Shkëlzen Maliqi shpjegon pse kosovarët e duan Sali Berishën, e pse jo Edi Ramën

0
93

ResPublica.al, 16 qershor 2013

Pse shumica e kosovarëve e duan Sali Berishën? – pyet Shkëlzem Maliqi në një shkrim të vetin të publikuar në gazetën Express. Dhe bën një listë me arsye. Së pari, ngaqë “Sali Berisha, për dallim nga Edi Rama, është shumë më kosovar në botëkuptimet, gjuhën që e flet dhe në sjelljet e tij….

Në Kosovë andaj perceptohet si i ‘yni’, kurse Rama, sipas logjikës, del se është ‘i tyre’”. Dhe me ‘i tyre’, Maliqi ka parasysh Republikën e Shqipërisë, poshtë Bjeshkëve të Nemuna. Së dyti, është ideja se merita e tij është ndërtimi i rrugës së kombit, si një parakusht për afrimin dhe bashkimin fizik, por edhe shpirtëror të shqiptarit të Kosovës me atë të Shqipërisë.

Së treti, është ideja [e kosovarëve] se ai ka qenë fitues ndaj komunizmit, ndërkaq që kosovarët në vitet ’90 patën një përvojë shumë të keqe me Partinë Socialiste të Serbisë, dhe nga ajo kohë nuk duan të dinë për asnjë parti apo lëvizje që ka lidhje me socializëm dhe komunizëm, sado të moderuara dhe demokratike të paraqiten.

Së katërti, “aversioni ndaj PS-së është thelluar në vitet ’90 të shekullit të kaluar kur LDK-ja dhe organi i saj “Bota sot” për çdo ditë propagandonin idenë e një komploti të madh komunist, ku Tirana socialiste shihej si aleate e “komunizmit ortodoks”, i cili thuhej se po dirigjohej nga tri qendrat: Beogradi, Athina dhe Moska, e ku kjo e fundit ishte aksi i së keqës të antishqiptarizmës dhe antikosovarizmit”. Së3 pesti, “ka kontribuar edhe kritikuesi i tij më i ashpër në Kosovë, akademik Rexhep Qosja, i cili [ka përdorur] po atë logjikë ekstreme si ‘Bota sot’, por në drejtim të kundërt,.. Ndërkaq që të sulmohesh nga një humbës aq i madh politik siç ishte Qosja, në Kosovë vetëm se ia shtonte namin Berishës.”

Shkëlzen Maliqi e mbyll duke thënë se “nëse në Shqipëri fiton koalicioni i majtë me Ramën në krye, për çka i ka gjasat e mëdha, ky do të jetë një shans që Rama të rivlerësohet në bazë të asaj çka do të bëjë, dhe jo në bazë të paragjykimeve”.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni në linkun http://gazetaexpress.com/?cid=1,75,114487

Re.Pu.