Zvarrë pas të gjithëve!

0
42

Nga Mero Baze, 6 Mars 2013

Nëse vëreni me kujdes ç’po ndodh me Sali Berishën muajin e fundit, do të konstatoni se ai po tërhiqet me lehtësi nga një betejë në tjetrën nga secili faktor opozitar.

I pari që pati meritën ta tërhiqte në një fushë të minuar ishte Kreshnik Spahiu. Me retorikën e nacionalizmit dhe sondazhet turbulluese për përqindjet e tij, ai e çoi Berishën me shpejtësi drejt një retorike të papërgjegjshme nacionaliste, duke e bërë atë sa të rrezikshëm, dhe qesharak në sytë e perëndimorëve dhe fqinjëve. Të gjithë pa përjashtim përsëritën frazën se “e bën për zgjedhjet”, por pas asaj mbeti shija e hidhur e një njeriu pa ide dhe plot makthe para fushatës.

I dyti që e tërhoqi në një betejë për emra të historisë së PD-së dhe kandidatë autoktonë tiranasish ishte Bamir Topi. Nën frikën e rrjedhjes së elektoratit të PD-së tek figura simpatike të saj, që tashmë janë në opozitë me Berishën, ky i fundit u detyrua t’i shtrijë dorën Dashamir Shehit dhe Eduard Selamit duke u bërë premtime për lista dhe duke shumëzuar me zero historinë simpatike të tyre si disidentë prej 15 vitesh me të. Aq të fortë e pati ndjesinë se Bamir Topi mund të ringjallte një ëndërr për një PD të re, sa u detyrua të përulej para atyre që ka fyer dhe poshtëruar për 15 vjet si tradhtarë të PD-së dhe “bashkëpunëtorë” të armiqve të tij.

Por problemi real që Berisha ka me elektoratin e djathtë që nuk e voton, nuk është as Shehi, as Selami dhe as Topi. Ai është një elektorat që nuk do Berishën dhe bëhet me çdo të djathtë që del me dinjitet përballë tij. Për këtë arsye po ndodhin dy gjëra pozitive. E para, që në PD po hyn Selami dhe Shehi me kërkesë të Berishës dhe aty do të jenë një bela e re për të, dhe e dyta që elektorati anti-Berishë e ka liderin e vet. Tonet e ngritura së fundmi nga Topi shumë ashpër kundër Berishës, janë një sinjal i qartë.

I treti që po e tërheq zvarrë Berishën drejt një strategjie mashtrimi është Ilir Meta. I mahnitur nga suksesi që Meta ka me premtimet për vende pune, nga përfshirja në tenderë, nga menaxhimi i vogël i burimeve njerëzore dhe sidomos nga shikimi i çdo nderi të pushtetit me votë, Berisha është futur në spiralen e pazareve paraelektorale dhe rekrutimin e anëtarëve të PD-së përmes vendeve të punës dhe pareve nën dorë. Shembulli i Albpetrolit, ku drejtori krijon organizata me bordero pune, është një nga simptomat e prekjes nga virusi i Ilir Metës në prag të fushatës. Shenja të tjera gjen gjithandej në administratë publike, në agjencitë qeveritare të taksa- tatimeve, doganave dhe deri në policinë e shtetit, puna e së cilës matet me numrin e veprimtarëve të opozitës së ndaluar apo survejuar.

Por mbi të gjitha Berishën e ka bërë qesharak dhe e ka futur në një rrugë pa krye lideri i opozitës, Edi Rama, me taktin e tij të elaborimit të programit të opozitës në çdo qytet, pa u ndikuar nga ngjarjet e ditës. Ai ka gati dy muaj që flet me të njëjtin ritëm dhe pa emocionet e ditës, për programin për shëndetësinë, taksat, rendin publik, etj. Ka një hapje të pazakontë me median, një mbështetje të qartë ndërkombëtare dhe nuk ka devijuar axhendën e tij për shkak të replikave të Berishës. Aq shumë është tunduar nga kjo gjë Berisha, sa ka vendosur të “veshë xhupin” e të shkojë të ulet këmbëkryq në Lushnjë, në Ruzhdije, e kudo tjetër dhe të flasë për premtime që i merr nga programi i PS.

Shau taksën progresive, pastaj e shpalli vetë në program, shau programin e shëndetit publik dhe e premtoi vetë, shau Preç Zogajn dhe lexoi si të vetin propozimin e tij në programin e opozitës për detin, shau Edi Ramën për presion mbi policinë dhe komenton orë e minutë projektin e tij për sigurinë publike… Kjo tërheqje e Berishës për të bërë betejë për programin e opozitës, është gjëja më pozitive që ka ndodhur deri më sot. Në asnjë palë zgjedhje nuk kemi pasur debat për programet, biles askush nuk i ka marrë seriozisht ato. Nuk është se tani gjithë shoqëria po merret seriozisht, por është një njeri që është trembur seriozisht prej tij dhe ky është Sali Berisha. Kopjon çdo gjë dhe flet me një pasion të madh, thjesht se është i frikësuar nga ideja se opozita mund të fitojë pikë me to.

Opozitarët i kam parë të bëhen nervozë dhe t’i kujtojnë që po u vjedh programin, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që Berisha diskuton dhe kopjon programin e tyre, çka e ka kthyer atë automatikisht në kalë beteje në fushatë.

I lodhur nga pesha tetëvjeçarë e skandaleve dhe mungesës së ideve, i futur në një spirale makthi nga fakti se këto tetë vjet ka vrarë dhe ka të hapur procese që e presin në sallën e gjyqit, i shterur nga idetë dhe vizioni për të ardhmen, ky plak i rrënuar i politikës shqiptare, duket se i turret çdo fije bari që kalon mbi ujë me shpresë se do ta shpëtojë nga mbytja. Ai nuk është më lideri që jep ide dhe të tjerët debatojnë për to. Ai është i tremburi që dëgjon ç’thonë të tjerët dhe i shan ata pse folën para tij dhe pastaj u kopjon qëndrimet.

Kjo e ka bërë atë këto muajt e fundit liderin më qesharak, pasi është i vetmi lider që kërkon të bëhet dhe nacionalist dhe pro perëndimor, dhe të kërcënojë tironsit me prishje shtëpish, dhe të marrë elektorat tironsish, dhe të zbojë çdo themelues nga PD-ja, dhe të përpiqet të mbrojë elektoratin e PD-së, edhe të zhdukë modelin e LSI që po i rrjep pushtetin, dhe të bëjë si LSI për të shpëtuar, dhe të shajë programin e PS si majtist dhe marksist, dhe ta kopjojë atë fjalë më fjalë… Është i vetmi që nuk po udhëheq, por po e udhëheqin. Dhe jo një njeri, por gjithkush që është faktor politik. Ai po shkon zvarrë pas të gjithëve.