I love America, por takimi me Moore ishte kohë e humbur – thotë Mustafa Nano pas një takimi në ambasadë

0
39

TemA Online, 29 Maj 2013

Një grup gazetarësh sapo kanë mbyllur një takim në ambasadën amerikane në Tiranë ku ka qenë i pranishëm zyrtari i lartë amerikan Moore dhe përfaqësues të ambasadës përfshirë ambasadorin Arvizu dhe zv.ambasadorin. Nga gazetarë të pranishëm (kanë qenë aty Ilva Tare, Mero Baze, Mustafa Nano, Skënder Minxhozi, Henri Cili etj) mësohet se Moore ka qenë në vijimësi i përkujdesur të theksonte që amerikanët do jenë distantë nga loja elektorale e 23 qershorit.

Moore ka theksuar ndër të tjera që “nuk ka asnjë përplasje mes qeverisë së Tiranës dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara” pasi është pyetur lidhur me deklaratën e Arvizusë të disa ditëve më parë, ku ky i fundit nënkuptoi ndër të tjera që po shkohet drejt një përplasjeje me Shtetet e Bashkuara.

Disa nga të pranishmit konfirmojnë se të gjitha qëndrimet e Moore kanë qenë një përpjekje e qartë për “balancë”. Iu bën shumë pyetje dhe të gjithave iu përgjigj me merakun që të mos i shpëtonte asgjë kundër qeverisë. Edhe një pyetjeje mbi 21 janarin, Moore i është përgjigjur duke folur për “kontekst të veçantë” dhe “përgjegjësi dyfishe”.

Mustafa Nano, një nga të pranishmit në takim, i pyetur në telefon nga autori i këtyre radhëve për një koment mbi takimin, tha ndër të tjera: “I love America, por takimi i sotëm në ambasadën amerikane me këtë zyrtar amerikan ishte kohë e humbur për mua”.

Edhe të pranishëm të tjerë thanë që nuk pati asgjë të re nga mesazhet që janë dhënë sot në publik nga z.Moore. Në përfundim të takimit zyrtari amerikan ka bërë një batutë lidhur me kopertinën e sotme të gazetës DITA (një lojë fjalësh me emrin e tij në titullin “Doktori i bie Moore-it me kokë”) duke thënë: “Më duket që jam unë ai që po i bie murit me kokë”.

http://respublica.al/artikuj/2013/05/29/i-love-america-por-takimi-me-moore-kohe-e-humbur-thote-mustafa-nano-pas-nje