Nga Armand Plaka *, 9 Qershor 2013
“Ka mbërritur së fundmi një kryetar fisesh shqiptare me emrin Shaban Bej Goça. Përpjekjet e tij për të çliruar vendlindjen dhe luftuar turqit, i kanë sjellë si pasojë një plumb në trup, një plagë akoma të pambyllur në njërën këmbë, shkaktuar nga një goditje pushke, dy të tjera në këmbën tjetër si dhe një çmim prej 7.000 paundësh për kokën e tij”.
Kështu niste në vitin e largët 1906, një artikull i gjatë në të përditshmen amerikane, “The Sun” (shih: The Sun, A Rebel Chief From Albania in Town, 28 janar 1906, fq. 7) i cili përtej paraqitjes së përgjithshme të karakterit të shqiptarëve, me materiale që mund të gjendeshin edhe në burime të tjera, sjell në vëmendje edhe përpjekjet e një njeriu, i cili nuk rezulton të jetë përmendur ndonjëherë në historiografinë tonë zyrtare. Bëhet fjalë për një shqiptar me emrin Shaban Goça (ose edhe Goxha, porse në origjinal në anglisht na përcillet vetëm në formën Gotsha) që kishte qenë oficer i xhenjos në Perandorinë Otomane, arsimuar në Kajro, e që pronat e pasuritë e të cilit ishin konfiskuar nga autoritetet e Stambollit. Për më shumë, për kokën e tij ishte vënë në dispozicion një shumë e madhe, çka e kishte bërë atë të jetonte e vepronte vetëm në mërgim.
Qysh në fillim të herës duhet thënë se shumëçka bazohet mbi thëniet e vetë personazhit kryesor, rreth të cilit përqëndrohet edhe artikulli në fjalë, duke mos i mbuluar ato me asnjë material tjetër historik e arkivor të dorës së parë, çka hedh hije të mëdha dyshimi mbi rolin, prejardhjen dhe synimet e vetë këtij personazhi. Kjo, sigurisht se është në radhë të parë objekt i historianëve, që kanë rastin të nxjerrin në pah më shumë rreth këtij personazhi enigmatik, i cili nëse vërtetë ka dashur të japë ato kontribute që përmenden në artikujt e gazetave amerikane të kohës, meriton mirënjohje për atë çka ka bërë. Të paktën një gjë është e sigurtë: pavarësisht synimeve të tij, nga ato çka ai rrëfen për shqiptarët për mediat amerikane të kohës, duket se ai u ka bërë një nder atyre, duke i përcjellë publikut amerikan një profil krenar e realist të shqiptarëve e synimeve të tyre.
Goça: Kam ardhur me mision patriotik
Nga artikulli në fjalë mësojmë se ai, kishte shkuar në Amerikë për një mision patriotik, siç ishte mbledhja e ndihmave apo hetimi i mundësive se çfarë mund të bënte Amerika, jo vetëm në këtë drejtim, por edhe për luftën e shqiptarëve për pavarësi, duke marrë përsipër edhe rolin e liderit politik e të avokatit të shqiptarëve e çështjes së tyre, edhe në përballjet me shtypin kurioz amerikan. Në përmbushje të misionit të vet, ai deklaron se ishte pritur më parë nga personalitete të fuqishme të kohës në Angli (e ndoshta edhe gjetkë në Europë, megjithëse artikulli nuk na sjell evidenca konkrete për këtë pretendim), siç na sugjerojnë pasazhet e mëposhtme: “Ai vjen në këtë vend për të parë interesin e amerikanëve në një projekt për të mbështetur masat për arsimimin e popullit të tij. Projekti në fjalë e ka bërë atë që të ndërmarrë disa udhëtime, duke prekur shumë vende nga kontinenti europian dhe në Angli, ku është pritur dhe ka biseduar me Dukën e Aberdinit, James Bryce, nga Deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve, Henry dhe Stephen Gladstone, Peshkopi i Durhamit, Lord Brassey, Lady Frederick Cavendish etj”.
