë familjet në zonat informale të Shqipërisë.

Do të hiqet taksa 20 % për të gjithë ushqimet, për familjet e zakonshme shqiptare. Numri 29 çliron të gjitha familjet që sot duhet të marrin borxh e të shesin shtëpinë, kur kanë një të sëmurë.

Brenda 300 ditëve do të kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës.

Kanë mbetur edhe 4 ditë për të vulosur mbylljen e një historie rrënimi dhe hapjen e një kapitulli Rilindje. Në këto 4 ditë secili prej nesh nuk duhet të vërë gjumë në sy, për të zgjuar edhe votuesin e fundit për të votuar Rilindjen.

Rroftë kryeqyteti i socialistëve!”./ep