Habjon Hasani, 10 Qershor 2013
Ibrahim Kelmendi është një ndër grevistët të cilët janë në ditën e 10 të grevës së urisë në Prishtinë si shenjë revolte dhe proteste ndaj arrestimeve të luftëtarëve të UÇK-së, disa ditë më parë. Kelmendi në një intervistë për DITA-n ka sqaruar edhe akuzat e bëra pak ditë më parë nga aktivistët e UÇK-së ndaj prokurorit Salustro dhe Lulzim Bashës apo Argita Malltezit për hartimin dhe montimin e dosjeve të luftëtarëve të UÇK-së. Sipas Kelmendit ka të dhëna që sugjerojnë se Basha dhe Malltezi përveçse kanë punuar si përkthyes në zyrën e UNMIK-ut, janë angazhuar dhe në zyrën e veriut të Kosovës, në një projekt serb për “dokumentimin e krimeve të luftës të UÇK-së”.
1. Në një deklaratë të bërë në emër të grevistëve të UÇK-së keni deklaruar se Lulzim Basha dhe Argita Malltezi janë hartues të dosjeve të ushtarëve të UÇK-së të arrestuar pak ditë më parë. Mund të jeni më konkretë, çfarë dosjesh janë? Për cilët persona konkretisht?
Fillimisht shpreh keqardhje për koinçidencën e grevës tonë të urisë në Prishtinë (dhe fushatës elektorale në Republikën e Shqipërisë; unë nuk dëshiroj të jem palë në këtë fushatë. Unë kam bërë një prononcim publik dhe duke u mbështetur në informacionet që i kisha atëherë si gazetar investigues. Zoti Lulzim Basha dhe zonja Argita (Berisha) Maltezi dhe të tjerë kuadro nga Republika e Shqipërisë i kishte angazhuar UNMIK-u dhe institucione të tjera si “përkthyes”. Nga një koleg i tyre jam informuar se UNMIK-u përkthyesit nga Shqipëria dhe Kosova i paguante 2 mijë e 200 USD në muaj. Por këto kuadro të apostrofuara dhe të tjerë nga Tirana kanë pas edhe një zyrë tjetër angazhimi, rrjedhimisht edhe pagë tjetër, në Veriun e Kosovës, i cili qeverisej nga Beogradi. Atje me strukturat përkatëse të Serbisë janë angazhuar për të grumbulluar “fakte” për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullsisë civile serbe dhe shqiptare, si profesionistë të vyer që ishin dhe ndonjëri prej tyre edhe si njohës të gjuhës serbe. Dosjet që i bashkë-përgatitën institucionet neofashiste të Beogradit dhe ai staf nga Tirana po i shfrytëzojnë tani prokurori i EULEX-it, Salustro dhe salustrot e tjerë të këtij Misioni.
Basha dhe Malltezi kanë bërë thjesht detyrën e tyre apo kanë fryrë dhe zmadhuar ngjarje apo fakte, për çfarë manipulimesh dyshoni konkretisht?
Tashmë po vërtetohet se kanë përgatit dosje për procese të montuara kundër ish-komandantëve të UÇK-së.
Si e konsideroni qëndrimin e deritanishëm të shtetit shqiptar në lidhje me arrestimet e kryera në Kosovë?
Për qëndrimet e institucioneve të Shtetit Shqiptar nuk jam i informuar. Nuk befasohem nëse Kryeministri Berisha nuk proteston. Kurse të tjera institucione nuk guxojnë të reagojnë pa iu dhënë leje Kryeministri Berisha.
Çfarë mendoni për deklaratën e një grupi ish-zyrtaresh shqiptarë si Brokaj, Klosi, Xhufi Poga etj në lidhje me arrestimet?
Sapo lexova reagimin publik të Profesorëve Brokaj, Klosi, Xhufi dhe të tjerëve. I përgëzoj dhe i falënderoj. Kanë dëshmuar se janë intelektualë të mirëfilltë dhe me kulturë të lartë qytetare e patriotike.
Deri kur do vazhdojë greva juaj?
Për momentin nuk e dimë se sa do të bëjmë grevë, meqë grevën e kemi filluar për të protestuar kundër paraburgimit të ish-Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tani Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, z. Sulejman Selimi, ish-Komandantit të Zonës së Drenicës, tani Kryetar i Komunës së Skenderajt dhe të tjerët (u kërkoj falje që nuk po i emërtoi të gjithë), të cilët prokurori Salustro po i akuzon në procesin e montuar si “grupi i Drenicës”.
Mendoni se qeveria e Kosovës po qëndron indiferente dhe është e kompleksuar nga EULEX sa i takon këtyre arrestimeve?