Me ndihmën e Amerikës drejt pavarësisë
Po kështu, rezultatet e arritura, apo ato të pritshme të vizitave e misionit të tij, deri në atë çast, na i rrëfejnë më së miri paragrafet e mëposhtme: “Komiteti për Ballkanin në Britani ka shprehur simpatinë e vet të plotë me lëvizjet çlirimtare shqiptare për t´u shkëputur nga kontrolli turk. Nëse sistemi arsimor do të ndërtohet, atëherë besohet në mënyrë konfidenciale se këtë hap do ta pasojë edhe e drejta e votimit. Shaban Beu beson se populli amerikan do të formojë një komitet për të bashkëpunuar me Komitetin për Ballkanin dhe me një tjetër nga vendi i tij, për të siguruar nga Sulltani një sistem arsimor autonom dhe nëse do jetë e mundshme edhe pavarësinë apo autonominë e vendit”.
Por cila ishte gjuha dhe argumentat e përdorura nga ky personazh misterioz për të mbrojtur bashkëatdhetarët e vet dhe çështjen e tyre? Duket se në përballje me shtypin amerikan të asaj kohe, por edhe në përballje me mentalitetin e sotëm, stili i tij mund të duket ndoshta jo fort diplomatik, i thjeshtë, por njëkohësisht i zgjuar, duke vënë në dukje në mënyrë eksplicite edhe paradokset që ekzistonin në atë kohë në lidhje me atë që mund të quhej si “civilizim”.
“Nëse ju amerikanët – thotë ai, – interesoheni edhe për negrit dhe kafshët, atëherë pse të mos tregoni interes për popujt pellazgjikë? Ju dërgoni misionarë edhe në Kongo, përse të mos dërgoni mësues në një vend që ka prodhuar kaq shumë burra të njohur në histori, si: Pirroja, Crispi, Skënderbeu, Aleksandri i Madh, Justiniani? Unë e dua vendin tim, popullin tim, i cili ka një kurajë të madhe: njerëz që kanë mirësi dhe që kurrë s´ta harrojnë nderin apo një shërbim të kryer. Italia dhe Austria vazhdimisht po shfaqen të gatshme të na ndihmojnë, por ngaqë ata e duan Shqipërinë për vete, kështu po e humbasim edhe ne vendin tonë. Rusia na do, por ne nuk e duam. Ne e duam Shqipërinë për shqiptarët.”
Nëse Amerika s´na ndihmon, unë s´dëshpërohem
“Nëse amerikanët nuk janë të vendosur të na ndihmojnë, unë nuk do të dëshpërohem; pasi nuk më mungon kurajoja dhe për sa kohë do ta kem krahun tim të djathtë, shpatën, popullin tim, unë nuk do të dorëzohem kurrë, kurrë”. Kështu shprehej Shaban Bej Goça, ndoshta me shpresën se do të duheshin përpjekje të tjera, derisa të arrinim në një mbështetje direkte të Amerikës për shqiptarët, e cila duket se në atë kohë jo vetëm nuk e kishte akoma peshën që ka sot, por edhe shihte si e hutuar në rolin e spektatorit, ngjarjet në kontinentin plak, ku s´i mbetej veçse ndonjë angazhim dytësor apo dërgimi i misoneve të bamirësisë e atyre me karakter fetar e social.
Situata politike në Shqipëri dhe shkollat josektare
Ai i rrëfeu një reporteri të “The Sun” mbi situatën aktuale në Shqipëri. Në çështjet religjioze, shqiptarët në shumicën e tyre janë liberalë. Protestantët e konvertuar, kristianët e identifikuar me Kishën Katolike Romane apo me Kishën Orthodokse Greke dhe ata muslimanë, jetojnë krah për krah dhe tregojnë respekt të madh për gjërat e shenjta të njëri-tjetrit. Nëse pyet dikë se çfarë është, ai nuk i përgjigjet: jam turk, grek, kristan apo musliman, por “ Jam shqiptar”. Nën këtë moto, Shaban Beu po propagandon në favor të shkollave shqipe që duhet të funksionojnë mbi baza josektare dhe që do të zhvillojnë shpirtin kombëtar, pa mbajtur parasysh besimin të cilit njerëzit i përkasin.
Historia dhe gjuha e shqiptarëve
Më tej artikulli i amerikanes “The Sun”, zgjerohet duke sjellë në vëmendje historinë e shqiptarëve, traditat e zakonet e tyre. Interesant është të pohohet se në këtë kohë kur zyrtarisht shqipja akoma nuk njihte një alfabet të njehsuar, amerikanët shkruanin: “Ndërsa shqiptarët nuk regjistrojnë ndonjë letërsi të shkruar në ditët e sotme, nga ana tjetër, gjuha e tyre përcillet në një mënyrë shumë të pasur nëpërmjet folklorit dhe epigrameve”. Por vetëm dy vjet më parë, në një tjetër të përditshme amerikane ( shih: The Seattle Star, Albanians A strange Race: Friend and Foe of the Turks, 19. prill 1904, fq. 9) për këtë çështje gjejmë një përcaktim më të fokusuar rreth gjuhës dhe alfabetit të shqiptarëve: “Shqiptarët kanë një gjuhë. Alfabeti i tyre konsiston në një përzierje prej 30 gërmash greke dhe latine. Pushteti turk, gjithsesi e pengon ushtrimin e kësaj gjuhe”.
