Sot, NJËQIND VJET me HYMIN KOMBETAR 12.06.1913 – 12.06.2013

0
37

Fran Tanushi

Malazezët të cilët pas vrasjës me tradhti të kryekomandantit të mbrojtjës së Shkodres Hasan Rizasë nga njerzit e Esad Pashës në fund të janarit të vitit 1913, duke lënë të vdekur dhe të plagosur të shumtë, si në Shtoj, në Bardhanjorë, në Tarabosh dhe Bërdicë, si dhe në kodrat përreth, arritën të hynë në Shkodër me 24 prill, për t’u detyruar të dalin për me pak se tri javë nga qyteti, ku me pas nën komanden e admiralit britanik Sir Cecil Borney, u vëndosën forcat e pesë fuqive të mëdha, që nuk e lejonte vëndosjen e flamurit Shqiptar.

Një muaj mbrapa vëndosjes se forcave ndërkombetare, pra më 12 qershor 1913, sot njëqind vite më pare, Fishta bashkë me fretër të tjerë në natën e shën Ndout, ngrehi kundër vullnetit të admiralit britanik Borney (në këtë kohë sundimtar i qytetit), flamurin më shqiponjë në kumbonarën e Kishës së Shkodrës, në Gjuhadolin e fretërve. Flamuri i punuar me shumë dashuri nga duart e praruara të motrave stigmatine ishte gjashtë metra i gjatë.

Atë në majë të kumbonarës e vëndosi seminaristi Ndok Gjeloshi, gjë që më vonë për të do të dëgjojë bota, se ishte po ai që e detyroj satrapin të hudhë kur(r)orën rrugicave të Vjenës për të “matur” kanalet e saj që të shpetojë kryet (pa kurorë), por që (mjerisht) eleminohet 30 vite me vonë nga dora e monstrave si Lym Pez(hvj)a.

Shi atë natë (siç thotë kronisti…), ndërsa kumbonët binin si asnjëherë tjetër, si shenjë gëzimi dhe hareje, ndërsa flamuri gjigant me Shkabën krenare, hidhej e përdridhej madhnueshëm, i rrahur prej erës flladitëse të Cukalit dhe Maranajve, vjen urdhëri zyrtar për ta hjekë flamurin dhe thye shtizën, në të kundërtën do rrëzohej me topa. Patër Gjergji reagoi duke ju thënë të dërguarve të admiralit se, flamurit shqiptar i ka hije të rrahej më topa.

Fishta nuk futi gjumë në sy atë natë, derisa fretërit tjerë e ruanin kumbonarën me flamur, për ta mbrojtur nga ndonjë aksion i papritur, ai shtrini një letër të gjatë dhe të fortë, duke ja dorzuar në mëngjes zyrës kompetente të admiralit.

Letra bëri efekt. Sundimtari i qytetit nuk u përgjegj…, por as që dërgoj ushtri për ta hequr.
Poeti frymëzuar nga valvitja e flamurit…, por edhe më shumë nga gufimi i zemrës kishte shkruar hymnin klasik, e i cili i komponuar nga Lec Kurti, ishte kënduar deri vonë si hymn kombetar!

At Gjergj Fishta:

HYMNI I FLAMURIT KOMBTÁR

Porsi fleta e Ęjllit t’Zotit
Po rreh Flamuri i Shqypnís
E thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtrís.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Për mbas Flamurit t’vet Shqyptari,
Kúr rrokë armët për t’drejta t’veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’t’leta.

Bini, Toskë! etj.

Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija:
Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë! etj.

Shka? a thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhânun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’huej’t na kem’ m’ia lânun?

Bini, Toskë! etj.

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkrî me grá, me fmi!
Kem’ me mbetë kortar nder ara,
Se me shkelë lâmë t’ huej’n n’ Shqypní.

Bini, Toskë! etj.

M’kambë , Sokola të Shqypnís!
Flamri i ynë, qe, n’ajr po shtiellet
Si pol veshet t’Perendís,
Kah na bân hije prej qiellet.

Bini, Toskë! etj.

Mâ mirë dekë me u shue nen hije
T’Flamrit t’onë në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Për nen sukuj t’huejë t’Balkanit.

Bini, Toskë! etj.

Armët e besën na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoj Kastrijota:
Ke, theu, frigë, do t’ kén Shqyptarët?

Bini, Toskë! etj.

Urra! djelm, eh ’u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qe, u nis përpara:
Ndihmo, Zot, për Atme e Fé!

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!