Qeveria e Kosovës në një mbledhje të Këshillit të ministrave ka protestuar kundër këtyre arrestimeve provokative. Nuk i dimë kompetencat e saj kushtetuese e ligjore se sa mund të angazhohen kundër angazhimeve selektive e revanishiste të kuadrove serbofilë të EULEX-it. Shefi i EULEX-it, z. Bernd Borchardt, u prononcua para katër ditëve se për (mos)qëndrim të EULEX-it në Kosovë vendos Kuvendi i Kosovës. Po na zhgënjen qëndrimi hezitues dhe i frikësuar i parlamentarëve. Tashmë po shihet se Kuvendi i Kosovës nuk është sovran në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të tij që janë të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mbase disa nga parlamentarët po frikësohen se EULEX-i mund t’i arrestoj për shpërdorimet e tyre…
Arrestimet e EULEX, janë një fushatë tendencioze kundër UÇK-së
Flasin për DITA-n ish zyrtarët e lartë Fatos Klosi, Sabit Brokaj dhe Pëllumb Xhufi pas letrës që të tre ata sëbashku edhe me të tjerë personalitete firmosën si reagim ndaj arrestimeve në Kosovë
Përse mendoni se disa rryma në EULEX kanë prirjen të denigrojnë dhe godasin UÇK-në?
Fatos Klosi: Që po e denigrojnë dhe e godasin kjo është një fakt i njohur tashmë. Pse po e bëjnë? Natyrisht nuk mendoj se kjo është një politikë evropiane, prandaj duhet të themi se janë rryma që përfaqësojnë interesa të caktuara proserbe. Të gjithë e dimë se para dhe gjatë luftes ka patur përpjekje të grupeve të caktuara politike dhe ekonomike evropiane që ishin, ku më shumë e ku më pak, hapur në krahun e Serbisë, që u përpoqën që të pengonin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe, që më pas e tani, po përpiqen të ndihmojnë Serbinë në përpjekjet e saj për të sabotuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe shtyrjen pa fund të fitimit të sovranitetit të plotë të Kosovës në territorin e saj.
Sabit Brokaj: Ka një mori faktesh që flasin për këtë denigrim që kërkohet t’i bëhet UÇK-së dhe luftës së saj. Dosjet e UDB-së të përgatitura që nga koha e luftës duket se vazhdojnë të kenë një fuqi prapavepruese. Rasti më i qartë është ai ndaj Fatmir Limajt. Këto dosje kanë funksionuar qysh gjatë luftës dhe vazhdojnë edhe tani. Kujtojmë këtu se ka pasur një plan për të ndaluar me çdo kusht ardhjen në pushtet të UÇK-së. Kjo është deklaruar kur në Itali Ishte në pushtet Kryeministri D’Alema. Vendimet e UELEX-it janë në këtë linjë veprimi. Prandaj dhe ne kemi të drejtë të dyshojmë në vendimet e tyre dhe t’i kontestojmë ato.
Pëllumb Xhufi: -= E mendojmë një gjë të tillë, jo thjesht duke u nisur nga sjelljet e përfaqësuesve të ndryshëm të këtij organizmi, të cilat nxiten nga paragjykime dhe interesa, që janë evidentuar qysh me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në vitet 1997-1999. Mos harrojmë se EULEX-i, ashtu si vetë Bashkimi Evropian, është një organizëm me shumë shpirtra, ku gjithsecili vend anëtar, krahas politikave të përbashkëta, promovon edhe politikat e veta nacionale. Shembulli i Greqisë, apo i ndonjë vendi tjetër, që më se një herë kanë ushtruar të drejtën e vetos në BE apo në NATO ndaj vendeve të tjera jo-anëtare, dhe që e kanë bërë një gjë të tillë thjesht në funksion të interesave të tyre kombëtare, do të mund të shpjegonte edhe sjelljet e ndonjë segmenti të interesuar të EULEX-it. Dihet që qysh nga koha e Xhuzepe Macinit dhe e Jani Koletit, Italia dhe Greqia e kanë përcaktuar Serbinë si një aleat strategjik të tyre në Ballkan. Po ashtu Franca e, deri në një farë mase, Britania e Madhe. Sigurisht, qëndrimet e këtyre fuqive të fundit në rastin e Kosovës pësuan një devijim të madh pozitiv nga linja tradicionale e politikës së tyre të jashtme, dhe Londra e Parisi u bënë ndër mbështetësit kryesor të çlirimit e më tej të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Por nuk është plotësisht kështu rasti me dy vendet e tjera të cituara më lart. Në vitet e represionit më të madh serb në Kosovë, 1977-1999, Italia dhe Greqia ishin për një zgjidhje të problemit brenda kuadrit politik e institucional serb, ishin për një politikë “të butë” dhe “përfshirëse” ndaj regjimit të Milosheviçit dhe kundër politikës së sanksioneve dhe të ndërhyrjes ushtarake, pavarësisht se në fund ato u bashkuan në një farë mënyre në aksionin e NATO-s. Mbështetën deri në fund qasjen “gandiste” të rezistencës së përfaqësuar nga i ndjeri Rugova, dhe bënë gjithshka për të prevenuar shpërthimin e rezistencës së armatosur nga ana e UÇK-së. Edhe pas luftës, zërat që kërkonin ta demonizonin UÇK-në si një organizatë kriminale, marksiste apo integraliste, vinin kryesisht nga këto vende. Qëllimi ishte i qartë: të mënjanohej UÇK dhe partitë politike të dala prej saj nga qeverisja e vendit dhe t’u besohej kjo “të moderuarve” të Rugovës, me të cilët Beogradi dhe ata vetë mund të merreshin më mirë vesh. Pra, qëndrime të tilla, të materializuara në veprimtarinë anti-UÇK të EULEX-it, përcaktohen nga një axhendë personale e nga një radhë egoiste prioritetesh, që përcillet brenda këtij organizmi nga ndonjë përfasues me pushtet i vendeve të interesuara. “Beogradi përpara Prishtinës”, ky është morali i kësaj fabule.
Çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar më tepër në lidhje me këtë situatë?
Fatos Klosi: Natyrisht që shteti shqiptar nuk duhet të rrijë e të bëjë sehir. Situata e krijuar denigron dinjitetin dhe vlera të rëndësishme kombëtare, prandaj ka të drejtën e plotë morale qe t’i denoncojë me forcë veprime të tilla. Nga ana tjetër duhen mbështetur dhe politikisht pranë institucioneve evropiane, përpjekjet për rritjen e pavarësisë së institucioneve policore dhe gjyqësore të Kosovës.
Sabit Brokaj: Shteti shqiptar më shumë se kushdo ka të drejtë të interesohet dhe të bëhet mburojë e lu8ftëtarëve të UÇK-së. Kjo është e sanksionuar edhe në Kushtetutën tonë, pra që shteti shqiptar ka për detyrë të kujdeset edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Duhet të kemi parasysh se ishin luftëtarët e UÇK-së që e vunë në rendin e ditës çështjen kombëtare shqiptare dhe i janë një shtysë të fuqishme asaj. Në këto kushte është një detyrë parësore e Shqipërisë dhe e shtetit amë që jo vetëm të kujdeset, por edhe të mobilizohet dhe të mbrojë fuqimisht të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Për luftëtarët e UÇK-së në radhë të parë.
Pëllumb Xhufi: Shteti shqiptar duhet të bëjë shumë, dhe jo thjesht në emër të flamurit të “shqiptarisë”, por në emër të paqes dhe të stabilitetit në Kosovë e rajon, që veprime të tilla të EULEX-it po duan të provokojnë. Qeveria, Presidenti, MPJ duhet të dalin hapur në mbrojtje të vlerave që përfaqëson UÇK, dje në luftë dhe sot në qeverisjen e Kosovës. Tashmë= nuk kemi të bëjmë me arrestimin dhe gjykimin e ndonjë elementi të veçantë, por për një qasje të përgjithësuar e që synon të godasë UKÇ-në, si institucion dhe si vlerë. Pushtetarët tanë duhet të sensibilizojnë kanceleritë e vendeve mike, përfshirë ato të Italisë, të Greqisë, të Spanjës e të ndonjë vendi tjetër, mbi paarsyen, pathemelinë dhe mbi rreziqet që mbart një qasje e tillë. Por unë e kuptoj se kjo do të thoshte t’i kërkoje shumë një qeverie dhe një Kryeministri, të cilët kanë qenë të parët që në vitin 1998 e denoncuan hapur e pabesisht UÇK-në si një organizatë terroriste, marksiste, integraliste e madje UDB-iste!
Disa grevistë të UÇK kanë akuzuar Argita Berishën dhe Lulzim Bashën për hartimin e dosjeve, çmendoni për këto akuza?
Fatos Klosi: Është bërë e njohur publikisht që Argita dhe Lulëzimi kanë punuar në institucionet e UNMIK, që hetuan të ashtuquajturat “krime të luftës” por kjo nuk mjafton që të mendoj se ata kanë marrë pjesë në hartimin e dosjeve. Koha do të tregojë vërtetësinë ose jo të akuzave kundër tyre.
Sabit Brokaj: Për këto akuza unë mund të them vetëm kaq: UDB ka punuar edhe para edhe gjatë luftës, edhe pas saj. Në këtë drejtim ka shumë hije dyshimesh. Mua më ka bërë përshtypje fakti që kur u ngritën akuzat për atë shtëpinë e verdhë në Burrel për transplantin e organeve, avokati kosovar përmendi këta dy emra që thoni edhe ju. Por këta dy emra, pra Lulzim Basha dhe Argita Berisha, përmenden herë pas herë edhe nga të tjerë. Pra diçka të vërtetë duhet të ketë aty. Koha do ta tregojë.
Pëllumb Xhufi: Unë nuk kam ndonjë element për të akuzuar njerin apo tjetrin. Veçse, nuk mund të mos përsëris atë që e kam shkruar dikur: nuk u zë besë atyre rioshëve shqiptarë, që u dërguan nga z. Berisha në Kosovë për të shërbyer në organizata si UNMIK apo OSBE, që u rritën nën hijen e këtyre organizatave dhe që sot zënë vende me përgjegjësi në administratën e Shqipërisë dhe të Kosovës. E them këtë, pasi e marr me mend se ç’lloj punësh u janë besuar të rinjve shqiptarë që kanë shërbyer në përfaqësitë e atyre organizatave në Kosovë.