Goça: Shqiptarët të aftë të qeverisin veten
Duke folur për verbërinë e çdo kombi dhe gabimet përkatëse që ata kanë kryer, Shaban Beu, duke zgjatur ngadalë dorën e vet mbi shpatullat e tij, thotë: “Unë nuk mund të shoh dot veshët e mi, por mund të shoh ato tuajat”, duke vijuar me proverba të tjera si: “Është më e lehtë të gënjesh se sa të dëgjosh një gënjeshtër”. Apo dhe: Çfarë mund të bëjë një budalla me një këshillë apo një negër me një sapun? – “Fjalët janë femërore, kurse bëmat, mashkullore”. Shaban Beu nuk është i vetmi shqiptar që po zhvillon propagandë në vendet e huaja. Kolegët e tij gjenden edhe në Egjipt, Rusi, Greqi, Itali, Rumani dhe Austri. Shumë prej tyre janë azilantë, për kokat e të cilëve janë vënë çmime të majme.
Shaban Beu tregon me krenari zyrtarë të lartë me origjinë shqiptare që mbajnë poste të rëndësishme në Turqi dhe Egjipt, duke thënë se të gjitha këto dëshmojnë se shqiptarët janë të aftë të qeverisin vetveten. Në Turqi, rojat personale të Sulltanit janë të gjithë shqiptarë. Është Tahil Pasha, një shqiptar që fle në dhomën e Sulltanit dhe provon kafenë e tij i pari; një pozicion i rëndësishëm ky. Ferid Pasha, Kryeministri, është një shqiptar; po ashtu Negi Pasha, një anëtar i Këshillit të Yilldizit dhe Turhan Pasha, kohët e fundit emëruar edhe si shef i Policisë së Stambollit.
Shqiptarët, fisnikëria dhe kaçakëria
Duke dashur të flasë për disa nga karakteristikat më themelore të shqiptarëve, siç janë besa, nderi dhe mirënjohja, por edhe të verë në dukje një nga veset që ata kishin në atë kohë (sikurse edhe mbarë Ballkani në fakt), dmth. kaçakërinë, artikulli mëton të sjellë edhe nja dy shembuj konkretë nga histori të jetuara e të rrëfyera nga dy anglezë, të cilat nëse u hedh një sy arkivave të kohës, duket se kishin bërë xhiron e botës, për të ilustruar karakterin paradoksal, por edhe proverbial të shqiptarëve, siç na sugjerojnë fragmentet e mëposhtme:
“Një anglez i pasur, bizeneset e të cilit e bënin të ndërmerrte shpesh udhëtime në brendësi të Shqipërisë, duke i sjellë edhe përfitime të majme, shoqërohej ngado që shkonte nga një shqiptar i besueshëm. Në një rast, pasi pjesa më e lodhshme e këtij udhëtimi kishte marrë fund, roja i tij i shkoi në dhomën ku ai qëndronte dhe pasi i bëri përshëndetjen sipas zakonit, i tha: Zotëri, më duhet t´ju lë: për këtë arsye kam ardhur t´ju jap edhe lamtumirën. Përse – i thotë anglezi – çfarë do të bëj unë këtu i vetëm në këtë vend, pa ty?
Oh – ishte përgjigja e tij – Unë po ju lë, sepse kisha bërë ndërmend t´ju sulmoja e t´ju grabisja dhe një akt i tillë do të ishte i padenjë dhe tradhëtar për mua, përderisa kam ngrënë bukën tuaj. Unë kam bërë ndërmend t´ju grabis sërish kur ju të merrni rrugën e kthimit gjatë udhëtimit, nëse ju has. Kështu që merrni masat që doni të merrni, që gjithçka të jetë një lojë “fair” mes nesh. Pasi tha këtë, ai bëri temenanë (përshëndetjen, siç e përshkruan vetë autori në origjinal me përkthimin përkatës në anglisht ) e dytë dhe u zhduk. Duke iu kthyer profesionit të tij të mëparshëm, ai më pas mori kontrollin e një bande kaçakësh dhe në krye të saj ndodhi që sulmoi edhe shefin e vet të dikurshëm. “Paralajmërim” në këtë rast do të thoshte “paraarmatosje” dhe eskorta e që kishte marrë anglezi me vete ishte mjaft e fortë dhe e mirëpajisur për të përballuar një sulm kaçakësh, duke e shpëtuar atë.
