Batërdia me listat zgjedhore për 23 qershorin në Shkodër

1
45

Intervistë nga Xhevdet Shehu, 13 Qershor 2013

Dje trokiti në zyrat e gazetës ‘DITA” ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Rexhep Çokaj. Ai kërkonte të bënte publike masakrën që është bërë me listat e zgjedhësve të 23 qershorit në Shkodër. Me një tufë të madhe dokumentesh ai argumentoi se si manipulimi në Shkodër është i përmasave të jashtëzakonshme. Për këtë masakër zgjedhore, ai e drejton gishtin nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme, nga Ferdinant Poni, Arben Ristani dhe Flamur Noka. Nuk është ky realiteti në Shkodër, thotë Çokaj. Shkodra është përmbytur 9 herë gjatë tetë viteve të qeverisë Berisha dhe raportet kanë ndryshuar rrënjësisht. Nuk e voton Shkodra Berishën, por janë hilet që ai përdor me vjedhjen e votave për të qëndruar në pushtet. Më 23 qershor në Shkodër po përgatitet masakra e radhës…

Zoti Çokaj, këto dokumente që ju na servirni në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, tregojnë se po manipulohet me listat e zgjedhësve, apo jo?

Po është e vërtetë. Duke bërë krahasimin e listave të vitit 2011 me ato të këtij viti, të cilat unë i disponoj, mund të them dhe ta vërtetoj se është bërë një masakër e vërtetë me listat e votuesve. Po bëhet një manipulim skandaloz dhe Partia Demokratike po kërkon të fitojë mandate në tavolinë. Shkodra është mbase qyteti dhe qarku më i mashtruar në republikë.

Pse e thoni këtë?

Sepse Shkodra është përmbytur 9 herë gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe më një papunësi nga më të lartat në shkallë vendi. Si mund të pranojmë se Shkodra dhe shkodranët mund të votojnë këtë parti? Madje me shifra të pabesueshme në krahasim me Partinë Socialiste. Unë e njoh Shkodrën dhe shkodranët. Ky është një abuzim i jashtëzakonshëm dhe një fyerje për qytetarinë shkodrane që ta pranojnë këtë manipulim. Kjo nuk përputhet me realitetin.

Si është realiteti?

Ja po flasim me fakte. Shiko listat e zgjedhësve në qendrat e votimit. Unë po ju faktoj listat në qendrat 0318, 0274 dhe 0275. Në qendrën e votimit 0318 në fakt ka vetëm 54 votues. Në listat zgjedhore të 23 qershorit janë regjistruar 829 votues, nga këta 695 votues janë pa adresë. Pra në një dhomë e një kuzhinë i bie të banojnë 40 votues! Absurde ta mendosh.

Po në qendrat e tjera si është situata?

Nuk ka asnjë ndryshim. Ndryshon vetëm shkalla dhe mënyra e manipulimit. Nga qendra e votimit 0274 janë transferuar në qendrat e tjera 97 votues. Nga këta 42 votues janë pa adresë me kodin 888. Plus 14 votues nga kjo qendër janë transferuar në rrethe e qytetet të tjera. Po kështu kanë ardhur nga qendra të tjera në këtë qendër 116 votues. Pra hyrje-daljet në këtë qendër votimi janë 213 votues. Nga këto 43 votues pa adresë. Marrim qendrën e votimit 0275, janë transferuar në qendrat e tjera 104 votues, nga këta 22 votues pa adresë. 16 votues në rrethe të tjera. Kanë hyrë në këtë qendër 122 votues, nga këta 54 votues pa adresë. Pra hyje-daljet e votuesve në këtë qendër votimi janë 226 votues. Po të marrim këto dy qendra dhe të mbledhim numrin në total, del se janë transferuar dhe kanë hyrë 439 votues. Po të marrim parasysh se në Bashkinë e Shkodrës janë 134 qendra votimi, manipulimi shkon mbi 13 mijë votues.

Mund të na tregoni se në cilat rrethe dhe qytete janë transferuar këta votues shkodranë?

Po, këta votues që kanë qenë në listat e vitit 2011,ndërsa në listat e vitit 2013 janë transferuar në Korçë, Përrenjas, Ksamil, Sarandë, Fier, Tiranë, Lezhë, Vau i Dejës, Mjedë, Komuna rrethina – Trush, Bërdicë, Pult, Shllak. E kuptoni se deri ku ka shkuar manipulimi?

Po a ka manipulime të tjera?

Në këto dy qendra që unë po i marrë si kampione të manipulimit, 26 familje që kanë qenë në vitin 2011, në një qendër votimi, tani janë ndarë në dy dhe tre qendra votimi. Po të marrim këtë si etalon, atëherë i bie që në 134 qendra të jenë 1300 familje t6ë ndara.

A ka emra të vdekurish si votues në lista?

Natyrisht që ka. Dhe ky është një abuzim dhe fyerje e madhe me të vdekurit. Po të shikojmë listat e vitit 2011 kanë qenë përfshirë edhe votues 136 vjeçarë, 118 vjeç, 111, 106, 104 e të tjerë që përbëjnë një rekord Gines. Në listat e vitit 2013 vetëm në këto dy qendra votimi që përmenda më sipër, janë katër votues nga 99 vjeç dhe 26 votues mbi 90 vjeç. Unë po ju paraqes dy certifikata vdekjeje të marra nga zyrat e gjendjes civile të njësisë bashkiake nr 4 Tiranë, të cilët kanë vdekur në vitet 1994 dhe 1997 dhe që figurojnë votues në qendrën e votimit 0274 në Shkodër. Këta kanë qenë votues edhe në listat e mëparshme zgjedhore. Duke u nisur nga këto fakte, s’ka asnjë dyshim se raste të tilla të ngjashme mund të ketë edhe në qendrat e tjera.

Po me adresat a ka probleme?

Pa asnjë dyshim. Ky është një problem më vete, sepse ka votues në lista me adresë dhe po t’i verifikosh rezulton se këto adresa janë kioska, garazhe, ofiçina, lokale, por jo banesa. Para nje viti e gjysmë kur u bë regjistrimi i popullsisë, qytetarët kanë deklaruar të gjitha adresat e sakta. Si ka mundësi që këtë vit në lista janë 348 mijë votues pa adresë? Ku shkuan adresat?

A keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?

Po, dua të shtoj diçka për emigrantët. Sali Berisha akuzon gjithë ditën Edi Ramën sikur po bëhet pengesë për votimin e emigrantëve. Unë deklaroj me bindje se këtë drejtë ua hoqi emigrantëve Sali Berisha dhe kjo qeveri, pasi kur është bërë censusi, me urdhër të Berishës dhe të pushtetarëve aktualë nuk është regjistruar asnjë emigrant.

Zoti Rexhep, ju na paraqitët një tablo skandaloze me listat e zgjedhësve të 23 qershorit. Kë akuzoni për këtë masakër?

Autorët e kësaj masakre janë shumë të njohur: Ferdinant Poni, Arben Ristani me shefin e tyre Flamur Nokën. Po mbi ta është Sali Berisha. Pa miratimin e Berishës ata nuk bëjnë dot asgjë. Unë thjesht doja të denoncoja masakrën zgjedhore që po përgatitet të ndodhë në Shkodër.