Në një rast tjetër, një zyrtar i qeverisë britanike, i cili kishte në pronësi një çiflig në Maqedoni dhe ishte gati të nisej drejt tij, mori papritur një copëz letër të zhubravitur e të pisët, shkruar në një dialekt të shqipes me një përzierje gërmash greke dhe shqipe. “Shumë i Nderuar Efendi dhe Bamirës zemërgjerë! Disa vite më parë, shërbëtori juaj më besnik dhe shoqëruesi i tij ishin në vështirësi. Ju i shpëtuat ata nga burgu e madje edhe nga varja. Shërbimi që ju bëtë, nuk është harruar kurrë dhe borxhi që ne kemi ndaj jush, do të shlyhet së shpejti, duke ju informuar se banda kaçakësh shqiptarë që ndodhen në afërsi të çifligut tuaj, kanë marrë instruksione dhe kanë pranuar detyrën për t´ju vrarë qysh në herën e parë që do të shkelni në afërsi të atij çifligu. Unë dhe njerëzit e mi të besuar, do të jemi në roje të ngjarjeve për të parandaluar në maksimum që kjo gjë të mos ndodhë, por ne ju paralajmërojmë të qëndroni nën mbrojtjen tonë, pasi jeta juaj ndodhet në rrezik. Duke Ju puthur dorën me respekt, firmos këtu me dorën time: Një anëtar i bandës”.
Shaban Beu: Të vrasësh gra e fëmijë, është kusari
“Kaçakët shqiptarë – thotë Shaban Beu, me një lëvizje pyetëse të supeve. “Kështu, po. Por po ju çfarë keni? Cila është diferenca? Në vendin tim një veshje e një burri është e gjitha e mbuluar me argjend, dhe armët e tij kushtojnë ndoshta 1.000 dollarë. Kështu që ai shkon maleve dhe kur një i pasur kalon në ato anë, ai e merr dhe e mban peng derisa ai të paguajë. Kaçakët shqiptarë, gjithashtu kanë luftuar gjithmonë edhe kundra ushtarëve turq. Por ata vrasin gjithmonë për një arsye. Ata kurrë nuk prekin fëmijë apo gra. Oh, asnjëherë, në asnjë rast! Por çfarë bëni ju në vendin tuaj? Ju paguani tre, katër, apo pesë mijë dollarë për automobila e dilni jashtë vendit, për qejf; vrisni gra e fëmijë pa ju dridhur qerpiku. Çfarë është kjo përveçse kaçakllëk e kusari. Nga ana tjetër, shikoni sa shumë kompani sigurimesh keni. A mos është kështu më mirë?”
Gratë dhe feja e shqiptarit
Në artikull haset disa herë çështja e fesë dhe roli e trajtimi i gruas në trojet shqiptare. Gjithsesi duke tentuar të përcjellë për lexuesin amerikan të kohës, njohuri të detajuara rreth veshjes, zakoneve, argëtimit, festave etj., ata bëhen në një këndvështrim tjetër, objekt interesant arkivor e studimor për folkloristët, koreografët e etnografët. Sigurisht se këto, të gjitha nuk mund të përcilleshin dot e s´do të ishin të besueshme, nëse nuk do të flitej për gjakmarrjen, i cili si një nga fenomenet më negative, njëkohësisht ngjallte edhe kuriozitetin më të madh ndër të huajt për shqiptarët e Shqipërinë, duke folur në mënyrë të veçantë për atë që ata e quanin: “Kodi i nderit të shqiptarëve”, siç dëshmojnë këto pasazhe të shkëputura: “Kodi i nderit të shqiptarit e ndalon të sulmosh një grua, qoftë e armatosur apo e paarmatosur.
….Megjithëse muslimanë, shqiptarët nuk janë poligamë. ..Si muslimanet dhe kristianet, qëndrojnë të pambuluara në shtëpi, por “yashamak” dhe ferexhe mbahen jashtë dyerve të shtëpisë nëpër qytete nga të gjitha gratë. Ndërsa gratë fshatare dalin të pambuluara edhe jashtë pragut të dyerve të shtëpisë”. Po kështu has edhe në përshkrimin në detaje rreth interioreve dhe arkitekturës së shtëpive të dyerve të kamura shqiptare. Ndërsa shqiptarët janë një popull i dhënë pas shtëpisë e vendlindjes, ka më shumë se 300.000 shqiptarë që jetojnë sot në Kalabri dhe rreth 600 prej tyre që punojnë e jetojnë sot në këtë qytet e Xhejmstaunit (SHBA) të angazhuar me punët në fabrikë.
Tri plagë në trup dhe 28 dekorata europiane
“Pronat e Shaban Beut janë konfiskuar ndërkohë nga qeveria turke. Ai, nga profesioni është inxhinjer ushtarak, arsimuar në Kairo, Egjipt. Flet shumë gjuhë të huaja”. Kështu mbyllej artikulli i të përditshmes amerikane në vitin 1906, ndërkohë që vetë emri i Shaban Beut dhe detaje të tjera në lidhje me atë çka ai përfaqësonte, na shfaqen edhe në disa të përditshme të tjera amerikane përgjatë viteve 1906-1909, duke përfunduar me vitin 1930, ku ai na shfaqet edhe si koleksionist veprash arti. Në fakt, përveç artikujve të shtypit amerikan dhe të një albumi me përshtypjet që një çift amerikan kishte përftuar gjatë udhëtimeve të tij në vitin 1905 në vendet e Europës, nuk posedojmë asnjë të dhënë mbi prejardhjen, krahinën shqiptare nga ai rridhte, ashtu sikurse edhe asnjë datë lindjeje.
Në këto artikuj theksohet shpesh fakti se ai e quan veten një prijës shqiptar, por në ato vite figura e tij lidhej shumë edhe me revolucionin xhonturk, lider i të cilit ai deklaronte se ishte, e për kokën e të cilit Sulltani kishte vënë në dispozicion jo vetëm 35.000 dollarë amerikanë ( shih: Albanian Prince Hiding Here Now, The San Francisco Call, 7 shkurt 1909, fq. 37), por edhe një sërë spiunësh, të cilët e gjurmonin atë edhe në SHBA, duke e detyruar të fshihej e të mos bënte publike adresën ku banonte. Po ashtu, nga po i njëjti burim thuhet se ai ndërkohë, përveç tri plagëve që mbante në trupin e tij, kishte marrë edhe 28 dekorata të ndryshme nderi nga vende europiane. Në këtë kohë, tashmë thuhej se ai po kërkonte mbështetje për revolucionin xhonturk në SHBA dhe se me miratimin e kushtetutës së re turke, ai po priste rastin të nisej sërish në Turqi për t’u përshtatur me realitin politik të kohës atje, ose për të rinisur sërish një kryengritje, nëse gjërat nuk do shkonin si duhet. Interesant është të thuhet se ai sërish ngrinte lart shqiptarët, të cilët, në një numër prej 3 milionësh, sipas tij, ishin dhe luftëtarët më të mëdhenj të botës.
Në fund ai bën edhe një lloj profecie, e cila në njëfarë mënyre do të përmbushej shumë shpejt: “Shumë shpejt kombet e Europës do të angazhohen në një konflikt mbi çështjet e Turqisë dhe ato të Ballkanit dhe në fund do ta shohin veten duke luftuar. Kjo, besoj unë, do të rezultojë në lirinë përfundimtare të shqiptarëve”. Gjithashtu mësojmë në detaje edhe ecurinë e proçesit të aplikimit për marrjen e nënshtetësisë amerikane, në vitin 1907 (shih: Albanian Prince To Be An American, New York Times, 8 qershor 1907, fq. 2) . Përsa i përket të ardhmes së vet, vetë Shaban Bej Goça thoshte: “Tashmë po bëj një jetë të tërhequr dhe kam ndërmend të çel një studio në ndonjë qytet të largët në brendësi të këtij shteti ose të merrem me bujqësi”. Dhe kjo rezulton të ketë qenë e vërtetë, sepse emri i tij haset sërish shumë vite më vonë, në bashkëpunime apo kontrata shitjesh të veprave të artit.
*Shënim: Artikulli është botuar më parë në revistën KLAN, dt. 27 prill 2012, fq. 28-32. Ribotohet me lejen e autorit. Redaksia DITA